Kush është Salih Mustafa, i arestuari i parë nga Specialja

Aktuale

Kush është Salih Mustafa, i arestuari i parë nga Specialja

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 11:53
Salih Mustafa

Salih Mustafa, ish- shef i inteligjencës së FSK-së dhe ish-eprori i UÇK-së në zonën Operative të Llapit, i cili e ka drejtuar njësitit të quajtur BIA, është i arrestuari i parë i Speciales.

Ai është arrestuar mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij, nga Eulexi.

Familjarët e kanë konfirmuar se Mustafa, sipas deklaratave të zyrtarëve të EULEX-it, është nisur në drejtim të Hagës.

Mustafa ishte intervistuar nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, në nëntor të vitit të kaluar, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Por kush është Salih Mustafa?

Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.

Gjatë veprimtarisë ilegale, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vite burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.

Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.

Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.

Mustafa ka qenë bashkëveprimtar dhe shokë ideali i Bahri Fazlisë, Agron Rrahmanit, Ilir Konushevcit, Raif Qelës, Fatmir Humollit, Isa Kastratit e shumë figurave tjera eminente.

Sahil Mustafa ka qenë njëri nga themeluesit e LKQK-së. Kurse pas përfundimit të luftës vazhdoi misionin e tij për ndërtimin e institucione shtetërore.

Fillimisht shërbeu si shef i departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltarë për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat