Dosjet e Speciales: Juristët tregojnë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të publikojnë mediat në Kosovë dhe rajon

Aktuale

Dosjet e Speciales: Juristët tregojnë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të publikojnë mediat në Kosovë dhe rajon

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 21:27
Gjykata Speciale

Brenda pak javëve, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka pranuar mijëra faqe të Dosjeve të Gjykatës Speciale, që siç thonë ata, në këto dokumente përfshihen  edhe emrat e dëshmitarëve të mbrojtur.

Por, a duhet që këto dokumente të publikohen nga mediat?

Juristët thonë se të gjitha dokumentet e Gjykatës Speciale që mbajnë vulën konfidenciale ose rreptësisht konfidenciale, nuk mund të publikohen nga mediat në Kosovë, por edhe jashtë saj.  

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për emrat e dëshmitarëve të mbrojtur, por për secilin dokument që Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka vulosur si  të tillë, pavarësisht përmbajtjes që ka.

Artan Qerkini, avokat i akredituar nga Gjykata Speciale, sqaron për Euronews Albania se pse këto dosje nuk duhet të publikohen nga mediat, por dhe personat e tjerë.

 “Nëse një dokument është i klasifikuar si konfidencial apo rreptësisht konfidencial, mirëpo nga Dhomat e Specializuara, jo nga ndonjë institucion tjetër, atëherë publikimi i atyre dokumenteve në publik është i ndaluar”, tha Qerkini.

Ky rregull sipas tij vlen edhe për mediat në Shqipëri dhe vendet tjera në rajon dhe është e dënueshme me burgim.

 “Nën plotësimin e prezumimeve ligjore që dokumentet të jenë të klasifikuara si konfidenciale apo rreptësisht konfidenciale nga Dhomat e Specializuara ato nuk mund dhe nuk guxojnë të publikohen nga askush, përfshi mediat në vend dhe në rajon…. Jo vetëm mediat, por të gjithë personat që i bëjnë publike dosjet apo çfarëdo dokumenti që është i klasifikuar, rrezikon të ndiqet penalisht”, shtoi avokati.

Veç dokumenteve, pjese e këtyre dosjeve që kanë rrjedhur në publik nga persona të cilët i kanë dërguar ato në Zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është thënë që ka dhe emra të dëshmitarëve të mbrojtur.

 “Kështu që nëse gjykata një personi ja ka dhënë atë status atëherë patjetër që të gjithë, përfshi këtu edhe mediat duhet të përmbahen nga komunikimi i emrit të tij në opinion”, theksoi Qerkini në fjalën e tij.

Pyetur nëse publiku ka interes të dijë përmbajtjen e dosjeve të Gjykatës Speciale avokati ka dalë sërish kundër.

 “Në rastin konkret ekziston një konflikt mes dy të drejtave, dhe atë të drejtës së mediave për ta informuar publikun dhe obligimit apo të drejtës së prokurorisë që të zhvillojë procedura penale me integritet dhe të pacenueshme. Dhe, në këtë drejtim duke  i balancuar këto të drejta ligjvënësi Kosovar ka vendosur që t’i jap një përparësi të lehtë të drejtës së prokurorisë për të siguruar integritet të procedurave dhe për këtë arsye në ligj është parashikuar që të mos publikohen nga mediat të gjitha ato informata apo dokumente të cilat janë të klasifikuara”, tha ai.

E mendimit të njëjtë se këto dosje nuk duhet publikuar është edhe juristja e të Drejtës së Medias, Flutura Kusari.

 “Dokumentet të cilat po përmenden në publik që ndërlidhen me specialen janë informacione, dokumente, shkresa të cilat nuk konsiderohen si dokumente publike dhe publikimi i tyre është vepër penale dhe është e dënueshme deri në 10 vite burg”, tha Kusari.

Kusari shtoi se praktika që në emër të ekskluzivitetit të publikohen këto dosje është e dënueshme.

“Ne kemi parë media edhe në Kosovë e edhe jashtë Kosovës që kanë publikuar informacione të tilla në emër të ekskluzivitetit, gjë që është e dënueshme penalisht, dhe jo vetëm që nuk është në interesin e publikut, por siç e thash i dëmton personat e përfshirë personat e përfshirë me Specialen”, u shpreh juristja.

Juristja e të Drejtës së Medias, Flutura Kusari ka dhe një kërkesë për mediat në Kosovë dhe në rajon.

“I ftoj mediat dhe gazetarët që të mos publikojnë informacione të tilla, për shkak që jo vetëm që do të japin përgjegjësi penale, jo vetëm që do të dëmtojnë rëndë kredibilitetin e tyre, por po ashtu do të dëmtojnë rënd të drejtën për gjykim të drejtë të peronave të përfshirë në proceset që ndërlidhen me Specialen”, apeloi ajo.

Më 24 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë në një komunikatë shtypi falenderoi mediat dhe gazetarët që nuk kanë publikuar këto dokumente.

“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të lavdëruar gazetarët me etikë në të gjithë Kosovën të cilët nuk kanë pranuar të botojnë dokumentet që iu dhanë, si dhe numrin e madh të gazetarëve të cilët vullnetarisht na kanë dhënë dokumentet që ata morën nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së dhe kanë pranuar publikisht se pjesëmarrja në shpërndarjen e një informacioni të tillë mund të ishte krim sipas Kodit Penal të Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat