​Mbahet seanca gjyqësore për vrasjen e 11-vjeçarit Kujtim Veseli, avokatja jep detajet

Aktuale

​Mbahet seanca gjyqësore për vrasjen e 11-vjeçarit Kujtim Veseli, avokatja jep detajet

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 12:38
​Mbahet seanca gjyqësore për vrasjen e 11-vjeçarit Kujtim Veseli, avokatja jep detajet

Në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten është mbajtur seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së Kujtim Veselit.

Avokatja e familjes së Kujtimit, Rina Kika pas seancës gjyqësore, e cila është mbajtur me dyer të mbyllura, tha se seanca e radhës është caktuar më datën 5 tetor në orën 10:30.

Kjo seancë është e shqyrtimit kryesor në lidhje me vrasje të rëndë të Kujtim Veselit nga personi me inicialet S.O.

Kika: Policia dhe Prokuroria e Kosovës të kërkojnë falje për neglizhim të rastit

"Ky proces gjyqësor është vetëm një nga segmentet e rastit të Kujtim Veselit. Ne e kemi lansuar një peticion me tri kërkesa. Kërkesa e parë është që Policia dhe Prokuroria e Kosovës të kërkojnë falje për neglizhimin e rastit. Pasi që vrasja e tij dhe dhunimi i tij kanë qenë të parandalueshme sikur të ishin marrë veprimet adekuate për mbrojtjen e këtij fëmije, i cili është lënë pas dore dhe nuk është trajtuar rasti sipas ligjit dhe dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe standardeve të mbrojtjes së drejtave të njeriut. Kërkesa jonë e dytë është që ndaj prokurorëve dhe zyrtarëve policorë, të cilët kanë qenë përgjegjës për rastin të zhvillohet një procedure penale ku hetohet përgjegjësia e tyre penale për neglizhimin e rastit. Ndërkaq kërkesa jonë e tretë është që të ketë një kompensim për shkeljen e të drejtave të njeriut nga Qeveria e Kosovës. Qeveria tashmë ka nxjerrë disa vendime ku e ka vendosur që të kompensojë viktimat e dhunës dhe viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut", tha ajo.

Avokatja e familjes së Kujtim Veselit theksoi se ende nuk kanë marrë përgjigje nga këto tri institucione në lidhje me këto kërkesa, për çka shtoi se procesi gjyqësor i cili është zhvilluar sot është vetëm një segment i rëndësishëm i asaj çfarë ka ndodhur e që sipas saj, ka pasur mundësi të parandalohej kjo vrasje.

Kika: Dënimi për vrasësin e Kujtimit të jetë maksimal

"Ne kemi kërkuar që dënimi të shqiptohet ndaj personit me inicialet S.O. dhe të jetë maksimal. Pasi që konsiderojmë se vepra penale e kryer është kryer me dashje. Vrasje dhe dënimi janë kryer në me dashje në rastin e Kujtimit. Dhe ne kemi kërkuar që gjykata të veprojë sipas ligjit ta shpallë fajtor personin me inicialet S.O., dhe ta dënojë sipas ligjit. Ne, po ashtu, kemi kërkuar nga gjykata që të mos na udhëzojë në proces civil në lidhje me kompensimin nga vepra penale, por që të nxjerrë urdhër dhe atë urdhër t'ia përcjellë komisionit për kompensimin e krimit", u shpreh ajo.

Ndër tjera, avokatja Kika shtoi se aktualisht janë të kënaqur me prokuroren e rastit, mirëpo ajo ka kërkuar që prokuroria të bashkëpunojë më shumë në lidhje me procedurat që janë zhvilluar më herët.

Kika: Kjo aktakuzë do të trajtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë

"Dje, pas disa kërkesave që i kemi dorëzuar në prokurori jemi njoftuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur një kërkesë tjetër ndaj personit me inicialet S.O. për dhunimin e Kujtimit në janar të vitit 2019. Kjo aktakuzë do të trajtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për të Mitur", theksoi ajo.

Kujtim Veseli dyshohet të jetë dhunuar seksualisht dhe pastaj u gjet i vdekur në Fushë Kosovë. 11-vjeçari është gjetur i vdekur më 11 korrik të vitit të kaluar në lagjen "Xhemail Mustafa", në Fushë Kosovë./Sh.Pajaziti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat