Berisha: Kur ndërtuam Rrugën e Kombit lobova që kjo rrugë të shtrihet Prishtinë-Nish

Aktuale

Berisha: Kur ndërtuam Rrugën e Kombit lobova që kjo rrugë të shtrihet Prishtinë-Nish

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 21:10
Sali Berisha

Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e cilësoi marrëveshjen e Washingtonit si historike, duke thënë se bazohet në doktrinën e Donald Trump, sipas së cilës, ekonomia mund t’i përmirësojë raportet mes shteteve.

“Marrëveshja e Washingtonit është marrëveshje historike për vetë vendin ku është firmosur, për vetë praninë e presidentit të SHBA-së në atë akt dhe për një seri faktorësh të tjerë. Natyrisht, ajo marrëveshje kërkon zbatim dhe domosdoshmërisht nuk duhet të pësojë fatin e marrëveshjeve të tjera, por duhet të zbatohet dhe në këtë kontekst nuk them se nuk ka një lloj ndikimi thuajse të sigurt rezultati i zgjedhjeve të nëntorit në SHBA. Por, marrëveshja bazohet në doktrinën e Donald Trump, sipas të cilit, marrëdhëniet intensive stabile ekonomike ndikojnë në përmirësimin e klimës dhe marrëdhënieve politike. Ky është një leksion i përsëritur me dhjetëra, mos qindra herë, në historinë e marrëdhënieve midis vendeve të paktën në 100 vitet e fundit – dhe në këtë kontekst unë e quaj këtë një hap të padiskutueshëm pozitiv, edhe si ide”.

“Habitem me disa komente të skeptikëve të kësaj marrëveshje. Marrëveshja e zbatuar do të thotë Kosova me një infrastrukturë ultra-moderne, do të thotë portet e Shqipërisë absolutisht portet më të rëndësishme të rajonit, ashtu siç janë nga natyra”.

“Ka një element të rëndësishëm për popullin shqiptar. Marrëveshja ka shtruar si pikë kryesore të pagjeturit të cilët janë me mijëra shqiptarë, ndërkohë që Beogradi e ka formuluar një dosje me 300 ose 400 emra pa dokumente, por për mua është tepër e rëndësishme gjetjen e atyre që janë zhdukur nga barbaritë serbe që kanë ndodhur në Kosovë”.

Duke folur për pikën 2 të marrëveshjes, e cila parasheh një studim të përbashkët fizibiliteti mbi opsionet për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në Adriatik, Berisha në një intervistë ekskluzive në Rubikon të Klan Kosovës tha se kjo pikë e marrëveshjes është jashtëzakonisht e rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe lidhjet e tyre me Evropën Qendrore.

Ai madje tha se për një ide të ngjashme edhe ai kishte lobuar kohë më parë.

“Kur ndërtuam Rrugën e Kombit publikisht dhe privatisht kam lobuar që kjo rrugë të shtrihet Prishtinë-Nish dhe këto janë me dokumente. Që në atë kohë jam përpjekur dhe kam lobuar për hekurudhën Durrës-Prishtinë. Ka ekzistuar projekti austro-hungarez, i vitit 1917, i lidhjes së Kosovës me hekurudhë me Shqipërinë që kalonte Pejë-Shkodër që edhe sot janë pykat e trajektores së asaj hekurudhe. Unë u përpoqa të gjeja mos kishte ndonjë projekt në arkivat e hekurudhës austriake, por nuk gjeta gjë. Sidoqoftë ajo hekurudhë është rimarrë tani me shumë seriozitet nga Qeveria Hoti, dhe edhe para Washingtonit kjo qeveri e ka vendosur si çështje kryesore në agjendën e bashkëpunimit me Shqipërinë. Një hekurudhë e tillë është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për portet e Shqipërisë”.

“Natyrisht është absurde të mendosh se Kosova dhe Shqipëria ndërtojnë një infrastrukturë për të përjashtuar vendet tjera, qoftë edhe Serbinë. Nuk ndodh kjo në botë. Nga kjo hekurudhë dhe nga ky korridor që ndërtojnë Shqipëria dhe Kosova përfitojnë Serbia, Bullgaria, si një pjesë e Hungarisë dhe Rumanisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat