Bashkëpunëtori i kolonel Krasniqit, Gecajt: Kërko emrin e personit që i pagoi 250 mijë dollarë për vrasjen e tij

Aktuale

Bashkëpunëtori i kolonel Krasniqit, Gecajt: Kërko emrin e personit që i pagoi 250 mijë dollarë për vrasjen e tij

Nga: A.Zh Më: 23 shtator 2020 Në ora: 12:37
Sefedin Krasniqi

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme nga LDK-ja Bajram Gecaj, ka thënë se para vrasjes koloneli Ahmet Krasniqi i kishte thënë se ndihej i rrezikuar dhe se kishin gjuajtur në të.

Ai ka thënë se i vetmi person që do të mund ta dëshmonte këtë Agim Mehmeti, nuk jeton më.

“Po thuhet se nuk ka pasur indikacione se ishte i rrezikuar Ministri Ahmet Krasniqi para vrasjes së tij! Unë e them me përgjegjësi të plotë se mua personalisht Ministri Krasniqi ma kishte thënë se ishte i rrezikuar dhe se madje edhe kishin gjuajtur në të! Fatkeqësisht, i vetmi person që do të mund ta dëshmonte këtë, nuk është më në mesin tonë, Zëvendësministri Agim Mehmeti”, ka shkruar Gecaj dje në një postim në Facebook.

Atij për këtë i ka reaguar edhe Sefedin Krasniqi, bashkëpunëtor i ngushtë i kolonel Krasniqit, përcjell Bota sot.

Ai i ka kërkuar Gecajt, që të hapet dosja e kolonelit nga organet përgjegjëse të Shqipërisë.

“Kërko emrin dhe mbiemrin dhe funksionin e personit që i ka paguar 250000 dollarë për vrasjen”, ka shkruar Sefedin Krasniqi në Facebook.

Reagimi i tij i plotë:

Bajram të di për burrë të mirë, por kjo që paske thënë, nuk qëndron plotësisht.

Shumë gjëra janë thënë mirë për kolonelin e shumë të tjeta janë thënë për protagonizëm.

Nuk munda të reagoj në faqen tënde, prandaj e bëra këtu. Si zëvendës ministër i MPB, kërko të hapet Dosja e Ahmetit nga organet përgjegjëse të Shqipërisë.

Kërko emrin dhe mbiemrin dhe funksionin e personit që i ka paguar 250000 $ për vrasjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat