​Dështon zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të BQK-së

Aktuale

​Dështon zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të BQK-së

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 14:11

(E plotësuar) - Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka dështuar për t’i votuar tri pikat e rendit të ditës që ishin paraparë për sot.

Deputetët kanë dështuar zgjedhjen e dy anëtarëve jo ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për mungesë të votave të mjaftueshme.

Kandidatët e propozuar Ramë Rexha mori 45 vota në raundin e dytë, Nuhi Ahmeti 35 vota, Nexhat Kryeziu 34 dhe Petrit Gashi 25 vota.

Në pikën e dhjetë të rendit të ditës ishte zgjedhja e gjashtë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, e cila po ashtu dështoi për shkak të mos marrjes së votave të mjaftueshme.

Nora Arapi Krasniqi mori në raundin e dytë 48 vota, Lulzim Nika 45, Visar Rafuna 38, Florina Jerliu 36, Kreshnik Bajraktari 31, Zana Rama 30, Ibrahim Gashi 28, Arben Arifi 28, Muhamet Qerimi 27, Arjetë Miftari 24 vota.

Nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci tha se Kuvendi ka vendosur që këto pika të rendit të ditës do të kthehen në pikën zero dhe do të shpallet prapë konkursi.

Ndërkohë, nuk ka kaluar as propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës, për shkak të mungesës së kuorumit.

Ndryshe, seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahen të premten.

LIVE: Krasniqi përplaset me Gashin: Edhe s’i keni numrat, edhe keni arrogancë

Rezolutën që lidhej me interpelancën e ministrit Veliu s'ka kush ta votojë

Mospjesëmarrja në votim e deputetëve ka bërë që të mos kalojë rezoluta e LVV-së e propozuar pas interpelancës së ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Kjo pasi në votim kanë marr pjesë vetëm 23 deputetë.

Në pikën të kësaj rezolute është kërkuar që “Institucionet e Kosovë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe t’i përdorin të gjithë mekanizmat kushtetues e institucional për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

Ndërsa në pikën e dytë është kërkuar që brenda dy muajve të vendoset një nënstacion i Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës.

 ​Përplasje me Arben Gashin e LDK-së, Memli Krasniqi: Edhe s’i keni numrat, edhe keni arrogancë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, thotë se bashkë me deputetin Kujtim Shala kanë shkuar 10-15 herë për të folur me deputetët e PDK’së, për t’ia votuar ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Memli Krasniqi i PDK’së thotë se “kjo nuk është e vërtetë”.

Drejtuesi i deputetëve të LDK’së, bashkë me Kujtim Shalën, thonë se kanë kërkuar nga deputetët e opozitës, konkretisht të PDK’së, që ta votojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë Covid 19.

Krasniqi thotë se nëse vinë dy ose tri herë deputetët e pozitës, i bie se nuk e kanë pasur për t’i bindur.

“Me ardhë dy-tri herë, ajo është me la gojën”.

“Nuk jam i sigurt që këta po duan me kalu ligjin. Ndoshta kanë arsye tjera. As ‘V’ prej vullnetit nuk ka për me i kalu ligjet e Qeverisë”, ka shtuar Krasniqi.  

“Edhe mos me i pasë numrat, edhe me pasë arrogancë…”

Ndërkaq, Gashi ka thënë se kjo gjuhë e Krasniqit është e ashpër, për shkak se është deputet i opozitës dhe “i takon”.

“Unë e di që z. Krasniqi i takon me folë ma ashpër. Por besoj, ai e di për cka po flasim. Unë mendoj që duhet të kalohet ky ligj”, ka thënë Gashi.

Krasniqi më pas i ka kujtuar Gashit planin për rimëkëmbje ekononike të dorëzuar në Kuvend nga PDK’ja në prill të këtij viti.

“Jam duke folur për iniciativën ë PDK’së që është e barazvlefshme me projektligjin tuaj, bile është me e vjetër, se prej 7 prillit kemi kërkuar”, ka thënë Krasniqi.

Haradinaj fton deputetët e Kuvendit që të kalojnë në lexim të parë Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj ka bërë thirrje tek të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të japin votën e tyre që ligji për rimëkëmbjen ekonomike të kalojë në lexim të parë.

Haradinaj ka thënë se ligji duhet të kalojë në lexim të parë e më pastaj mund të amandamentohet.

“Është presion i madh publik që të futet në rend dite ky ligj, dhe kërkojmë që të kalojë në lexim të pare dhe pastaj kushdo që ka vërejtje dhe sugjerime, le ti inkorporojnë gjatë leximit të dytë, është mundësia e amandamentimit”, tha Haradinaj.

Ai ka thënë se ekspertët e ekonomisë e dinë saktësisht peshën e këtij ligji, andaj duhet dhënë votën qoftë edhe kundër që të krijohet një shumicë për të kaluar ky ligj në lexim të parë.

“Thirrja jonë publike për kolegët tanë qofshin të pozitës apo të opozitës është që t’I japim mandat në lexim të parë pastaj në lexim të dytë të shohim se çka mund të ndryshojmë. Edhe vota kundër është votë. Deputetët që janë ekspertë të ekonomisë e dinë saktësisht peshën e këtij ligji, andaj të japim votën qoftë edhe kundër por të krijojmë një shumicë që të kalojë ligji në lexim të parë”, tha Haradinaj.

***

​S’hidhet në votim rezoluta e VV-së për dialogun

Rezoluta e Lëvizjes Vetëvendosje e nxjerrë pas raportimit të kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me dialogun, nuk është hedhur në votim.

Kjo pasi që shefi i Grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se janë në proces të harmonizimit të rezolutës dhe se në momentin që e harmonizojnë do ta vënë në votim.

Arben Gashi kërkon që të përkrahet propozimi për rimëkëmbje ekonomike

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur vazhdimin e seancës plenare të datës 18 shtator.

Shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar nga deputetët që ta përkrahin propozimin për rimëkëmbje ekonomike të propozuar nga Qeveria.

“Unë kam propozuar edhe në seancën e kaluar që të përkrahet ligji i propozuar nga Qeveria dhe brenda këtij ligji të fusim ide të propozuara edhe nga opozita”.

“Nëse është e nevojshme të përkrahim edhe projektligjin për financat publike. Propozimi ynë si LDK është që ta kalojmë sa më shpejt në lexim të parë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike”.

Shtyhet votimi i rezolutës për arsim

Është shtyrë votimi i rezolutës për arsim. Votimi nuk është zhvilluar pasi që Shefi i deputetit të LVV-së Arben Gashi, ka propozuar që kjo rezolutë të shtyhet për votim për një herë tjetër, pasi që ka thënë se kanë vërejtje se si janë formuluar dy pikat e fundit.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se nuk janë thirr për harmonizim të rezolutës.

“Nuk ka pas interesim, të gjitha që janë të shkruara në të janë obligime ligjore që i ka Ministria e Arsimit, ata kanë thirr debat dhe nuk kanë qenë të interesuar që të nxjerrin një rezolutë”, ka theksuar Haxhiu.

Përmbajtja e rezolutës:

Të ndërmarrën të gjitha masat për sigurimin e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve, studentëve, mësimdhënësve dhe në përgjithësi shëndetin publik në shkolla.

Të bëhen publike mënyrat e monitorimit dhe vlerësimit të zhvillimit të procesit mësimor përgjatë pandemisë COVID-19. MASHT së bashku me IKSHPK të bëjë publike për çdo ditë të dhënat nga DKA/Komunat për numrin e të infektuarve në secilën shkollë, në mënyrë që monitorimi i situatës të jetë në shërbim të ndërmarrjes së veprimeve për të kontrolluar gjendjen me COVID-19 në shkollat e Republikës së Kosovës.

Të ofrohen shërbime profesionale mbështetëse për nxënësit dhe mësimdhënësit, në veçanti shërbime profesionale psikologjike, të cilat janë të domosdoshme si rezultat i efekteve negative të COVID-19 në shëndetin psikologjik të nxënësve.

Obligohet Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, që të gjejë forma dhe mënyra për të rritur numrin e psikologëve në institucionet e arsimit parauniversitar.

Obligohet ministri i Arsimit, që të raportojë me shkrim, dy herë në javë me shkrim dhe një herë në muaj me prezencë fizike, në Komisionin për Arsim, në lidhje me zbatueshmërinë e masave për sigurimin e shëndetit dhe mirëqenien e studentëve, fëmijëve, mësimdhënësve dhe shëndetin publik në shkolla në komisionin Parlamentar për Arsim.

Obligohet Ministria e Arsimit që të ndalë veprimet e paligjshme të Komunës së Dardanës, si dhe inspektorati i arsimit, të vlerësojë dhe inspektoj procesin e ashtuquajtur “reforma arsimore” në komunën e Kamenicës, duke u bazuar në legjsilacionin në fuqi, kapacitetet e komunës për të ofruar arsim cilësor, si dhe duke pas për bazë rekomandimet e avokatit të popullit për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Një minutë heshtje në nderim të Ahmet Kransiqit

Vazhdimi i senacës plenare e Kuvendit të Kosovës me pikat e mbetura, sot ka nisur duke mbajtur një minutë heshtje në nderim të 21 vjetorit të heroit, Ahmet Krasniqi.

Kërkesën e bëri shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat