Thellohen përçarjet e koalicionit, Mustafa i reagon ministrit të AAK-së

Aktuale

Thellohen përçarjet e koalicionit, Mustafa i reagon ministrit të AAK-së

Nga: A.Zh Më: 13 shtator 2020 Në ora: 17:38
Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, ka sqaruar se ai nuk i jep udhëzime rreth dialogut kryemininistrit nga kjo parti Avdullah Hotit.

Mustafa teksa ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Drejtësisë Selim Selimi, se në punët e jashtme Hoti do të udhëzohet nga tre liderët politik, ka thënë se ato janë ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit.

Sipas Mustafës, ai vetëm konsultohet me kryeministrin dhe partnerët e koalicionit qeverisës, që dialogu të zhvillohet në suaza të parimeve siç janë pajtuar, përcjell Bota sot.

Reagimi i tij i plotë:

Duhet te sqarohem lidhur me disa deklarata që po ipen rreth dialogut dhe rolit tim dhe të liderëve tjerë të koalicionit qeverisës.

Unë, si Kryetar i LDK-së nuk i jap udhëzime Kryeministrit Hoti. Unë konsultohem me Kryeministrin dhe partnerët e koalicionit për dialogun dhe për çështjet e tjera programore. Kërkoj dhe do të kërkoj të implementohet Programi qeverisës, kurse dialogu të zhvillohet në suaza të parimeve për të cilat jemi pajtuar.

Preferoj të kemi konsultime të rregullta dhe përmbajtësore me partnerët e koalicionit dhe me Kryeministrin, por edhe ta respektojmë Kryeministrit dhe ti besojme që ai ta kryej detyrën e tij.

Tezat, që po i proklamon Ministri i Drejtësisë, se Kryeministri do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, kurse në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politik, për mua janë ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit dhe qeverisë, prandaj edhe të papranueshme.

Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës; Qeveria dhe Kryeministri i përgjigjen Kuvendit të Kosovës. IM

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat