Katër dëshmitarë rrëfejnë për ditën kur i kishin parë dy të dëmtuarit që ishin rrahur nga forcat serbe

Aktuale

Katër dëshmitarë rrëfejnë për ditën kur i kishin parë dy të dëmtuarit që ishin rrahur nga forcat serbe

Më: 25 shtator 2020 Në ora: 15:29
Gjykimi ndaj Nenad Arsiq

Me dëgjimin e dëshmitarëve ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, Nenad Arsiq.

Ai akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se në bashkëkryerje me personat tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, kanë marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, ashtu që kanë shkuar në pronën e familjes Shala në lagjen “Emshir” në Prishtinë, ku fillimisht kishin larguar të gjithë personat që kishin ikur nga zonat e konfliktit dhe ishin strehuar tek familja Shala.

Gjatë seancës së mbajtur të premten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë dëgjuar katër dëshmitarët e propozuar nga prokuroria, Vahid Halili, Behlul Shehu, Rexhep Berisha dhe Agron Haziri.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Vahid Haliti bëri të ditur se  gjatë kohës së luftës ka jetuar në Prishtinë, në lagjen “Emshir”, ku më pas ishte depërtuar për në Maqedoni.

Dëshmitari deklaroi se pas depërtimit për në Maqedoni ku kishin udhëtuar me tren, vetura e tij ishte vjedhur dhe të njëjtën, edhe pse e kishte kërkuar pas luftës, nuk e kishte gjetur asnjëherë.

“Nga Maqedonia jam kthyer më 18 qershor 1999, në shtëpinë time kishte hyrë policia, se aty ka qenë një djalë i mikut të cilin e kanë rre mizorisht me dru” shtoi ai.

Në pyetjen e prokurores speciale Drita Hajdari, se a kishin hyrë forcat serbe nëpër shtëpitë në lagjen “Emshir”, dëshmitari deklaroi se po, duke shtuar se kishin hyrë edhe në shtëpitë e fqinjëve të tij, Jakup dhe Skender Shala.

“Në muajin maj dajën tim me djemtë e tij e kanë depërtu në Maqedoni, prej djalit të një kojshie kam dëgju që Skënderin dhe Jakupin i kanë rreh shumë fortë” tha ai, duke shtuar se pas luftës Isaku i kishte thënë se Jakupin dhe Skënderin i kishin rrahur shumë.

Ai shtoi se Jakupi i kishte thënë se e njeh mjaftë mirë personin që ua kishte bërë këtë, por që lidhur me emrin e këtij personi tha se nuk e kishte pyetur.

Pas dëgjimit të dëshmitarit Haliti, u dëgjua dëshmitari Behlul Shehu, i cili para trupit gjykues dëshmoi se si forcat serbe kishin hyrë në lagjen “Emshir” pas bombardimeve të NATO-s.

“Tek unë jon hi, qatë dit që kanë hi te Jakupi. Atë ditë na thanë boni gati letërnjoftimet dhe nëpër dhoma këqyrshin, kurgjo nuk kanë marr. Kërkuan me hyp në tavan me këqyr çka ka, kur shkum nalt ma vendosën automatin në shpinë” deklaroi dëshmitari, i cili tha se më pas forcat paramilitare serbe u larguan nga shtëpia e tij.

“E kom një shpi të vogël, ata e panë që s’ka kurrgjë e s’morën sen, “Golfin” dashtën me marr po se morën hiq”, shtoi ai.

Dëshmitari deklaroi se policët i kishin parë në gjithë lagjen më datën 21-22 maj, ndërsa në shtëpinë e tij kishin hyrë rreth orës 16:00.

“Pasi u larguan policët unë shkova të vëllai, atë e kishin rreh, më pas shkum te Jakupi, ata e kom pa rat s’mujke hiq me livrit krejt vred ish kon s’kish pas ven që se kishin rreh, ndërsa Skënderi mujke me lëviz kapak”, rrëfeu ai ngjarjen pas largimit të forcave serbe.

Dëshmitari deklaroi se shtëpinë e Jakupit e kishin shkatërruar po ashtu edhe oborrin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Fola me Jakupin e Skënderin, i pyeta pse ju rrehen kaq shumë, ata thanë se na lypën pare, nuk e di nëse ju kanë dhanë pare apo jo”, shtoi dëshmitari.

Tutje, ai deklaroi se atë ditë nuk i kishte pyetur se kush i kishte rrahur, por sipas dëshmitarit pas disa dite i kishte thënë se një person nga Çagllavica kishte qenë në grup me policët qe e kishin rrahur.

“Mas një kohe Jakupi më tha që ja kamë gjete shtëpinë personit që më ka rreh”, deklaroi ai, duke shtuar se shtëpia e tij kishte qenë, shtëpia në të cilën kishte jetuar një grua e quajtur Angjelika Qup dhe me të cilën kishte pasur biznes djali i motrës së tij.

“E njoh dhe e kam njoftu para luftës e edhe gjatë luftës, gjatë kohës së luftës i ka ndihmu motrës sa ka qenë lufta e mas luftës me këtë djalin e motrës punojshin tregti, shitshin lule dhe sot se di a jon bashkë”, tha dëshmitari.

“Angjelikën e kemi pyet për Nenadin por nuk na ka kallëzu, më doket më ka thonë e ka emrin Sllobodan”, tha Shehu.

Pas dëshmisë së Shehut, u dëgjua edhe dëshmitari Rexhep Berisha.

Berisha deklaroi se gjatë vitit 1999 kishte jetuar  në lagjen “Emshir”, ndërsa në kohën e bombardimeve deklaroi se kishte qenë në shtëpi.

“Atë dit kanë hy në shtëpi ku kemi pasur të strehuar edhe vajzat rëne dhe fëmijët e vëllait, ata kanë qenë me maska dhe i qitën jashtë i rreshtun. Ma morën djalin 20 vjeçar jashtë dhe pritshin deri të vjen reni me i marr, se i merrshin të rinjtë”, deklaroi ai.

Dëshmitari Berisha deklaroi se ia kishte dhënë policit 200 marka të atëhershme dhe më pas ia kishin liruar djalin, duke shtuar se përpos ofendimeve të zakonshme nuk kishin përjetuar keqtrajtime.

Ndërkaq lidhur me atë se çfarë u kishte ndodhur Jakupit dhe Skënderit, dëshmitari deklaroi se pas largimit të policisë kishte shkuar për t’i vizituar, pasi tha se gjatë gjithë kohës kishte dëgjuar britma e sharje tek shtëpia e tyre.

“Kur kom shku i kom pa të dërmum, sidomos Jakupin, ata kanë qenë të mavijosur, s’kanë pas vend pa shenja. Dyert e shtëpisë të hapuna shtëpia e shkatërruar. Unë shkova me ju ndihmu se krejt kojshit shkun me ju ndihmu” tha dëshmitari.

Në pyetjen e prokurores, se a e kishte parë ndonjëherë tani të akuzuarin apo nëse kishte dëgjuar ndonjëherë, dëshmitari deklaroi se jo nuk e kishte parë ndonjëherë dhe as nuk kishte dëgjuar.

“Si Nenad kam dëgju, por nuk e di cili Nenad”, tha dëshmitari.

Më pas, seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Agron Haziri, i cili deklaroi se gjatë bombardimeve të NATO-s kishte qenë në shtëpinë e tij në lagjen “Emshir”, ku pas bombardimeve aty kishte pasur operacione policore.

“Atë ditë ka pas goxha shumë polic në gjithë lagjen, kanë ardh prej ujësjellësit me kerre dhe në këmbë, më pas dy kojshi tanë i kanë rreh, Sknderin dhe Jakupin”, tha dëshmitari.

“E kom pa Jakupin ratë, krejt trupin shenja e kish pas edhe më tha që më kanë rreh më kanë bo llom. Edhe shpinë llom e kishin pas”, deklaroi Haziri, duke shtuar se Jakupi i kishte thënë se e di se kush ishte personi që e kishte rrahur.

Në pyetjen e prokurores Hajdari, se ku kishte qenë dëshmitari i quajtur Genc, dëshmitari deklaroi se ai fillimisht kishte qenë i fshehur e më pas kishte bërë video incizim me kamerë.

“Aty ka qenë edhe Genci, niher u mshef te reka e masnej ka incizua me kamerë”, tha ai.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, prokurorja Hajdari propozoi dëgjimin e policit hetues, i cili ka qenë prezent me rastin e identifikimit të të akuzuarit.

Mirëpo, ky propozim u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit Arsiq, avokati Dejan Vasiq.

Megjithatë, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Albina Shabani-Rama deklaroi se do të vednoset jashtë seance lidhur me propozimin e prokurores speciale.

Gjykimi për këtë rast pritet të vazhdojë me 1 tetor 2020, nga ora 10:00, me dëgjimin e dëshimtarëve të propozuar nga mbrojtja.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 6 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Nenad Arsiq, duke e akuzuar se gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare kundër personave dhe pasurisë që janë të mbrojtura me dispozitat përkatëse në Konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari më 21 maj 1999, në bashkëkryerje me personat tjerë të forcave policore serbe, deri më tani të paidentifikuar, kanë marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë, ashtu që kanë shkuar në pronën e familjes Shala në lagjen “Emshir” në Prishtinë, ku fillimisht kishin larguar të gjithë personat që kishin ikur nga zonat e konfliktit dhe ishin strehuar tek familja Shala.

Sipas aktakuzës, pasi në shtëpi kishin mbetur vetëm të dëmtuarit Jakup dhe Skender Shala, i akuzuari me dashje ka vepruar në mënyrë çnjerëzore dhe ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të dëmtuarve duke i rrahur për një kohë të gjatë me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar vuajtje dhe dëmtime të rënda trupore, duke i fyer dhe sharë dhe me dashje ka marrë pjesë në poshtërimin dhe trajtimin çnjerëzore të dëmtuarit Jakup Shala, i cili edhe pas ishte i lënduar rëndë, e kishte detyruar me forcë të pijë alkool dhe të këndojë këngë serbe, të cilët të dëmtuar vuajnë edhe sot nga këto tortura.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krimet e luftës kundër popullsisë civile, nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144, paragrafi 2, nënparagrafi 2.2 dhe 2.3 lidhur me paragrafin1, nënparagrafin 1.2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë kohë dhe vendin e  lartcekur, i akuzuari në  bashkëkryerje me personat tjerë të forcave policore serbe, të paidentifikuar, në aksionin kundër popullatës civile, me dashje kanë marrë pjesë në shkatërrimin masiv të pasurisë si dhe përvetësimin që nuk mund të justifikohet me nevojat ushtarake.

Në aktin akuzues thuhet se ata në kërkim të parave dhe gjërave me vlerë, kanë marrë pjesë në bastisjen e shtëpive të familjes Shala, me ç’rast kanë dëmtuar pronën dhe kanë bastisur fermën e të dëmtuarit Jakup Shala, me ç’rast kishin gjetur dhe përvetësuar 3200 litra naftë të mbushura në fuqi, 200 mijë marka të fshehura në shtëpi si dhe kanë përvetësuar shtatë makina  të ndryshme të familjes Shala.

Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës nga neni 144, paragrafi 2, nënparagrafi 2.4, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafin 1.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat