​Dështon zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të BQK-së

Aktuale

​Dështon zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të BQK-së

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 20:55
Foto ilustrim

Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka dështuar për t’i votuar tri pikat e rendit të ditës që ishin paraparë për sot.

Deputetët kanë dështuar zgjedhjen e dy anëtarëve jo ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për mungesë të votave të mjaftueshme.

Kandidatët e propozuar Ramë Rexha mori 45 vota në raundin e dytë, Nuhi Ahmeti 35 vota, Nexhat Kryeziu 34 dhe Petrit Gashi 25 vota.

Në pikën e dhjetë të rendit të ditës ishte zgjedhja e gjashtë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, e cila po ashtu dështoi për shkak të mos marrjes së votave të mjaftueshme.

Nora Arapi Krasniqi mori në raundin e dytë 48 vota, Lulzim Nika 45, Visar Rafuna 38, Florina Jerliu 36, Kreshnik Bajraktari 31, Zana Rama 30, Ibrahim Gashi 28, Arben Arifi 28, Muhamet Qerimi 27, Arjetë Miftari 24 vota.

Nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci tha se Kuvendi ka vendosur që këto pika të rendit të ditës do të kthehen në pikën zero dhe do të shpallet prapë konkursi.

Ndërkohë, nuk ka kaluar as propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës, për shkak të mungesës së kuorumit.

Ndryshe, seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahen të premten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat