Deklarohet Gjykata Speciale: Deri me këtë datë e konfirmojmë ose e refuzojmë aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit

Aktuale

Deklarohet Gjykata Speciale: Deri me këtë datë e konfirmojmë ose e refuzojmë aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 20:26
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, foto ilustrim nga "Bota sot"

Sot janë bërë pesë muaj prej kur Zyra e Prokurorit të Specializuar u ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej gjykatës, ku Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Kjo nënkupton hyrjen në muajin e gjashtë të periudhës ku prokurori i procedurës paraprake duhet ta konfirmojë aktakuzën, apo ta refuzojë atë.

Lidhur me këtë çështje, media ka kontaktuar Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Zëdhënësi Christopher Bennett ka thënë në një përgjigje të shkurtër se “kjo çështje është e brendshme”.

“Periudha gjashtëmujore vazhdon deri më 24 tetor”, ka thënë ai.

Se pse çështja e shqyrtimit të aktakuzës po merr kaq shumë kohë, Ehat Miftaraj, Drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, është shprehur se kjo po ngjan për shkak të voluminozitetit të aktakuzës.

“Sipas kësaj aktakuze janë afërsisht 100 viktima dhe kërkohet që të gjitha pretendimet dhe dyshimet e paraqitura të shqyrtohen, analizohen nga gjykatësi i procedurës paraprake para marrjes së vendimit i cili mund të jetë konfirmim i aktakuzës apo hedhje e saj”.

“Rastet si ky janë komplekse, sensitive dhe padyshim se kërkojnë kohë dhe përkushtim për t’u trajtuar më profesionalizëm dhe në mënyrë të drejtë. Në këtë drejtim, afati ligjor prej gjashtë muajsh i mundëson komoditetin gjykatësit që të ketë kohën e duhur në dispozicion për të vendosur lidhur me aktakuzën”, është shprehur Miftaraj.

Ai ka theksuar se afati gjashtëmujor mund të ndryshojë dhe që vendimi për ngritjen ose refuzimin e aktakuzës mund të merret si para 24 tetorit, ashtu edhe pas kësaj date.

“Afati i përcaktuar në rregullat e brendshme të gjykatës prej gjashtë muajsh nuk është përfundimtar, respektivisht, rregullat e miratuara nga gjykata lënë hapësirë që ky afat të shtyhet nëse gjykatësi ka nevojë për kohë shtesë për të marrë një vendim lidhur me aktakuzën. Në këtë drejtim, varësisht prej efikasitetit të gjykatësit, vendimi mund të merret edhe para 24 tetorit 2020, sikurse ky afat kohor mund të shtyhet sipas kërkesës së gjykatësit të procedurës paraprake”.

Publikimi i aktakuzës së pakonfirmuar më 24 maj, derisa Thaçi ishte duke fluturuar drejt Washingonit, për Miftarajn ka ngjallur dyshime lidhur me respektimin e ligjit dhe procedurave të cilat në publik ngritin dilema lidhur me trajtimin e këtij rasti në mënyrë profesionale.

“Fatkeqësisht, që nga funksionalizimi i kësaj gjykate, e njëjta po ballafaqohet me probleme si është edhe rasti i fundit të rrjedhjes së informatave të cilat e cenojnë rëndë integritetin, kredibilitetin dhe besueshmërinë e kësaj gjykate. Në këtë drejtim, kjo gjykatë duhet të jetë më proaktive në komunikim me publikun dhe të sigurojë jo vetëm publikun në Kosovë por edhe dëshmitarët dhe të gjitha palët në procedurë lidhur më sigurinë fizike dhe juridike të tyre”.

Për avokatin kosovar, Arianti Koci, periudha prej gjashtë muajve për shqyrtimin e një lënde gjyqësore është optimale.

Për të ka disa opsione që gjykata i konsideron në lidhje me konfirmimin ose jot ë aktakuzës.

“Pas afatit 6 mujor i kemi disa opsione: 1. Aktakuza hedhet. Në atë rast, bëhet publike hedhja e aktakuzës; 2. Aktakuza konfirmohet, dhe i akuzuari dhe opinioni publik informohen se është konfirmuar aktakuza; 3. Aktakuza konfirmohet, por nuk bëhet publike, për shkak se gjykata e konsideron se është interes i drejtësisë që të mos bëhet publike aktakuza, deri në paraqitjen e parë të të akuzuarit”.

Rasti i publikimit të aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit dhe të tjerëve për Kocin është precedent.

“… dhe prokuroria ka tentuar ta arsyetojë këtë veprim të pazakonshëm. Sidoqoftë, mbetet në të ardhmen të shihet se pse ka vepruar në atë formë prokuroria”.

Ai thekson se pas arrestimit të sotëm të Salih Mustafës mund të ketë edhe arrestime të tjera.

“Aktivitetet e prokurorisë janë shtuar shumë ditëve të fundit. Besoj që do të ketë ngritje të ndonjë aktakuze. Sot e kuptuam që një aktakuze është konfirmuar, duke u pasuar edhe me një arrestim. Sidoqoftë, nëse e ndjekim logjikën e deritashme, mund të ketë edhe arrestime të tjera”.

Sot Gjykata Speciale ka bërë arrestimin e parë në Kosovë, ku i arrestuari është Salih Mustafa, ish Shefi i Inteligjencës së FSK-së dhe ish epror i UÇK-së në zonën Operative të Llapit./KK

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat