​Hoti e Abrashi ftohen në raportim për pikën kufitare në Merdare

Aktuale

​Hoti e Abrashi ftohen në raportim për pikën kufitare në Merdare

Më: 10 shtator 2020 Në ora: 17:18
Foto ilustrim

Kryetarja e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Kollçaku Mulhaxha dhe kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, Liburn Aliu bazuar në përgjegjësitë e tyre dhe brenda fushëveprimtarive të këtyre komisioneve kanë ftuar Avdullah Hotin dhe Arban Abrashin për raportim.

Në Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes është ftuar Hoti që të raportojë lidhur me dhënien e pëlqimit për hapjen dhe operacionalizimin e vetëm të pikës kufitare në Merdare, madje duke e trajtuar atë si pikëkalimi dhe jo si pikë kufitare në mes të dy shteteve.

Ndërsa, Arban Abrashi është ftuar që të raportojë lidhur me zotimet e dhëna në takimin e 4 shtatorit në Uashington për ndërtimin e akseve rrugore dhe hekurudhore që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë në drejtim të Merdares, duke devijuar linjën hekurudhore për në Leshakë.

Devijimi i linjës hekurudhore nga Leshaku për në drejtim të Merdares sipas kërkesës së Serbisë është në kundërshtim me interesat e Republikës së Kosovës. Ngjashëm me hapjen e vijës kufitare vetëm në Merdare, edhe akset rrugore dhe hekurudha në drejtim të njëjtë po bëhet ndër tjera për të shmangur kontrollin e Kosovës mbi veriun e vendit, thekson Vetëvendosje.

Për më tepër kjo parti thotë se infrastruktura rrugore dhe hekurudhore në Kosovë duhet t’i përgjigjet interesave të shtetit të Kosovës dhe popullit të saj, dhe si të tilla nuk duhet të konceptohen e ndërtohen si infrastrukturë që mundësojnë pretendimet e Serbisë dhe që pengojnë interesin e Kosovës për shtrirjen e sovranitetit në veriun e vendit.

Ndryshe, ditë më parë deputetët e Vetëvendosjes kanë dorëzuar edhe kërkesa tjera për të raportuar në komisione parlamentare lidhur me politikën e jashtme, ekonominë, të pagjeturit, viktimat e dhunës seksuale, Ujmanin, mini-Shengenin, Zajednicën dhe shpenzimet e një delegacioni të stërmadh në Uashington. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat