Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës Kosovë-Serbi

Aktuale

Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës Kosovë-Serbi

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 07:12
Bruksel

Sot në Bruksel do të jetë takimi i radhës ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësimin e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Mirosllav Lajçak.

Ky i fundit ka thënë se në takimin e sotëm temë diskutimi do të jenë pretendimet financiare dhe aranzhimet për komunitetin jo shumicë.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kanë rënë dakord që ekipi negociator të ndjekë këto tema.

“Të dyja temat janë shumë komplekse, për këtë arsye nesër do të diskutojmë për pretendimet financiare dhe aranzhimin për komunitetin jo shumicë në ditët në vijim”, është shprehur ai.

Takimi i sotëm në Bruksel ka ngjallë diskutime të ashpra në Kosovë. Mundësia e riaktualizimit të asociacionit serb në dialogun me Serbinë konsiderohet e rrezikshme nga presidenti, opozita dhe shoqëria civile.

Ani pse kryeministri Hoti tha se të enjten nuk do të hapet kjo temë, Lëvizja Vetëvendosje thotë se do të rezistojnë kundër jetësimit të “Zajedincës”. Ndërkohë kërkohet edhe largimi i kësaj teme nga dialogu i Brukselit ose në rastin më të keq, pozicioni i palës së Kosovës të mos del jashtë vendimit të Kushtetueses.

Ndërkohë, presidenti Hashim Thaçi kërkoi nga Kuvendi përmes rezolutës t’i ndalojë të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës.

“Diskutimi për asociacionin në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Por, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se në kryeqytetin evropian nuk do të diskutohet asociacioni.

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se 23 nene të marrëveshjes për asociacionin janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat