Dy dënime me burgim të përjetshëm u dhanë për burra që vranë gra, por ato i hodhi poshtë Supremja

Aktuale

Dy dënime me burgim të përjetshëm u dhanë për burra që vranë gra, por ato i hodhi poshtë Supremja

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 12:19
Ilustrim

Dy dënime me burgim të përjetshëm janë dhënë nga Gjykata e Apelit për dy burra që kanë vrarë gra, por më pas ato janë prishur nga Gjykata Supreme.

Pjeter Nrecaj që vrau gruan dhe vajzën dy vite më parë, nga dënimi me burgim të përjetshëm u dënua ditë më parë me vetëm 24 vite e gjashtë muaj nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

Edhe Naser Pajazitaj ishte dënuar me dënim maksimal nga Gjykata e Apelit pasi ishte gjetur fajtor për vrasjen e kushërirës së tij Donjeta Pajazitaj në vitin 2015 në bjeshkët e Strellcit të Deçanit.

Më pas, Supremja i kishte hedhur poshtë dy aktgjykimet, atë të Gjykatës Themelore të Pejës dhe të Gjykatës së Apelit.

Tani, Naser Pajazitaj do të gjykohet edhe njëherë lidhur me akuzat për vrasjen e Donjetës.

Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i të ndjerës, tha për Objektiv se pret që kushëriri i tij i akuzuar për vrasjen e motrës të marrë prapë dënim me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Ferizajt e cila do ta trajtojë këtë rast.

“Rasti tani po rigjykohet për të tretën herë po presim që dënimi të jetë i njëjtë sikur herën e kaluar nga gjyqtari Kreshnik Radoniqi. Shpresojmë se edhe Ferizaji të punoj ne mënyrë të drejt dhe  t’i vlerësoj provat ne mënyrë të mirë. Ka fakte të mjaftueshme, po vetëm po presim e shpresojmë që kësaj here të zbulohet arsyeja edhe ndonjë bashkëpunëtor. Edhe pse motra nuk ngjallet, por sadopak do të na lehtësonte dhimbjen”, tha Pajazitaj.

Pajazitaj tha se në shtëpinë ku tani po jetojnë me familje në Pejë kanë ardhur disa letra të cilat ia kanë dërguar edhe Prokurorisë.

“Tash do të merren në pyetje persona te cilët kanë dërguar letra në banesën tonë në Pejë si dhe ne shtëpi ne Strellc. Gjithashtu, këto letra ua kemi dërguar edhe Prokurorisë së Pejës, kinse këta persona janë në dijeni për krejt ngjarjen si dhe çfarë i ka ndodhur Donjetës si dhe kush e ka vrarë. Poashtu në ato letra shkruhet se një person tjetër e kishte lenë Donjetën shtatzënë e kinse e ka paguar Naserin për ta vrarë në mënyrë qe mos ta merr vesh gruaja e tij”, shton Pajazitaj.

E për prishjen e vendimeve të gjyqtareve të Apelit për burgim të përjetshëm nuk mund të merren masa disiplinore ndaj tyre.

Sipas kryetarit të kësaj gjykate Hasan Shalës, kjo gjë është e rregulluar me ligjin për disiplinimin e gjyqtareve.

“Çështja e masave dispilinore janë përcaktuar saktë me Ligjin për Disiplinimin e Gjyqtarëve dhe Prokuroreve, nëse një gjyqtar gabon disa herë dhe i prishen lëndët shumë atëherë komisioni i përformancës është ai që vlerëson punën profesionale të tij, nëse ai e vlerëson që nuk ka të arritura e obligon me mbajt trajnime”, theksoi Shala.

Në anën tjetër, jurisit Mentor Beqiri konsideron se vendimet e gjyqtareve të Supremes për dy rastet në fjalë janë sipas bindjes së lirë të tyre.

“Kodi Penal i Republikës së Kosovës, parasheh se dënimi me burgim të përjetshëm, në asnjë moment nuk mund të llogaritet si dënimi i vetëm për një vepër penale – pra ligjvënësi i ka lënë në dorë Gjykatësit, që edhe për veprat më të rënda penale, vet gjykatësi të zgjedh a do të dënoj me burgim të përjetshëm, apo me burgim me vite të caktuara, personin e akuzuar. Nëse e shohim në aspektin juridik, në rrethanat e tilla, vlen bindja e lirë e Gjykatësit i cili ka vendosur për rastin, qoftë në Gjykatën e Apelit, qoftë në Gjykatën Supreme. Pra, juridikisht, të dy Gjykatat kanë pasur mundësi të vendosin siç kanë vendosur, pasi që në ato rrethana ka vlejtur bindja e tyre e lirë”, përfundoj Beqiri.

Sipas Beqirit, në Kodin Penal të Kosovës, për shqiptimin e burgimit të përjetshëm nuk është paraparë si kusht i domosdoshëm që vepra të jetë kryer me dashje, pra edhe nëse vepra penale është kryer pa dashje, nëse vepra është e rëndë dhe ka pasoja të rënda dhe kryhet në rrethana rënduese, dënimi me burgim të përjetshëm mund të shqiptohet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat