Flet Donald Trump: Marrëveshje historike, shumë shpejtë mund të vizitojë Kosovën

Aktuale

Flet Donald Trump: Marrëveshje historike, shumë shpejtë mund të vizitojë Kosovën

Më: 4 shtator 2020 Në ora: 18:08
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, 4 shtator 2020

(E plotësuar) - Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Kosova dhe Serbia kanë shprehur përkushtimin të normalizojnë raportet ekonomike, ka thënë Trump, raporton Reuters.

Trump tha se kjo është "një ditë shumë e rëndësishme dhe historike".

Ai shtoi se edhe pas historisë së dhunës dhe negociatave të dështuara, administrata e tij ka bërë një "përparim të madh" në dialog dhe se "askush nuk ka menduar se kjo do të ishte e mundur".

Trump, gjithashtu, tha se ai shpreson se "do të shkojë në të dyja vendet në një të ardhme jo aq të largët" dhe se ai është "krenar për dy udhëheqësit".

Presidenti Trump e përshëndeti marrëveshjen duke e quajtur "përparim të madh" për bashkëpunimin ekonomik.

Edhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brian, ka thënë se derisa marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë kultivohen, do të ketë edhe zgjidhje politike, gjithashtu.

Ndërkaq, Hoti ka theksuar se marrëveshja me Serbinë është një hap i madh përpara që do të çojë në njohjen reciproke mes dy vendeve.

"Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin. E kemi bërë një hap të madh për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që duhet të çojë në njohjen ndërsjellë eventuale", deklaroi ai.

"Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku, për ta përmirësuar jetën e njerëzve dhe për të krijuar vende të reja pune në rajon. Ne besojmë plotësisht në administratën tuaj. Ne ndajmë të njëjtat vlera për lirinë dhe demokracinë, si dhe ekonomitë e tregut të hapur", tha Hoti.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka ende shumë dallime midis Serbisë dhe Kosovës, por ky është një hap i madh përpara.

Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Kosova dhe Izraeli janë pajtuar që të normalizojnë raportet dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike, raporton Reuters.

Këtë deklaratë Trump e bëri në Shtëpinë e Bardhë, ku u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjithashtu ka folur për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Ai ka thënë se “Kosova ka rënë dakord të hapë ambasadën në Izrael, konkretisht në Jerusalem”

Sipas tij, Kosova është bërë vendi i parë me shumicë myslimane që do të ketë ambasadën në këtë vend, raporton Reuters.

Nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, e ka përshëndetur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

"Shpreh konsideratën më të lartë për lidershipin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentin Trump, që sot arriti të materializojë përpjekjen për të arritur mirëkuptim mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë për të mirën e paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike. E falënderoj edhe një herë Emisarin Special, Ambasadorin Grenell, për angazhimin e tij gjigant që ky proces të jetë produktiv, efikas dhe besoj edhe i implementueshëm", ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Ai ka thënë, po ashtu, se Kosova tani do të vazhdojë të punojë në zhvillimin ekonomik, për hapjen e vendeve të reja të punës si dhe për konsolidimin e mëtejshëm në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kosova është e bekuar me miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo u dëshmua edhe një herë sot, me nëshkrimin e marrëveshjes së negociuar nën drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Si kryetar i LDK-së, dëshiroj t'i falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sidomos presidentin Trump për angazhimin e tij në arritjen e marrëveshjes”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Ai ka përgëzuar edhe kryeministrin Hoti dhe Qeverinë e Kosovës për, siç e ka cilësuar ai, “këtë arritje të madhe në interes të Republikës së Kosovës”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se e mirëpret marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tij, aty nuk është përfshirë çështja e Liqenit të Ujmanit.

“Miqtë e vërtetë gjithmonë e kuptojnë shqetësimin e drejtë. I lumtur që shqetësimet tona në pikën kontestuese për Ujmanin, kanë reflektuar në Marrëveshjen e nënshkruar”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Marrëveshja pason diskutimet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë që u zhvilluan gjatë ditës së enjte në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O'Brien, dhe të dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

***

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka cilësuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë si pakt historik dhe që do të sjellë zhvillim ekonomik për të dy vendet.

“Është vërtetë historike”, tha Trump, teksa qëndronte përkrah dy udhëheqësve ballkanas te Zyra Ovale. “Një ditë fantastike në një pjesë të mrekullueshme të botës. Kam kënaqësinë të njoftoj se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike. Një pjesë shumë e rëndësishme, për të cilën kanë punuar prej shumë vitesh, dhjetëvjeçarë, në fakt, pas një historie tragjike e të dhunshme, dhe pas shumë vitesh me dështim negociatash.

Administrata ime propozoi një mënyrë të re për ta ulur këtë ndasi, duke u përqendruar te hapja e vendeve të punës dhe rritja ekonomike në të dy vendet. Kështu, të dy vendet patën një arritje të madhe, diçka që u dukej e pamundur shumë vetave, por që doli shumë mirë. Dhe ne do të punojmë me ta për bashkëpunim ekonomik”, tha Trump në një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë.

***

Presidenti Amerikan, Donald Trump, ka folur menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën dhe Serbisë.

Ai ka thënë se shumë shpejt mund të vizitojë Kosovën.

Gjithashtu, Trump bëri të ditur se Izraeli ka njohur shtetin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat