Zhvillime në koalicion, AAK i jep përkrahje Haradinajt për ta bërë këtë gjë

Aktuale

Zhvillime në koalicion, AAK i jep përkrahje Haradinajt për ta bërë këtë gjë

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 11:23
Ramush Haradinaj

Ekipi dialogues i Kosovës në procesin e negociatave me Serbinë mund të pësojë ndryshime të vogla. Dy ministrat e AAK-së, ai i Drejtësisë, Selim Selimi, dhe ajo e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj,  me gjasë s’do të jenë më pjesë e dialogut. Në vend të tyre pritet të shkojë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Me përplasje, polemika e çarje është karakterizuar puna e koalicionit qeverisës deri sot në Kosovë. AAK tash e sa kohë po e akuzon LDK-në dhe kryeministrin Hoti,  se e ka lënë këtë parti anash në procesin e dialogut. Si rrjedhojë, AAK ka paralajmëruar tash e disa herë edhe daljen nga qeveria.

Por gjërat mund të ndryshojnë ditëve në vijim. Në media mbrëmë u raportua se është kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ai që ka kërkuar që  të jetë vet pjesë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në vend të dy ministrave të partisë së tij.

Media sot gjatë ditës ka tentuar të marrë një përgjigje nga ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, dhe zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri në lidhje me këtë çështje, mirëpo që të njëjtën nuk e ka marrë.

E një zyrtar i lartë i AAK-së, ka thënë se nuk ka ndonjë informacion për ndonjë kërkesë zyrtare të Haradinajt për pjesëmarrje në dialog.

Siç është thënë, nëse një gjë e tillë është kërkesë dhe dëshirë e Haradinajt, ai do ta ketë edhe përkrahjen e anëtarëve tjerë.

“E kemi pasur mbledhjen e Këshillit Drejtues mirëpo një gjë e tillë nuk është diskutuar, s’kam ndonjë informacion. Natyrisht se nëse kjo ndodhë, do të ishte mirë edhe për Kosovën, ngase Haradinaj e ka përvojën e duhur edhe në dialog, dhe do ta kishte përkrahjen e AAK-së”, ka thënë ky zyrtar.

Megjithatë, në lidhje me këtë çështje nuk është deklaruar ende kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit, ka pasur përplasje jo fort të buta me kryeministrin Hoti edhe para nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington.

Madje, Haradinaj kishte “kërcënuar” me largim nga koalicioni, nëse nuk ndryshohet apo hiqet tërësisht pika e marrëveshjes që fliste për Liqenin e Ujmanit.

Haradinaj edhe në të kaluarën ka qenë pjesë e dialogut dhe takimeve të nivelit të lartë me Serbinë, bashkë me presidentin Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat