Kosova dhe SHBA pajtohet për përshpejtim të investimeve amerikane

Aktuale

Kosova dhe SHBA pajtohet për përshpejtim të investimeve amerikane

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 20:32
Avdullah Hoti, Adam Boehler dhe Richard Grenell

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një deklaratë ku zotohen për realizimin e projekteve që burojnë nga marrëveshja për normalizim ekonomik me Serbinë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) nënshkruan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës ata mirëpresin "përfundimin e shpejtë të një Marrëveshjeje të Re për Nxitjen e Investimeve Kosovë-SHBA".

"Marrëveshja e re e Stimulimit të Investimeve Kosovë-Shtetet e Bashkuara parashikohet të sigurojë qasje në gamën e plotë të mbështetjes për investime të nga Korporata Ndërkombëtare e Financave e Zhvillimit të SHBA-së", thuhet në deklaratë.

"Pas normalizimit historik ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës të rënë dakord më 4 shtator, Kosova dhe SHBA-ja synojnë të avancojnë negociatat, pas datës së hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së re për Nxitjen e Investimeve Kosovë-SHBA, në lidhje me projekte të rëndësishme", thuhet në dokument.

Pjesë e delegacionit të qeverisë amerikane i cili po qëndron në Prishtinë ishte edhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Ai tha se "popullit të Kosovës i janë bërë shumë premtime dhe ajo që ne po mundohemi të bëjmë është të bëjmë premtimin se zbatimi i marrëveshjes është ajo që do të ndodhë".

"Ne shpresojmë se zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës do të ndryshojë pejsazhin politik të rajonit. Presidenti Trump me tha shko dhe arrije një marrëveshje që bazohet në krijimin e vendeve të punës", tha Grenell.

Ai tha se në muajt e ardhshëm, nga Shtetet e Bashkuara, do të vijë një ekip për të krijuar dy studime fizibiliteti për krijimin e vendeve të punës.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha e marrëveshja e nënshkruar tregon seriozitetin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump në realizimin e marrëveshjes së arritur më 4 shtator.

"Kishim bisedë të gjerë dhe detajizuar për gjitha pikat e marrëveshjes. Do të lëvizim shpejt për realizimin e kësaj marrëveshjeje", tha Hoti, sipas të cilit projektet që do të realizohen do të krijojnë mijëra vende të reja pune do ta shëndrrojë Kosovën dhe rajonin në rajon më të integruar në infrastrukturë dhe ekonomi.

Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) tha se vizita e delegacionit amerikan në Kosovës është e paprecedent për shkak të përbërjes së tij me përfaqësues të gjashtë agjencive amerikane.

Kjo vizitë në Kosovë ndodhë pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpine e Bardhë në Uashington më 4 shtator, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Grenell, të dielen mbrëma, përmes Twitterit ka deklaruar se "zbatimi i marreveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është prioritet i administratës së presidentit Trump".

Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, ndër të tjera, është arritur pajtueshmëri që Kosova dhe Serbia, të punojnë me Koorporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.

Nga Prishtina, delegacioni amerikan pritet të udhëtojë në Beograd, ku DFC do të hapë zyrën e vet. Më pas delegacioni do të vizitojë Greqinë dhe Izraelin.

Para fillimit të ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ndarë Medaljen presidenciale të Meritave, të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, për “meritat e tij të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Uashington”./Rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat