Pupovci: Në arsim nuk janë bërë përgatitje për valën e dytë të Coronavirusit

Aktuale

Pupovci: Në arsim nuk janë bërë përgatitje për valën e dytë të Coronavirusit

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 10:26
Foto Ilustrim

Në Kosovë tashmë kanë filluar përgatitjet për një valë të re të coronavirusit, ku është paralajmëruar se po bëhet gati spitali me 500 shtretër, por përgatitje nuk janë bërë sa i përket procesit të mësimit.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci ka thënë se nuk ka ndonjë përgatitje të veçantë për skenarin C të Ministrisë së Arsimit e Shkencës, i cili parasheh mësimin në distancë në rast të përkeqësimit të situatës me COVID-19.

“Unë nuk po shoh që ka ndonjë përgatitje të veçantë për mësimin në distancë, përveç që janë bërë disa regjistrime të njësive mësimore dhe po vazhdon regjistrimi i tyre, mirëpo regjistrimi i njësive mësimore dhe emetimi i tyre është për raste emergjente, ndërkaq në këtë situatë, mendoj se është dashur të krijohet një situatë më e rregullt”, thotë Pupovci.

Sipas Pupovcit, situata e krijuar tani është e parashikueshme, për dallim nga marsi i këtij viti, kur askush nuk e priste se do të përballeshim me pandemi.

“Nuk mendoj se janë bërë përgatitjet që është dashur të bëhen, sepse ka qenë një situatë e parashikueshme, nëse në mars ka qenë situatë e paparashikueshme, atëherë tash është situatë e parashikueshme dhe nuk mund të jemi në nivelin e performancës sikur në mars e në prill të këtij viti”, u shpreh ai.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar gjatë fundjavës se ditëve në vijim do ta bëjë̈ gati Spitalin për COVID-19”, me 500 shtretër në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat