​Banorët në Prekaz: Komandanti Adem Jashari është simbol i kombit, turp për Specialen që kërkoi fakte kundër tij

Aktuale

​Banorët në Prekaz: Komandanti Adem Jashari është simbol i kombit, turp për Specialen që kërkoi fakte kundër tij

Më: 11 shtator 2020 Në ora: 18:39
Prekaz

Banorët në Prekaz dhe vizitorët në kompleksin memorial “Adem Jashari” e quajnë absurde çështjen e dosjeve të cilat ditë më parë u lan në zyrat e OVL-UCK-së e që po pretendohet se janë të Gjykatës Speciale, e ku thuhet se Task-Forca Speciale ka kërkuar dëshmi e fakte në Serbi edhe kundër komandantit legjendar, heroit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari.

Qytetarët në vend vlerësojnë se Adem Jashari mbetet simbol i popullit shqiptarë për liri në luftën e fundit në Kosovë.

Banori i fshatit në Prekaz, Bilall Jashari thotë pse është për çudi tash e 21 vjet Kosova nuk arriti të bëjë asgjë për gjykimin e gjenocidit serb në Kosovë, ndërsa Serbia gjykon luftëtarët dhe dëshmorët tanë.

Ai thotë se komandanti Adem Jashari mbrojti pragun, familjen dhe popullin e Kosovës.

Jashari: Komandanti Adem Jashari mbrojti pragun e shtëpisë

“Qe 21 vjet ne s’bëmë asgjë për veten, ndërsa Serbia po bën për veten. Po akuzohen njerëzit e vrarë në luftë këtu në lagjen tonë, komandanti Ademi me tërë familjen, 59 anëtarë të lagjes të vrarë. Kurse Serbia akuzon njerëz të vrarë. Serbia ka ardhur këtu ka luftua, ne s’kemi shkuar në Serbi me luftua, megjithatë, (shteti ynë) këta tonët fjetën, Serbia e shfrytëzojë këtë mundësi. Dhe tash me u akuzua një dëshmorë, një hero pse ka mbrojtur pragun e shtëpisë së vet, kjo nuk ka ndodhë askund në botë”, theksoi Jashari.

Njëri nga vizitorët në kompleksin memorial në Prekaz, Isak Muhadini thotë se komandanti Adem Jashari është simbol i popullit shqiptar, dhe është turp për Gjykatën Speciale nëse ka kërkuar fakte kundër tij.

Muhadini: Adem Jashari është simbol i kombit shqiptar

“Është gabim i madh për Gjykatën Speciale që akuzon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. UCK nuk ka bërë krime, ka mbrojt popullin e vet, vendin e vet. Krejt bota e dinë për krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë. Shihe këtë familje, këta i ka vrarë Serbia. Ka masakrua pleq, burra gra dhe fëmijë.... Adem Jashari është simbol i krejt popullit shqiptarë, i cili ka dhënë shumë për këtë popull, për këtë atdhe. Ademi nuk është kriminel, është hero i kombit shqiptarë. Ka mbrojt pragun e vet, familjen e vet”, theksoi Muhadini.

Edhe Milazim Halilaj thotë se pretendimet e Gjykatës janë të gabuara dhe për këtë fajtor janë edhe krerët e institucioneve të Kosovës.

Halilaj: Është gabim nga Specialja

“Lufta e jonë u kanë e pastër. Është gabim prej Gjykatës Speciale, kanë qenë ushtarë të shenjtë, kanë dhënë shumë për popullin. Sa i përket Gjykatës Speciale, unë më shumë i fajësoj të tonët (përfaqësuesit e shtetit). Është një gabim i madh, fatal që ndiqen ushtarët tanë, heronjtë tanë”, thotë ai.

Përderisa familjarë të komandantit Adem Jashari nuk kanë folur për këtë çështje.

Në njërën prej këtyre dosjeve që po qarkullon në media për të cilën OVL-UÇK pretendon se i takon Gjykatës Speciale, thuhet se Task Forca hetuese në kuadër të Speciales ka kërkuar dëshmi e fakte në Serbi kundër Adem Jasharit.

Ditë më parë një person i pa njohur ka dorëzuar dosje në zyrat e OVL-UCK në Prishtinë ku përmendej edhe emri i komandantit legjendar Adem Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat