Vjosa Osmani flet për përplasjet në mes Thaçit e Mustafës, ja cila është e vërteta

Aktuale

Vjosa Osmani flet për përplasjet në mes Thaçit e Mustafës, ja cila është e vërteta

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 16:40
Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Deklaratat e fundit nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Vjosa Osmani po konsideron si përplasje artificiale. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës tha se të dy e kanë përkrahur njëri tjetrin sa i përket marrëveshjeve që lidhen me asociacionin.

Osmani tha se edhe në vitin 2013 kur është nënshkruar e ratifikuar pastaj në Kuvend marrëveshja, edhe në vitin 2015 kur është nënshkruar dokumenti për zbatimin e parimeve të asociacionit, Mustafa e Thaçi kanë qenë së bashku.

Osmani: Përplasjet Thaçi-Mustafa për asociacionin janë artificiale

“Në të dyja rastet kanë qenë bashkë, e kanë përkrahur pak a shumë njëra tjetrën këto dy palë, sepse në vitin 2013 atëherë grupi parlamentar i LDK-së përkundër faktit që ka qenë në opozitë e ka përkrahur atë marrëveshje të nënshkruar nga Thaçi e cila me të drejtë thuhet ajo e ka themeluar asociacionin, unë para votuar kundër asaj marrëveshje dhe pikërisht themelimi i asociacionit ka qenë ndër arsyet, kurse më 2015 zoti Thaçi i rrinte prapa si një lloj miratimi nënshkrimit të zotit Mustafa të dokumentit të vitit 2015. Pra e kanë përkrahur njëri tjetrin në këto letra të nënshkruara dhe tani më duket si përplasje artificiale e cila nuk bazohet në fakte dhe të vërteta të cilat lehtë mund të dëshmohen”, tha ajo.

Osmani shtoi se pavarësisht deklarimeve, krijimi i asociacionit me kompetenca ekzekutive është rrezik për Kosovën.

Vjosa Osmani u përgjigj edhe për pjesëmarrjen e saj mbrëmë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në mes të kryeministrit Avdullah Hoti dhe amerikanit Adam Boehler, ku u bë edhe ndarja e Medaljes Presidenciale të Meritave nga presidenti Thaçi për ambasadorin Grenell.

Osmani: Dje kishte deklarata politike, marrëveshja me amerikanët mund të nënshkruhet në të ardhmen

“Jam ftuar nga pala amerikanë, por edhe nga zyra e Kryeministrit më pas në ceremoninë e cila ka pasur për qëllim që dy qeveritë të nënshkruajnë një deklaratë apo një zotim për një marrëveshje e cila në të ardhmen mund të negociohet dhe nënshkruhet e cila ka të bëjë me nxitjen e investimeve, me investimet amerikane në Kosovë. Por ajo e djeshmja ishte vetëm një deklaratë e natyrës politike kurse marrëveshja mund të diskutohet dhe nënshkruhet në të ardhmen, pra akoma nuk ka marrëveshje konkrete”, tha Osmani.

Pas mbledhjes së kryesisë, Osmani bëri të ditur se kryesia ka vendosur të ftojë në raportim kryeministrin Hoti për 100 ditëshin e qeverisë, ku ftesa pritet t’i bëhet gjatë javës së ardhshme.

Ndërsa të premten pritet të mbahet seanca plenare e Kuvendit ku në rend dite do të jenë edhe ligji për rimëkëmbje ekonomike edhe ai për vlerat e luftës.

***

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur artificiale përplasjet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në mes presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa.

Sipas saj, si në vitin 2013 kur është nënshkruar marrëveshja, si në vitin 2015, kur është nënshkruar dokumenti, në të dyja rastet kanë qenë bashkë edhe këto dy palë dhe e kanë përkrahur njëra-tjetrën.

“Në vitin 2015 e kam thënë në Kuvend, Thaçi i rrinte prapa Mustafës si një lloj miratimi të nënshkrimit të dokumentit  për asociacionin.E kanë përkrahur njëri-tjetrin dhe më duket si përplasje artificiale. Pavarësisht deklarimeve ajo që mbetet e vërtetë është se krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i rrezikshëm  për Kosovën”, tha Osmani.

Tutje Osmani tha se nëse palët e kanë kuptuar këtë përgjatë rrugës, është lajm i mirë.

“Më mirë vonë se kurrë, të gjithë të bashkuar ta kundërshtojnë krijimin e një trupe të tillë që është prelude për ndarjen e vendit. Do ta destabilizonte vendin për një kohë të gjatë. Është rrugë e keqe nëse kryeministri Hoti e ka nisur atë. I bëjmë thirrje që të mos ju hyjë aventurave të tilla të rrezikshme”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat