Mbledhja e Qeverisë së Kosovës (Drejtpërdrejt)

Aktuale

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës (Drejtpërdrejt)

Më: 28 gusht 2020 Në ora: 08:04

(E plotësuar) - Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për nismën e lidhjes së marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kërkoi aprovimin e nismës për negociimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë në të ardhurat dhe parandalimin e evazionit fiskal në mes të vende.

Bajrami: Marrëveshja me Shqipërinë për eliminimin e tatimit të dyfishtë ka disa pengesa në zbatim

“Ne kemi nënshkruar deri më tani 16 marrëveshje të eliminimit të tatimit të dyfishtë me vende të ndryshme, ndër to kemi një marrëveshje nga viti 2017 edhe me Shqipërinë mirëpo gjatë zbatimit është parë që ka disa pengesa dhe disa nene janë më të vërtetë pengesë për zbatimin e tyre. Nivelet teknike, administratat e të dy vendeve kanë iniciuar që kjo marrëveshje duhet të plotësohet dhe ndryshohet në mënyrë që të inkorporohen praktikat më të mira tani të marrëveshjeve për eliminim të tatimit të dyfishtë, duke marrë para së në fund të shtatorit planifikojmë të kemi edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive”, tha ajo.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është votuar edhe projektligji për Inspektoratin e Punës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se qëllimi i projektligjit është reformimi i institucionit të Inspektoratit të Punës sipas praktikave më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian.

Përmes tij, ai tha që synojnë të fuqizojnë dhe reformojnë këtë institucion.

Reçica: Projektligji do të rregullojë strukturën organizative dhe mandatin e Inspektoratit të Punës

“Çështjet kryesore të trajtuara në këtë projektligji janë mandati i Inspektoratit të Punës, struktura organizative, statusi i të punësuarit duke përfshirë kushtet dhe kriteret profesionale, detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të përgjithshëm, kompetencat e inspektorëve të punës, procedurën e inspektimit, parandalimi ne konfliktit të interesit, të drejtat dhe detyrimet e punëdhënësit gjatë inspektimit, hetimet e aksidenteve në punë, gjobat, procedurat administrative dhe kundërvajtëse”, tha ai.

Qeveria ka miratuar vendimin për publikim të akteve nënligjore të Qeverisë dhe ministrive në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës ku u tha se me këtë veprim vlerësohet se do të rritet transparenca dhe siguria juridike.

Në mbledhjen e sotme qeveria ka ndryshuar dhe plotësuar programi legjislativ për vitin 2020.

Në Programin Legjislativ të vitit 2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshihen projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2019, pjesa e dytë, objektivi 1, në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2020 në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe projektligji për ratifikimin e kontratës financiare në mes të Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza.

Ndër të tjera, Qeveria e Kosovës ka votuar për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për këshillin ekonomik social, dhe ka ndarë 40 mijë euro për Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, me seli në Sarajevë.

Gjithashtu sot, Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i vazhdojë mandatin kryetares së Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit, Nesrin Lushta.

***

Qeveria e Kosovës e kryesuar nga Avdullah Hoti do të mblidhet në mëngjesin e sotëm.

Kabinetit qeveritar mblidhet në ora 09:00.

Ndërsa dy ditë më parë qeveria mbajti mbledhjen e 27 të, ku veç tjerash u miratua vendimi për përkrahjen institucionale dhe financiare për fillimin dhe realizimin e suksesshëm të vitit shkollor 2020-2021.

Kabineti qeveritar ka miratuar gjithashtu edhe me Master-Planin e projektit për mësimin 2020, i cili shqyrton të gjitha format dhe mundësitë e organizimit të mësimit në vitin shkollor 2020-221. Dokumenti prezanton tre skenarë të ndryshëm, të mundshëm për organizimin e mësimit, sipas kushteve dhe situatave të ndryshme në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë:

1.Organizimi i mësimit në shkolla – kërkon investime në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim të shkollave;

2.Mësimi i kombinuar (mësimi në shkolla dhe mësimi në distancë) – kërkon gjithashtu investim në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim. Kërkon angazhim e stafit ndihmës-rezervë duke përfshirë mësues, punëtorë teknik, mjek dhe psikolog. Ky opsion kërkon që njëkohësisht të zhvillohet edhe mësimi online.

3.Mësimi online dhe në distancë – ky opsion kërkon sigurimin dhe blerjen e pajisjeve teknologjike dhe zhvillimin e mësimit online.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat