Hoti, eurodeputetëve: Marrëveshja e Washingtonit e plotëson dialogun në Bruksel

Aktuale

Hoti, eurodeputetëve: Marrëveshja e Washingtonit e plotëson dialogun në Bruksel

Më: 10 shtator 2020 Në ora: 18:08
Avdullah Hoti u ka shpalosur eurodeputetëve detaje të Marrëveshjes së javës së kaluar të arritur në Washington.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u ka shpalosur eurodeputetëve detaje të Marrëveshjes së javës së kaluar të arritur në Washington.

Gjatë fjalimit të tij në Komitetin evropian për Marrëdhënie me Jashtë, ai ka thënë se kjo marrëveshje e plotëson dialogun që po zhvillohet në Bruksel, nën ombrellën e BE-së.

“Gjatë javës së kaluar arritëm marrëveshje në Washington, për të cilën kemi punuar për një kohë dhe ajo paraqet një hap të madh drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. E quajmë marrëveshje për normalizim ekonomik, pasi që pjesa më e madhe merret me çështje ekonomike… Mënyra se si e shoh këtë marrëveshje është se ajo e plotëson dialogun që po zhvillohet në Bruksel”, ka thënë ai.

Hoti njëkohësisht u ka thënë eurodeputetëve se shpreson se gjatë Presidencës Gjermane, Kosovës do t’i jepet liberalizimi i vizave.

“E panevojshme të thuhet që jemi shteti i vetëm në rajon pa liberalizim. Dihet që i kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe qeveria jonë po mundohet të sigurojë se ato kritere mbesin të përmbushura dhe avancohen gjatë tërë kohës. E meritojmë liberalizimin e vizave dhe dua ta shfrytëzoj mundësinë për t’i falënderuar eurodeputetët për përkrahjen e dhënë…. Kemi popullsinë më të re në Evropë dhe u duhet liberalizimi. Shpresoj se gjatë Presidencës Gjermane mund të ecet përpara”, ka thënë ai.

Hoti po ashtu u ka rikujtuar eurodeputetëve se shkaku i kërkesave të BE-së, ai në fillim të mandatit kishte marrë disa vendime “tejet të jopopullarizuara”, duke përmendur heqjen e barrierave jotarifore dhe reciprocitetit.

“Arsyeja është se këtë na e kanë kërkuar partnerët tanë në BE. Në këtë proces kemi qenë të përfshirë që nga samiti i Parisit, ku ne si qeveri prezantuam parimet se si e shohim këtë proces të rëndësishëm…. Deri më tani janë organizuar dy takime të nivelit të lartë me Serbinë. Kemi arritur përparim në disa çështje. Kur e nisëm këtë proces, e bëmë të qartë se synojmë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë me Serbinë e mund të arrihet vetëm përmes njohjes reciproke. Nuk jemi të interesuar për zgjidhje afatgjatë, por zgjidhje të përhershme e kjo arrihet vetëm përmes njohjes reciproke”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat