Naim Musliu, Tomë Gashit: Ti zotëri nuk ki të drejt të thuash se djali im ka bërë vetëvrasje!

Aktuale

Naim Musliu, Tomë Gashit: Ti zotëri nuk ki të drejt të thuash se djali im ka bërë vetëvrasje!

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 15:38
Naim Musliu, babai i Agon Musliut në Komisionin për menaxhimin e pamdenisë COVID-19

(E plotësuar) - Me një minutë heshtjeje për Agon Musliun dhe të gjithë qytetarët që kanë humbur betejën me COVID-19 ka nisur mbledhja e Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kjo ishte kërkesa e Naim Musliut, babait të Agon Musliut, i cili u gjet i vdekur në Qendrën e Studentëve, e cila u shndërrua në karantinë në kohën e pandemisë. Tutje gjatë raportimit ai tha se dokument për gjendjen shëndetësore të djalit të tij ka pasur, por që iu është pamundësua ta dorëzojë atë edhe pse ka tentuar ta bëjë këtë qyshkur djali i tij ka qenë në aeroportin e Prishtinës.

Musliu, i cili vdekjen e djalit të tij e quan me motive politike, menjëherë ka nisur duke hedhur akuza të rënda për kryesuesen e këtij komisionit, Mimoza Kusari-Lila dhe të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, kur po flitet për vdekjen e djalit të tij, pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk po reagojnë.

Ai madje nuk u pajtua edhe me faktin se deputetet anëtare të këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje nuk u pajtuan që Naim Musliu të jep dëshminë e tij në këtë komision.

Musliu: Djali im ka vdekur në duar të shtetit

“Kam vërejtje menjëherë dhe ajo fillon me komisionin menjëherë. Ju administratën zonja Kusari-Lila e keni porositur edhe se çka duhet me më thënë mua, a? Me më dhënë që unë ta them të vërtetën se djali ime qenka i Bangladeshit, kjo është fakt më ka thënë administratorja vetë. E dyta, vërejtja juaj e sidomos e juve Vetëvendosjes kur është votuar unë e kam përcjell mirë çka iu pengoj, moj zonjë ty e ty dhe asaj Kollçakut me qenë prezenca ime këtu? A nuk është vërejtje me vend kjo ? Po të kishte vdekur djali yt ose i kësaj tjetrës, çka do kishit bërë ju bash krejt të Vetëvendosjes në parlament dhe çdo kund kur është fjala për djalin tim po e ulni kokën, po e futni ndër këmbë të gjithë të Vetëvendosjes, pse nuk e ngrini si për të gjithë tjerët, pse nuk e ngrini zërin? A nuk iu vjen gjynah për djalin tim? Po të kishte qenë familjari juaj i kujtdo qoftë, i Lëvizjes Vetëvendosje, flakë për goje kishit qit. Këtu duhet thënë të vërtetën, parapraku që ke këtu e tha menjëherë të pavërtetën. Djali im ka vdekur në duar të shtetit, a është fakt?”, tha ai.

Kryesuesja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila tha se ky reagim ka qenë si shkak që nuk e kanë parë të rrugës që të jetë babai i Agron Musliut prezent në komision. Ajo dha sqarimet se pse ka pasur kërkesa nga administrata e Kuvendit të Kosovës që ai ta thotë vetëm të vërtetën.

Kusari-Lila: Stafi i Kuvendit ka vepruar sipas Ligjit për Hetim Parlamentar

“Kjo skenë, rrethanë dhe mënyrë e komunikimit nuk është ajo që dëshiron askush e më së paku nga një prind që është me dhimbje. E para, e dyta zotëri Musliu arsyeja që ne kemi dashur për t’ju kursyer është mu për shkak të kësaj rrethane. Ne jemi për këtë arsye këtu bashkë, është përgjegjësi imja dhe e secilit deputet që e ka marrë obligimin e deputetit. Stafi I Kuvendit ka treguar dhe ka vepruar sipas Ligjit për Hetim Parlamentar”, tha ajo.

Musliu vazhdoi tutje me akuza të rënda për ish-Qeverinë e Albin Kurtit për të cilin tha se është ‘e krimbur’ dhe se ‘askush asgjë nuk është duke bërë për të zbardhur’ vdekjen e djalit të vetëm që kishte ai.

Musliu: Këta njerëz janë fund e krye të krimbur

“Dua t’i them edhe dy-tri fjalë për këtë qeverinë e Abazoviqe 1, do e quaja. I ka marrë tri vendime paraprakisht si e ka marr qeverinë, ky jo me mua, por edhe me Amerikë i ka shti brirët. Mori një bakshish nga Serbia dhe në fund e futi djalin tim në burgun e vet. Tri argumente se kjo qeveri dhe këta njerëz aty që i shkojnë pas tij janë fund e krye të krimbur, asgjë nuk keni bërë dhe nuk jeni duke bërë për djalin tim”, tha Musliu.

E kryetarja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila kërkoi nga Musliu të përmbahet në deklarimet e tij pasi ato nuk janë fushëveprimi i këtij komisioni, por të di rrethanat në të cilat ka nisur kërkesa për kthimin e Agon Musliu nga Gjermania ku po qëndronte për studime master.

I emocionuar rrëfimin e tij filloi babai i Agon Musliut, Naimi i cili tha se djali i tij, tashmë i ndjeri ndodhej në Gjermani për studime dhe me mbylljen për shkak të pandemisë, ai dëshironte të vinte te familjarët në Kosovë.

Duke e parë shqetësimin e tij, Musliu tha se kontaktoi me kryetarin e Gjilanit, Lufti Haziri i cili e vuri në kontakt me ambasadorin në Gjermani , Beqë Cufaj.

Musliu: Vrasja e djalit tim është politike

“Unë e kisha të vetmin djalë. Ai u nis më 6 mars për master. Me fillimin e pandemisë, ai ndërpreu si çdo kund, por edhe në Gjermani u ndërpre. Pastaj u izolua dhe mbeti i mbyllur aty, i izoluar dhe shumë i mërzitur. Filloi një mërzi shumë e madhe. Ai me çdo kusht dëshironte të kthehej në shtëpi. Nuk kisha mundësi të tjera sepse nuk kam të afërm sikur të tjerët që kanë bashkëbisedova me gruan time dhe u drejtova tek kryetari I komunës dhe dua ta falënderoj ambasadorin Beqë Cufaj dhe Shaip Dodën, këta tre janë të disa partive prandaj mund ta konsideroj që vdekja e djalit tim është vdekje politike. Faktet ju po i dini që Luta është në LDK, Beqë Cufaj në AAK, Shaip Dobra në PDK, krejt këta e kanë sjell punën si më së miri. Kam shkuar në zyre, tani ai më ka kontaktuar me Beqë Cufaj atje dhe më ka thënë se rrethanat janë të vështira për kthimin e djalit sikur e dini edhe vetë“, tha Musliu.

Më pas babai i Agon Musliut tregoi se pasi djali i tij ka arritur në aeroportin e Prishtinës ai kishte kontakte të vazhdueshme me të. Ai thotë se përveç tij edhe ambasadori Beqë Cufaj e ka pasur dokument që dëshmon për gjendjen e djalit të tij.

Sipas tij, i ndjeri Agoni ka kërkuar vazhdimisht që mos të shkojë në qendrën karantinë. Babait i Agonit thotë se djali i tij nuk ka pasur asnjëherë ndonjë problem që do ta çonte drejt vetëvrasjes.

Musliu: Edhe Beqë Cufaj, edhe policia tek aeroporti e ka pasur këtë dokument

“Dokumente ka pasur Beqë Cufaj ka qenë i informuar në bazë të këtij dokumenti që djali ka pasur dokument, jo me dal dhe të gënjehet populli, ka pasur dokument, ia kam prezantuar edhe në aeroport. Dokument ka pasur, është i njoftuar edhe ambasadori, edhe polici që ia kam dhënë, edhe dëshmitari që dëshmoi paraprakisht se nuk ka pasur dokument, këto janë dokumente. Sa jam sjell non-stop kam pasur kontakte me djalin në aeroport, kam biseduar non-stop me të, temperaturë nuk ka pasur dhe në ‘burgun e Albinit’ iu kam thënë të gjithëve aty prezent, se nuk jam për karantinë, jam i mërzitur, dua të shkoj në shtëpi”, tha ai.

Pyetje të shumta karshi babait të të ndjerit, Agron Musiu kanë parashtruar edhe anëtarët tjerë të Komisioni.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Shkumbin Demalija dëshiroi të di se kënd ka kontaktuar te qendra karantinë dhe se a ka vërejtur ndonjë shenjë se Agoni nuk është mirë. Të njëjta pyetje i parashtroi edhe deputeti nga PDK-ja Bekim Haxhiu.

Në përgjigjen e tij, Naim Musliu tha se këtë dokument e ka prezantuar vetëm te pjesëtarët e Policisë së Kosovë në Aeroportin e Prishtinës, por që nuk i kujtohet se të njëjtin a e ka prezantuar edhe te Qendra e Karantinës në Qendrën e Studentëve.

Ai madje tha se ka tentuar që ta shohë djalin e tij kur ka arritur në karantinë, por është penguar nga Policia e Kosovës.

Musliu: Këtë dokument e kam prezantua vetëm në aeroport

“Këtë dokument e kam prezantua vetëm në aeroport. Te dyert e Qendrës së Studentëve nuk jam i sigurt se e kam prezantuar apo jo. Ky është fakt dhe polici aty më mori ata njerëzit e hetuesisë kur më kanë marrë dhe më kanë thënë se kemi fakte dhe incizime ua ke dorëzua policisë dhe u vonua afërisht një 10 minuta derisa m’i kanë kthyer dokumentet a për këtu nuk po më kujtohet saktësisht por nuk jam i sigurt për te dera e studentëve, por shqetësimin tim për ta parë kam insistuar, por këtu ka qenë katastrofë”, u shpreh Musliu.

Naim Musliu tha se gjatë kontakteve me djalin e tij tashmë të ndjerë, ka vërejtur shqetësimin e tij, por se ankesa specifike nuk ka pasur për qendrën ku ka qëndruar. Ai madje tha se djali i tij ka qëndruar i vetëm në një dhomë në karantinë dhe se pas disa tentimeve që ka pasur për ta larguar djalin e tij nga aty, ai më nuk ka kontaktuar me Agonin pasi e ka pasur të mbyllur telefonin dhe se nga ai moment nuk ka pasur asnjë informacion deri në momentin kur e ka marrë lajmin se djali i tij ka vdekur.

Ndryshe, në maj të këtij viti, 26-vjeçari Agon Musliu ishte gjetur i vdekur pasi ishte hedhur nga kati i katërt i Qendrës Studentore që shërbente si karantinë për të prekurit me koronavirus.

***

Ish-menaxheri i Qendrës së Karantinës Valdet Hashani ka dëshmuar sot para anëtarëve të Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Dëshmia e tij kryesisht kishte të bënte me vdekjen e dyshimtë të të riut Agon Musliu në këtë qendër.

Hashani tha se si menaxher nuk ka pranuar asnjë dëshmi, e cila tregon për gjendjen e të ndjerit. Madje ai tha se dosja e pranuar nga ekipet mjekësore nuk paraqet asnjë diagnozë se 26-vjeçari nga Gjilani vuante nga ndonjë sëmundje.

Ai para komisionit ka thënë se ka filluar punën më 6 prill, dhe deri më 31 maj nuk ka pasur asnjë ditë pushim dhe se këtë detyrë e ka pranuar nga ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.

Anëtari i këtij komisioni nga AAK, Shkumbin Demalija u interesua të di se mbi çfarë vendimi janë liruar të karantinuarit me COVID-19 dhe nëse ka pasur ndonjë kërkesë konkrete për lirim të ndonjërit prej tyre nga ana e ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në përgjigjen e tij Hashani tha se ministri Vitia askënd nuk e ka liruar pa dosje mjekësore. E Demalija u interesua të di se edhe sa kohë ka qëndruar në karantinë Agon Musliu, i cili kreu vetëvrasje në maj të këtij viti.

Ish-menaxheri i Qendrës së Karantinës, Valdet Hashani tha se ai në këtë qendër është pranuar më 2 maj dhe aty ka qëndruar vetëm një natë. Sipas tij, qendra nuk ka poseduar asnjë dokument nga familja Musliu apo ekipet mjekësore që flasin për gjendjen jo të mirë shëndetësore të Agon Musliut.

Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar psikolog apo psikiatër për Musliun vetëm pas një mesazhi telefonik që e ka marrë nga ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, të cilin e ka pranuar një ditë pas pranimit të të ndjerit në karantinë.

Hashani tha se ndihmë psikologjike ishte duke kërkuar për dy të karantinuar të tjerë që ishin më keq dhe se nuk kishte asnjë sinjal nga Agon Musliu se ishte në gjendje jo të mirë.

Hashani: Asnjë dokument ne nuk kemi marrë nga familja Musliu

“Absolut, asnjë dokument ne nuk kemi marrë. Realisht, dosjen të cilin e kemi marrë prej ekipit të mjekësisë familjare dhe Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, e kemi me diagnozë zero. Domethënë, nuk ka asnjë dëshmi. Për këtë rast i keni dëshmitë që i keni depozituar, janë edhe fotografitë duke pritur i ndjeri Agon Musliu në radhë, pa asnjë shqetësim. Ne prej familjes nuk kemi marrë dëshmi. Më datën 3, para se të ndodhë rasti kur unë e kam përgatitur emailin për kërkesën e psikiatrit, në mesin e tyre, i treti e kam futur Agon Musliun, pasi më ka ardhur një mesazh se ai nuk është mirë dhe se nevojitet një psikiatër ose psikolog prej Izet Sadikut”, tha Hashani.

Anëtarja e këtij Komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës Eliza Hoxha nga Hashani kërkoi të di se sa persona ishin në aeroplanin ku ishte Agon Musliu dhe sa prej tyre ishin të karantinuar.

Përgjegjësi i karantinës, Valdet Hashani tha se nuk e di se sa ka qenë numri i udhëtarëve, por që më 2 maj në Qendrën Studentore janë pranuar 11 qytetarë.

Ai tha se Agon Musliu nuk ka shfaqur asnjë element refuzimi, i cili do i shtynte të mendonte se kishte probleme.

Hashani: Nuk është që ka refuzuar apo ka shfaqur ndonjë element refuzimi

“Në datën që ka ardhur ka marrë darkën, në mëngjes e ka marrë mëngjesin, në drekë nuk ka mundur, se ka qenë pas orës 18:00, nuk është se ka refuzuar apo ka shfaqur ndonjë element refuzimi para vullnetarëve fillimisht për pastrim. Nuk kemi pasur vërejtje. Nëse dikush do të kishte ndonjë dëshmi, ne do ta kishim fotokopjuar dhe do ta kishim dorëzuar. Në qendrën e studentëve karantinë, nuk ka asnjë dëshmi, të gjitha janë elektronike, policia i ka, ju i keni të gjitha”, tha Hashani.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu kërkoi shpjegime për procedurat e lirimit të një qytetari nga karantina. E Hashani i dha ato duke thënë se nga askush përfshirë edhe ish-ministrin Vitia nuk ka pranuar ndonjë telefonatë për t’u liruar ndonjë person.

Hashani: Vendimmarrja nuk ka qenë në karantinë

“Vendimmarrja nuk ka qenë në karantinë , vendimmarrja në qendrën operative kur ka shkuar dosja aty është marrë vendimi dhe janë liruar. Rekomandimet kanë shkuar prej ekipet mjekësore, në momentin kur ligji iu ka dhënë të drejtën ekipeve mjekësore për ta liruar apo karantinuar atëherë përgjegjësinë e merr ai person... Për 60 ditë sa kam qenë menaxher në Qendrën e Studentëve në karantinë, në asnjë moment nuk kam marrë telefonat prej ministrit Vitia”, tha Hashani.

Gjatë debatit, anëtari i këtij komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka parashtruar pyetje për ish-menaxherin e karantinës dhe e ka krahasuar atë me “Aushvicin”. E një vlerësim i tillë ngjalli përplasje në mes të kryesueses së komisionit Mimoza Kusari-Lila dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha Kollçaku.

Haxhiu-Kusari-Lila: Në karantinë janë internuar njerëzit sikur në Aushvic-Tu kisha lutur me pas kujdes

“Aty njerëzit janë internuar sikur në Aushvic me vendime politike…Kusari-Lila: T’u kisha lutur që të kish kujdes me kualifikime të natyrës që i referoheni Luftës së Dytë Botërore dhe Ashuvicit, i cili është kamp përqendrimi ku njerëzit janë vrarë. Haxhiu: Edhe aty kemi një rast të vdekjes…Kusari-Lila: E kemi një rast të vdekjes se siç po zbërthehet gradualisht për çështje të dokumentacionit…Haxhiu: Janë grumbulluar njerëzit pa bazë ligjore”, u shprehen Haxhiu dhe Kusari-Lila.

Më e ashpër ndaj këtij vlerësimi ishte deputetja anëtar e këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, e cila tha se nëse vazhdon me këto vlerësime, atëherë mbledhja duhet të ndërpritet.

Hashani gjatë raportimit tha se asnjë qytetar i Kosovës nuk ka hyrë në karantinë pa e pasur vlerësimin e ekipeve mjekësore varësisht se në cilat pika kufitare ka hyrë. Kjo ka vlejtur edhe për qytetarët që kanë ardhur përmes aeroportit “Adem Jashari”.

Pas dhënies së dëshmisë së ish menaxherit të Qendrës së Karantinsë ,Valdet Hashani para anëtarëve të Komisionit parlamentar hetimor për menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës dëshminë e tij e ka dhënë edhe Naim Musliu, babai i të ndjerit, Agron Musliu.

***

Naim Musliu, babai i të ndjerit Agon Musliut, ka treguar një shqetësim që ia ka paraqitur një avokati dhe deputetëve të Parlamentit.

Gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë, ai tregoi se kishte sugjeruar avokatin Tomë Gashi që mos t’i referohet “vetëvrasje” aktit të djalit të tij.

“Obduksioni thotë se është vdekje e dhunshme. Ti zotëri (Tomë Gashi v.j.) nuk ki drejt me thanë që Agoni është vetëvrarë, pa e thanë fjalën e fundit gjyqi. Keni gabu të gjithë. Zoti mos e bëftë që askush me pas dhimbjen time”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat