Bieber: SHBA-ja shpejt do ta harrojë marrëveshjen e Washingtonit

Aktuale

Bieber: SHBA-ja shpejt do ta harrojë marrëveshjen e Washingtonit

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 19:37
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi në SHBA

Historiani dhe njohësi i rrethanave të Ballkanit, Florian Bieber dhe njohësi tjetër i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, vlerësojnë se marrëveshja e Washingtonit nuk sjell risi, sepse një numër i madh i konkluzioneve të saj veçse janë arritur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë; se kjo marrëveshje nuk përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt normalizimit; dhe se e njëjta do të harrohet kushdo që i fiton zgjedhjet në SHBA.

“Pajtimi politik në këtë moment nuk duket i mundshëm, sepse për këtë ekzistojnë ‘apetite’ në palën serbe, por marrëveshja ekonomike është strategji e mirë”, ka thënë Serwer në një webinar të organizuar nga Klubi Social në Mitrovicë, transmeton “AlJazeera Balkans”.

Ai shtoi se marrëveshja ka mundur të ketë pasoja negative në raportin e Kosovës dhe Serbisë ndaj Bashkimit Evropian, transmeton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

Ndërkaq Bieber tha se marrëveshja përmban disa pika për të cilat BE-ja është dakorduar me Serbinë dhe Kosovën, të tilla si njohja e diplomave dhe ndërtimi i autostradës.

Pjesë të marrëveshjes bien në kundërshtim me politikën e BE-së

Bieber shtoi se janë disa pika të marrëveshjes që janë në kundërshtim me politikat e BE-së, siç është zhvendosja e ambasadave në Jerusalem.

“Zhvendosja e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem do të ishte kundër politikave të BE-së për këtë çështje. Ky është problem në veçanti për Serbinë, e cila tashmë është larg përafrimit me politikën e jashtme të BE”, tha Bieber.

Ai vlerësoi se mungesa e qëndrimit të unifikuar mes SHBA-së dhe BE-së, si aktorët më të rëndësishëm politikë, mund të minojë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe potencialisht të rrisin fuqinë e autoritarizmit në rajon.

Ata gjithashtu ranë dakord që, në mungesë të një marrëveshjeje të plotë, si Serbia ashtu edhe Kosova mund të jetojnë me status quo-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat