AAK: Për Asociacionin të vendoset në Prishtinë dhe jo mbi dëshirat e Beogradit

Aktuale

AAK: Për Asociacionin të vendoset në Prishtinë dhe jo mbi dëshirat e Beogradit

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 20:20
AAK

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, sot tregoi se nesër në Bruksel pala serbe pikë të parë të diskutimit do ta ketë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duke bashkëngjitur edhe pikat e marrëveshjes së vitit 2013 për këtë çështje.

Rihapja e kësaj teme që Gjykata Kushtetuese kishte thënë se është në kundërshtim me Kushtetutën në shtatë kapituj e saj ngjalli debat në mes udhëheqësve politikë në Kosovë. Shumë prej tyre po kërkojnë që të mos flitet në Bruksel sërish për këtë temë.

Por, kryeministri Avdullah Hoti është pajtuar që të rikthehet kjo temë duke thënë se duhet treguar seriozitet në marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë.

Partneri i tij në koalicion, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pajtohet vetëm nëse ky mekanizëm krijohet në bazë të asaj që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese.

Zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka, tha se për këtë çështje duhet të vendoset në Kosovë përmes Kuvendit dhe jo me dëshirat e Beogradit.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është shumë i qartë. Nëse një organizëm i tillë themelohet, Kushtetuesja ka vendosur rregulla të qarta. Republika e Kosovës është shtet që rregullohet nga Kushtetuta e saj, për ndryshimin e së cilës vendos Kuvendi me shumicë të cilësuar. Pra, është një çështje për të cilën vendoset në Prishtinë, nga përfaqësuesit e popullit, e jo nga dëshira e përfaqësuesve të Beogradit apo e kujtdo tjetër”.

Presidenca e Kosovës e cilësoi të rrezikshme dhe kthim prapa për Kosovën diskutimin e Asociacionit kur është diskutuar dy-tri herë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat