Të gjitha përplasjet Veliu-Vetëvendosje gjatë seancës së djeshme të Kuvendit

Aktuale

Të gjitha përplasjet Veliu-Vetëvendosje gjatë seancës së djeshme të Kuvendit

Më: 19 shtator 2020 Në ora: 08:06
Agim Veliu

Ministri i Punëve të Brendshme është thirrur dje në interpelancë, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës. Gjatë kësaj seance, Veliu është përplasur verbalisht disa herë me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Duke raportuar për hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, Veliu tha se kanë pasur disa kërkesa për KFOR’in sa i përket patrullimit të përbashkët me ushtrinë serbe në vijën kufitare.

Veliu ka thënë para deputetëve se kanë kërkuar nga KFOR’i që ushtria serbe të mos zbresë shumë poshtë vijës kufitare.

 “Kërkuam që sipas mundësive, ushtria serbe të mos zbresë shumë poshtë vijës kufitare, si dhe që mundësisht të koordinohemi paraprakisht për aksione të tilla”, ka thënë ai, duke shtuar se në ditën kur janë filmuar pamjet, shmangia nga vija kufitare kishte ndodhur për shkak të reshurave.

“Gjatë këtyre aksioneve mund të ndodhë edhe shmangja nga vija e kufirit, si atë ditë që kishte pasur të reshura”, ka thënë ai.

“U potencua edhe bërja e gabimeve njerëzore. Shiu kishte krijuar përshtypjen se në atë ditë mashtronte vetëm një ushtri, ajo serbe, kur në fakt të pranishëm ishin edhe KFOR’i. këto patrullime ndodhin një muaj më herët dhe gjatë muajit ndodhin 25 të tilla, dhe një numër përafërsisht i njëjtë me palën kosovare”, shtoi Veliu.

Selimi pyet Veliun: A e di se ku i ka kufijtë Kosova?

E menjëherë pas këtyre deklaratave nisën përplasjet me Lëvizjen Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi i quajti skandaloze dhe të papërgjegjshme deklaratat e Veliut. “Sot dëgjuam jo veç deklarata të papërgjegjshme, por pothuajse secila deklaratë kishte një skandal brenda. Si mund të deklaroni si Ministër i Punëve të Brendshme, se atje qytetarët nuk janë të rrezikuar apo të shqetësuar apo akoma më skandaloze deklarata se situata është e qetë dhe nuk ka reagime të banorëve. Thua se ju problemin kryesor e keni shqetësimin e banorëve e jo futjen e forcave serbe në Kosovë”, ka thënë Selimi.

Madje, Selimi e pyeti Veliun nëse e di se ku i ka kufijtë Kosova, derisa e quajti të paaftë dhe të papërgjegshëm.

 “Me aq sa dëgjuam, a do të thotë që Karaçeva si fshat i Kamenicës është Kosovë apo s’është.Sepse me aq sa pamë Policia nuk shkon. A ka shtet në Karaçevë. A është Karaçeva Kosovë a jo, dhe nëse është pse Policia e Kosovës nuk patrullon atje. A e din ku i ka kufijtë Kosova, meqenëse asnjëherë nuk iu referuat si kufi shtetëror. Herë iu referuat si vijë administrative, herë si vend i kontestuar  e herë si kufi që nuk ekziston?”, ka deklaruar Selimi.

Deputeti i VV’së tutje e përmendi edhe shkarkimin e Veliut nga ish-kryeministri Albin Kurti, duke i thënë se është shkarkuar për shkak të paaftësisë.

“Për shkak të paaftësisë është shkarkuar, por tash po del që nuk ka kush e shkarkon. Megjithëse edhe kjo punë ka ilaq. Ta shkarkon shefin, sepse së shpejti edhe ti edhe shefi do të shkarkoheni”, tha Selimi.

Veliu – Vetëvendosjes : Më shkarkoi Kurti, pastaj u shkarkuat ju të gjithë

Këtyre të deklaratave të Selimit dhe të deputetit tjetër të Vetëvendosjes, Arbër Rexhajt, iu përgjigj menjëherë Veliu.

Veliu ka thënë se nuk është strukur e nuk do të struket, pas akuzave të deputetit Rexhaj se në fjalimin e tij ka folur si gazetar lajmesh, jo si ministër.

 “Nuk jam strukë asnjëherë dhe nuk e kam ndërmend me u struk, policia e Kosovës është prezente në Karacevë, përkundër vështirësive., Këto pengesa janë prej vitit 1999 kur shoku i juaj ka qenë Ministër dhe e ka lënë në atë gjendje. Autoritetet kosovare nuk kanë qasje në këtë hapësirë sepse përgjegjësia është e KFOR’it”, ka thënë ai.

Veliu tha edhe se një numër i kazinove në Kamenicë është ndërtuar në kohën e Albin Kurtit sa ishte kryeministër.

“Një numër i kazinove është e vërtetë që funksionojnë atje, po mos harroni se një numër i kazinove janë ndërtuar edhe në kohën e Qeverisjes Kurti. Çështja e problemit me kufi, daton nga viti 1999 dhe i ka përcjellë të gjitha qeveritë, e nuk ëhtë cështje e 7 gushtit”, tha Veliu.

“Nuk e kam ndërmend me u struk, sa për ato çështje që ti përmendi z.Selimi, po ta theksoj edhe njëherë më ka shkarku po jeni shkarku të gjithë”, deklaroi tutje Ministri.

Selimi e quan të paaftë Veliun, ai i thotë i pafytyrë

Shefi i deputetëve të VV’së, Rexhep Selimi vazhdoi prapë përplasjet me Veliun, duke i thënë se është shkarkuar se është i paaftë.

“Ti je shkarku jo për mustaqet që i mbanë po pse je i paaftë, mos e merr për keq, po të them seriozisht, shkarkimi yt do të duhej të ishte shembull edhe tash. Në këtë situatë ku tash është policia edhe ti edhe ne i kishim ndihmu policisë nëse ti nuk do të mbaje peng postin që nuk të takon”, ka thënë Selimi.

Kësaj deklarate të Selimit i është përgjigjur Ministri i Punëve të Brendshme, duke e quajtur të pafytyrë.

“Rexhep unë i baj mustaqet po i pafytyrë si ti s’jam”, ka thënë Veliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat