Kryeministri Hoti reagon për propozimin e Grenellit: Ky është emri i ri i Liqenit të Ujmanit

Aktuale

Kryeministri Hoti reagon për propozimin e Grenellit: Ky është emri i ri i Liqenit të Ujmanit

Nga: P.R Më: 24 shtator 2020 Në ora: 21:54
Richard Grenell dhe Avdullah Hoti

Richard Grenell, i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që Liqeni i Ujmanit, të quhet “Liqeni Trump”.

“Ajo se si të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe Serbi, ka qenë një pikë serioze pavarësisht kompromisit për studim të fizibilitetit për të krijuar vende pune dhe më shumë energji për rajonin… kështu që të dyja palët kanë rënë dakord për një emër të ri: Liqeni Trump”, ka shkruar Grenell në Twitter.

E i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti.

“E kam mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”, ka shkruar Hoti në faqen e tij në facebook, përcjellë “Bota sot”.

“Në shenjë nderimi për rolin e tyre vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen e shtetësisë së Republikës sonë anekënd botës, ne i kemi pagëzuar sheshet më të bukura të qyteteve tona me emrat e personaliteteve më të shquara të Shteteve të Bashkuara Amerikës, si: Presidenti Klinton, Xhorxh Bush, Senatori Bob Dol, Sekretarja Medlin Olbrajt etj. Kosova dhe qytetarët e saj do t’u jenë përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat, siç thoshte Presidenti Rugova, ne kemi miqësi speciale dhe të përhershme. Është traditë dhe kulturë jona për ta nderuar Mikun! Këtë traditë fisnike të të parëve tanë, ne do ta ruajmë dhe do ta kultivojmë gjithnjë!”, shkruan ndër tjerash kryeministri Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat