Dialogu në Bruksel, me “diskrecion” apo me mungesë transparence?

Aktuale

Dialogu në Bruksel, me “diskrecion” apo me mungesë transparence?

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 08:35
Bruksel, 7 shtator, 2020.

Praktika e mostransparencës lidhur me negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut në Bruksel, po vazhdon edhe në fazën e tanishme, kur palët tashmë kanë theksuar se për disa tema kanë harmonizuar qëndrimet, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Jeta Krasniqi dhe Blerim Vela.

Dialogu në mes palëve në Bruksel është ripërtërirë më 16 korrik dhe ai po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

Më këtë rast, sipas deklaratave të të dyja palëve, janë hapur temat për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore, ndërkaq janë harmonizuar qëndrimet lidhur me çështjen e të pagjeturve, personave të zhvendosur si dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pati theksuar atëherë se palët kishin përparuar drejt hartimit të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet dy vendeve, me qëllim të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me njohje të ndërsjellë.

Paraprakisht, më 5 dhe 6 shtator, në Bruksel kanë biseduar ekipet e ekspertëve të Kosovës dhe të Serbisë, të drejtuara nga koordinatori shtetëror i Kosovës për dialog me Serbinë, Skender Hyseni dhe drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq. Ky ishte takimi i katërt me radhë i dy delegacioneve në nivelin e ekspertëve, ku palët është dashur të përafrojnë qëndrimet për çështjet që ishin hapur në nivelin e lartë politik.

Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në proces të negociatave gjithmonë ekziston baraspesha ndërmjet konfidencialitetit dhe transparencës. Sipas saj, kjo është e dukshme edhe në dialogun që po ndodh në Bruksel. Por, siç thotë ajo, në këtë proces nuk po shihet ajo për të cilën ka folur ndërmjetësuesi i tij, Mirosllav Lajçak, i cili ka kërkuar nga të dyja palët që të përgatisin shoqëritë e tyre rreth marrëveshjes. Kjo për arsyen, sipas saj, që të ketë informim të qytetarëve dhe të ndërtohet një mbështetje nga ta për procesin.

“Kjo mbështetje e qytetarëve rreth procesit është vështirë të arrihet kur nuk kemi informacione rreth procesit në përgjithësi. Tani ne jemi duke marrë informacione, të cilat janë të pakta dhe i marrim në momentin kur ato nuk janë të vazhdueshme dhe nuk janë në një kornizë më të gjerë. Mungon transparenca, mungon një informim me i rregullt dhe përmbajtësor ndaj qytetarëve. Kjo duhet të ndryshohet, pasi nuk duhet të rrezikohet që të shkohet drejt arritjes së një marrëveshjeje, e cila arrihet dhe më pas do të jetë vështirë të kalohet në kuvend, por do të jetë e vështirë që të ndërtohet edhe një mbështetje e gjerë qytetare për të”, tha Krasniqi.

Analisti i çështjeve politike, Blerim Vela, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që nga viti 2015, është përcjellë me mostransparencë. Kjo praktikë e mostransparencës totale, por edhe e mospërfshirjes së kuvendit në rrjedhat e dialogut, përveç në fazën finale, sipas tij, po vazhdon ende nga Qeveria aktuale e Kosovës.

Por, siç thotë Vela, Bashkimi Evropian ka nxjerrë një mësim nga e kaluara e tillë në Kosovë, kur ka pasur mjaft vështirësi për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Kjo nënkupton që kuvendi dhe opinioni publik duhet të informohet që në fazat e hershme të negociatave, në mënyrë që të mos prodhohen konflikte të mëdha brenda skenës politike.

“Tani mbetet të shihet se a është vetëm një informim që është bërë në fillim rreth strukturës së procesit apo ka pasur edhe diskutime përmbajtësore. Por, gjithsesi është obligimi i qeverisë që ta njoftojë kuvendin dhe opinionin publik me atë se çfarë po ndodh në Bruksel apo në Uashington. Kjo është brengosëse, sepse në qoftë se kërkohet ratifikimi i një marrëveshjeje përfundimtare në kuvend, gjasat janë që kjo qeveri nuk e ka shumicën e mjaftueshme që ta bëjë atë. Pastaj, do të ketë pasoja për Kosovën, qoftë siç ndodhi nga viti 2015, një izolim i vogël që i ndodhi Kosovës apo edhe të kemi përsëritje të skenave që patën ndodhur në vitin 2015 brenda Kuvendit të Kosovës”, theksoi Vela.

Bajram Qerkini, drejtuesi i shoqatës “Zëri i prindërve”, qendër kjo e familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se me gjithë interesimin e familjarëve që i përfaqëson, që të kuptojnë detajet për të cilat janë pajtuar palët në Bruksel, veçanërisht lidhur me temën e të pagjeturve, nuk ka marrë asnjë informacion nga Qeveria e Kosovës.

“Jo fare. Asnjë gjë nuk e dimë. Përveç atyre që i kemi dëgjuar në media. Asnjë gjë nuk dimë e as që të themi se ka qenë dikush apo që ka tentuar të vijë dikush. Ne kemi bërë pyetje dhe kemi kërkuar që të kemi takime. Na kanë thënë që nuk bën të mbajmë takime dhe asnjë fjalë, askush për asgjë nuk na ka informuar se çfarë ka bërë Hoti me Vuçiqin. Nuk dimë asgjë”, theksoi Qerkini.

Palët nuk ofrojnë detaje

Deri më tash, përveç paralajmërimit të temave për të cilat bisedohet, opinioni në Kosovë nuk është i njoftuar për detajet e bisedimeve në Bruksel.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialog me Serbinë, Skender Hyseni, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për “diskrecionin në dialogun që po zhvillohet”.

Në pyetjen se çfarë saktësisht nënkupton tema “pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore”, e cila është paralajmëruar, Hyseni ka thënë shkurt: “Do t’i merrni të gjitha informatat. Ne ende nuk kemi filluar (bisedimet) për këtë temë”.

Lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar: “Ne nuk ofrojmë detaje për përmbajtjen e diskutimeve, përderisa procesi është në vazhdim e sipër”.

Ai udhëzon që t’i referohemi deklaratës së fundit të përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, në të cilën thuhet që të dyja palët kanë arritur përparim në diskutim, por pa dhënë detaje konkrete.

“Në takimet sotme kemi folur për bashkëpunimin ekonomik, për të pagjeturit dhe personat e zhvendosur – tema këto që janë hapur në takimin e fundit në nivelin e lartë (politik). Jam i lumtur që mund të deklaroj që kemi përparuar plotësisht në diskutime”, ka thënë Lajçak.

Ai ka shtuar që për herë të parë, si pjesë e negociatave për marrëveshjen gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, është hapur edhe tema për komunitetet joshumicë dhe për zgjidhjen e pretendimeve të përbashkëta financiare dhe pronësore.

“Takimi ynë i ardhshëm do t’i përkushtohet këtyre dy temave”, ka porositur Lajçak.

Vela: Kosova rrezikon të gjendet para aktit të kryer

Analistja Krasniqi thotë se procesi i dialogut Kosovë Serbi ende nuk ka arritur te pika e arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Prandaj, sipas saj, marrë parasysh përvojën e kaluar kur marrëveshjet e arritura me proces jotransparet kanë hasur problem për ratifikim në kuvend, si dhe që ta marrin mbështetjen e gjerë të publikut, atëherë Qeveria e Kosovës, duhet ta ndryshojë qasjen.

“Ky proces duhet të ndërtohet në një format tjetër sepse është një proces, i cili – e kemi parë edhe në të kaluarën – nuk mund të shkojë në formatet ku të gjitha diskutimet bëhen brenda një rrethi të ngushtë dhe ndërtohen vetëm nga një rreth i ngushtë i njerëzve. Duhet të ketë më shumë gjithëpërfshirje, në mënyrë që (marrëveshjet) të jetë afatgjate dhe në mënyrë që të jenë të zbatueshme. Për ne nuk është e rëndësishme marrëveshja, por që nëpërmes marrëveshjes t’i arrijmë qëllimet tona”, theksoi Krasniqi.

Analisti Vela, shpreh mendimin që Qeveria e Kosovës, bazuar nga praktika e deritashme, po tenton t’i mbajë në heshtje përballë opinionit të gjitha detajet e negociatave në Bruksel, deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, pavarësisht nëse spektri politik dhe opinioni publik pajtohen ose jo me të.

“Unë mendoj që Qeveria e Kosovës, me këtë qasje, rrezikon që ta vendosë veten, por edhe Kosovën, para aktit të kryer. Për vet faktin se në njërën anë nuk ka mbështetje të gjerë politike për ta shtyrë përpara procesin negociator në mënyrë efektive, thjesht, qëndrimi i tyre në pushtet varet nga vet procesi negociator. Pra, duke qenë pjesë e procesit negociator, ata vazhdojnë të jenë relevantë në skenë dhe të mbesin në pushtet”, u shpreh Vela.

Ndonëse, fillimisht, në vitin 2011, ishte paralajmëruar që Kosova dhe Serbia do të kenë dialog teknik, të cilin do ta udhëheqin grupet punuese të të dy vendeve, në fund të vitit 2012, ka nisur dialogu politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Deri më tash, në kuadër të këtij dialogu, janë arritur 23 marrëveshje në nivelin teknik dhe politik.

Marrëveshja e parë, që ishte arritur në vitin 2011, ishte për librat e amzës dhe më pas ishte nënshkruar edhe marrëveshja për lirinë e lëvizjes.

Pasuan edhe marrëveshjet tjera, për vulat doganore, për pranimin e diplomave, menaxhimin e integruar të kufijve, përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, telekomunikacionin dhe vizitat zyrtare, për energjetikën, gjyqësorin etj. Por, këto marrëveshje, nuk janë zbatuar të gjitha në terren./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat