Zemaj: Gjatë javës do të ketë lirim të masave anti-COVID

Aktuale

Zemaj: Gjatë javës do të ketë lirim të masave anti-COVID

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 09:57
Armend Zemaj

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të ketë lirim të masave kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

Zemaj  mes tjerash bëri të ditur se bartja e maskës do të mbetet obligative.

“Çdo masë liruese do të ketë përcjellje të zbatimit të asaj mase, nëse lëvizim një orë për kufizimin e lëvizjes ose zgjatje të orarit të gastronomisë do të ketë dy ose tre masa shtesë, duhet të ecim me masa të kujdesshme”.

“Nga nesër propozimet konkrete i kam të harmonizuara sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë do të kalojnë në diskutimin e brendshëm dhe ato do i përcjelli për Qeveri, janë disa vendime të cilat nga masat e fundit të marra më 28 korrik janë vendime të Qeverisë, nëse unë duhet të lehtësoj masat duhet të marrë vendimin e Qeverisë”.

“Gjatë kësaj jave do të ketë lirim të masave, gjatë kësaj jave do t’i përcjellim masat e propozuara tek qeveria pastaj të merret vendimi”, deklaroi Zemaj.

Zemaj tregoi se cilat masa do të lirohen këtë javë.

“Po hyjmë në fazën e vjeshtës deri tash nuk kemi lejuar të ketë njerëz në ambiente të mbyllura, tash do të lejohet kjo”.

“Orari deri në 22:30, disa komuna me kufizim të lëvizjes, ndalesa në lokale të mbyllura, shumë aktivitete sportive do të merren masat për këtë”.

Zemaj mes tjerash tregoi se njëra nga masat shtesë që do të merret gjatë kësaj jave do të jetë kufizimi me shtetet fqinje që në 100 mijë banorë kanë mbi 5% të popullësisë të prekur me COVID-19.

“Njëra ndër masat do të jetë kufizimi me shtetet fqinje – do të kërkojmë teste për të parë nëse personi që po vije në Kosovë është i pastër nga COVID-19”.

Po ashtu bartja e maskës do të mbetet obligative.

“E kemi hartuar udhëzuesin e qartë për bartjen e maskës, krahas vendimit të ri të maskës, higjinës dhe distancës do të jetë e qartë se kur duhet ta mbajmë maskën dhe kur do të ketë ndëshkim për mosbartje”.

“Bartja e maskës do të jetë obligative, vetëm nëse je i vetëm në makinë duhet të mos e mbaj çdoherë që është një tjetër person të dy duhet ta mbajnë maskën”.

Zemaj po ashtu bëri të ditur se disa vende e kanë larguar Kosovën nga vendet e rrezikuara nga COVID-19 ndërsa disa tjera e kanë ende në këtë listë.

Mes tjerash Zemaj bëri të ditur se këtë javë do të nisin testimet masive dhe deklaroi se deri tani nuk ka nënshkruar asnjë blerje nga fondet e MSH-së por gjithçka ka ardhur nga partneriteti i ndërtuar me donatorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat