​Babai i Agon Musliut: Vdekja e djalit tim është politike

Aktuale

​Babai i Agon Musliut: Vdekja e djalit tim është politike

Më: 22 shtator 2020 Në ora: 19:17
​Babai i Agon Musliut

Me një minutë heshtjeje për Agon Musliun dhe të gjithë qytetarët që kanë humbur betejën me COVID-19 ka nisur mbledhja e Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kjo ishte kërkesa e Naim Musliut, babait të Agon Musliut, i cili u gjet i vdekur në Qendrën e Studentëve, e cila u shndërrua në karantinë në kohën e pandemisë. Tutje gjatë raportimit ai tha se dokument për gjendjen shëndetësore të djalit të tij ka pasur, por që iu është pamundësua ta dorëzojë atë edhe pse ka tentuar ta bëjë këtë qyshkur djali i tij ka qenë në aeroportin e Prishtinës.

Musliu, i cili vdekjen e djalit të tij e quan me motive politike, menjëherë ka nisur duke hedhur akuza të rënda për kryesuesen e këtij komisionit, Mimoza Kusari-Lila dhe të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, kur po flitet për vdekjen e djalit të tij, pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk po reagojnë.

Ai madje nuk u pajtua edhe me faktin se deputetet anëtare të këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje nuk u pajtuan që Naim Musliu të jep dëshminë e tij në këtë komision.

Musliu: Djali im ka vdekur në duar të shtetit

“Kam vërejtje menjëherë dhe ajo fillon me komisionin menjëherë. Ju administratën zonja Kusari-Lila e keni porositur edhe se çka duhet me më thënë mua, a? Me më dhënë që unë ta them të vërtetën se djali ime qenka i Bangladeshit, kjo është fakt më ka thënë administratorja vetë. E dyta, vërejtja juaj e sidomos e juve Vetëvendosjes kur është votuar unë e kam përcjell mirë çka iu pengoj, moj zonjë ty e ty dhe asaj Kollçakut me qenë prezenca ime këtu? A nuk është vërejtje me vend kjo ? Po të kishte vdekur djali yt ose i kësaj tjetrës, çka do kishit bërë ju bash krejt të Vetëvendosjes në parlament dhe çdo kund kur është fjala për djalin tim po e ulni kokën, po e futni ndër këmbë të gjithë të Vetëvendosjes, pse nuk e ngrini si për të gjithë tjerët, pse nuk e ngrini zërin? A nuk iu vjen gjynah për djalin tim? Po të kishte qenë familjari juaj i kujtdo qoftë, i Lëvizjes Vetëvendosje, flakë për goje kishit qit. Këtu duhet thënë të vërtetën, parapraku që ke këtu e tha menjëherë të pavërtetën. Djali im ka vdekur në duar të shtetit, a është fakt?”, tha ai.

Kryesuesja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila tha se ky reagim ka qenë si shkak që nuk e kanë parë të rrugës që të jetë babai i Agron Musliut prezent në komision. Ajo dha sqarimet se pse ka pasur kërkesa nga administrata e Kuvendit të Kosovës që ai ta thotë vetëm të vërtetën.

Kusari-Lila: Stafi i Kuvendit ka vepruar sipas Ligjit për Hetim Parlamentar

“Kjo skenë, rrethanë dhe mënyrë e komunikimit nuk është ajo që dëshiron askush e më së paku nga një prind që është me dhimbje. E para, e dyta zotëri Musliu arsyeja që ne kemi dashur për t’ju kursyer është mu për shkak të kësaj rrethane. Ne jemi për këtë arsye këtu bashkë, është përgjegjësi imja dhe e secilit deputet që e ka marrë obligimin e deputetit. Stafi I Kuvendit ka treguar dhe ka vepruar sipas Ligjit për Hetim Parlamentar”, tha ajo.

Musliu vazhdoi tutje me akuza të rënda për ish-Qeverinë e Albin Kurtit për të cilin tha se është ‘e krimbur’ dhe se ‘askush asgjë nuk është duke bërë për të zbardhur’ vdekjen e djalit të vetëm që kishte ai.

Musliu: Këta njerëz janë fund e krye të krimbur

“Dua t’i them edhe dy-tri fjalë për këtë qeverinë e Abazoviqe 1, do e quaja. I ka marrë tri vendime paraprakisht si e ka marr qeverinë, ky jo me mua, por edhe me Amerikë i ka shti brirët. Mori një bakshish nga Serbia dhe në fund e futi djalin tim në burgun e vet. Tri argumente se kjo qeveri dhe këta njerëz aty që i shkojnë pas tij janë fund e krye të krimbur, asgjë nuk keni bërë dhe nuk jeni duke bërë për djalin tim”, tha Musliu.

E kryetarja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila kërkoi nga Musliu të përmbahet në deklarimet e tij pasi ato nuk janë fushëveprimi i këtij komisioni, por të di rrethanat në të cilat ka nisur kërkesa për kthimin e Agon Musliu nga Gjermania ku po qëndronte për studime master.

I emocionuar rrëfimin e tij filloi babai i Agon Musliut, Naimi i cili tha se djali i tij, tashmë i ndjeri ndodhej në Gjermani për studime dhe me mbylljen për shkak të pandemisë, ai dëshironte të vinte te familjarët në Kosovë.

Duke e parë shqetësimin e tij, Musliu tha se kontaktoi me kryetarin e Gjilanit, Lufti Haziri i cili e vuri në kontakt me ambasadorin në Gjermani , Beqë Cufaj.

Musliu: Vrasja e djalit tim është politike

“Unë e kisha të vetmin djalë. Ai u nis më 6 mars për master. Me fillimin e pandemisë, ai ndërpreu si çdo kund, por edhe në Gjermani u ndërpre. Pastaj u izolua dhe mbeti i mbyllur aty, i izoluar dhe shumë i mërzitur. Filloi një mërzi shumë e madhe. Ai me çdo kusht dëshironte të kthehej në shtëpi. Nuk kisha mundësi të tjera sepse nuk kam të afërm sikur të tjerët që kanë bashkëbisedova me gruan time dhe u drejtova tek kryetari I komunës dhe dua ta falënderoj ambasadorin Beqë Cufaj dhe Shaip Dodën, këta tre janë të disa partive prandaj mund ta konsideroj që vdekja e djalit tim është vdekje politike. Faktet ju po i dini që Luta është në LDK, Beqë Cufaj në AAK, Shaip Dobra në PDK, krejt këta e kanë sjell punën si më së miri. Kam shkuar në zyre, tani ai më ka kontaktuar me Beqë Cufaj atje dhe më ka thënë se rrethanat janë të vështira për kthimin e djalit sikur e dini edhe vetë“, tha Musliu.

Më pas babai i Agon Musliut tregoi se pasi djali i tij ka arritur në aeroportin e Prishtinës ai kishte kontakte të vazhdueshme me të. Ai thotë se përveç tij edhe ambasadori Beqë Cufaj e ka pasur dokument që dëshmon për gjendjen e djalit të tij.

Sipas tij, i ndjeri Agoni ka kërkuar vazhdimisht që mos të shkojë në qendrën karantinë. Babait i Agonit thotë se djali i tij nuk ka pasur asnjëherë ndonjë problem që do ta çonte drejt vetëvrasjes.

Musliu: Edhe Beqë Cufaj, edhe policia tek aeroporti e ka pasur këtë dokument

“Dokumente ka pasur Beqë Cufaj ka qenë i informuar në bazë të këtij dokumenti që djali ka pasur dokument, jo me dal dhe të gënjehet populli, ka pasur dokument, ia kam prezantuar edhe në aeroport. Dokument ka pasur, është i njoftuar edhe ambasadori, edhe polici që ia kam dhënë, edhe dëshmitari që dëshmoi paraprakisht se nuk ka pasur dokument, këto janë dokumente. Sa jam sjell non-stop kam pasur kontakte me djalin në aeroport, kam biseduar non-stop me të, temperaturë nuk ka pasur dhe në ‘burgun e Albinit’ iu kam thënë të gjithëve aty prezent, se nuk jam për karantinë, jam i mërzitur, dua të shkoj në shtëpi”, tha ai.

Pyetje të shumta karshi babait të të ndjerit, Agron Musiu kanë parashtruar edhe anëtarët tjerë të Komisioni.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Shkumbin Demalija dëshiroi të di se kënd ka kontaktuar te qendra karantinë dhe se a ka vërejtur ndonjë shenjë se Agoni nuk është mirë. Të njëjta pyetje i parashtroi edhe deputeti nga PDK-ja Bekim Haxhiu.

Në përgjigjen e tij, Naim Musliu tha se këtë dokument e ka prezantuar vetëm te pjesëtarët e Policisë së Kosovë në Aeroportin e Prishtinës, por që nuk i kujtohet se të njëjtin a e ka prezantuar edhe te Qendra e Karantinës në Qendrën e Studentëve.

Ai madje tha se ka tentuar që ta shohë djalin e tij kur ka arritur në karantinë, por është penguar nga Policia e Kosovës.

Musliu: Këtë dokument e kam prezantua vetëm në aeroport

“Këtë dokument e kam prezantua vetëm në aeroport. Te dyert e Qendrës së Studentëve nuk jam i sigurt se e kam prezantuar apo jo. Ky është fakt dhe polici aty më mori ata njerëzit e hetuesisë kur më kanë marrë dhe më kanë thënë se kemi fakte dhe incizime ua ke dorëzua policisë dhe u vonua afërisht një 10 minuta derisa m’i kanë kthyer dokumentet a për këtu nuk po më kujtohet saktësisht por nuk jam i sigurt për te dera e studentëve, por shqetësimin tim për ta parë kam insistuar, por këtu ka qenë katastrofë”, u shpreh Musliu.

Naim Musliu tha se gjatë kontakteve me djalin e tij tashmë të ndjerë, ka vërejtur shqetësimin e tij, por se ankesa specifike nuk ka pasur për qendrën ku ka qëndruar. Ai madje tha se djali i tij ka qëndruar i vetëm në një dhomë në karantinë dhe se pas disa tentimeve që ka pasur për ta larguar djalin e tij nga aty, ai më nuk ka kontaktuar me Agonin pasi e ka pasur të mbyllur telefonin dhe se nga ai moment nuk ka pasur asnjë informacion deri në momentin kur e ka marrë lajmin se djali i tij ka vdekur.

Ndryshe, në maj të këtij viti, 26-vjeçari Agon Musliu ishte gjetur i vdekur pasi ishte hedhur nga kati i katërt i Qendrës Studentore që shërbente si karantinë për të prekurit me koronavirus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat