Hoti arsyeton shtyrjen e mbledhjes së dy qeverive: Agjendën e qeverisë e caktoj vetëm unë

Aktuale

Hoti arsyeton shtyrjen e mbledhjes së dy qeverive: Agjendën e qeverisë e caktoj vetëm unë

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 13:00
Avdullah Hoti

Pas njoftimit mbrëmë se mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri është shtyrë për javën e parë të tetorit për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti tha se nuk ka ndonjë arsye tjetër për këtë vendim dhe se agjendën e qeverisë e cakton vetëm ai.

Kryeministri i Kosovës në një konferencë për media ka folur edhe për marrëveshjen për linjën hekurudhore dhe mini-Shengenin. Ai tha se seanca e nesërme në Kuvend, ku në rend dite do të jetë edhe ligji për rimëkëmbje ekonomike, është e një rëndësie të madhe dhe sipas tij, andaj sipas tij kabineti qeveritar duhet të jetë prezent.

Hoti: Agjendën e qeverisë e caktoj vetëm unë

“Agjendën e qeverisë e caktoj vetëm unë, askush tjetër, nuk ka asnjë arsye tjetër. Nesër është një mbledhje shumë e rëndësishme e Kuvendit të Kosovës ku kabineti qeveritar duhet të jetë prezent, në mesin e shumë pikave është ligji për rimëkëmbje ekonomike, ku janë rreth 400 milionë euro që mund të përfitojnë qytetarët dhe bizneset”, tha ai.

Andaj sipas Hotit, kabineti qeveritar duhet të jetë prezent në seancë për të çuar përpara këtë ligj. Gjithashtu tha se në numrin e marrëveshjeve që pritet t’i nënshkruajnë në mbledhjen e dy qeverive, është edhe ajo për linjën hekurudhore që lidh Prishtinën me Durrësin.

Hoti: Në mbledhjen e dy qeverive do të diskutojmë edhe për linjën hekurudhore

“Linja hekurudhore që e lidh Prishtinën me Durrësin, me portin Adriatik, dhe kur e lidh Prishtinën pastaj e lidh Prishtinën me Selanikun dhe me Stambollin, edhe me Evropën Qendrore, e Beograd, Budapest, edhe përtej saj, kështu duhet të shihet kjo. Një marrëveshje e veçantë është për linjën hekurudhore…Kemi edhe mbështetjen e Qeverisë së SHBA-së që të çojmë përpara këtë projekt edhe dakordimin e kryeministrit Rama që në numrin e marrëveshjeve që nënshkruajmë të jetë edhe për linjën e hekurudhore, në faza të hershme sigurisht”, tha ai.

Hoti ka bërë të ditur se duhet të bëhet studimi i fizibiliteti dhe opsioni se nga do të vijë kjo linjë hekurudhore.

Ai ndërkaq foli edhe për katër liritë e lëvizjes apo atë që njihet si mini-Shëngeni ballkanik.

Hoti: Kemi marrë zotim se do të bëhemi pjesë e mini-Shëngenit

“Ne kemi marrë një zotim që të bëhemi pjesë e kësaj iniciative rajonale, do të shohim në takimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen se si Kosova do të bëhet pjesë e kësaj iniciative në baza gjithmonë të barabarta, plotësisht të barabarta sikur çdo vend tjetër, në orientimin që ky është një projekt i përkohshëm, në afatgjatë ne të gjithë tentojmë të bëhemi pjesë e zonës Shengen evropian”, tha Hoti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat