E paralajmëroi se do ta mbyste, detaje nga aktakuza ndaj burrit që dyshohet se vrau gruan me shufër metalike në Kamenicë

Aktuale

E paralajmëroi se do ta mbyste, detaje nga aktakuza ndaj burrit që dyshohet se vrau gruan me shufër metalike në Kamenicë

Më: 25 shtator 2020 Në ora: 15:57
Nuhi Mavrovqani

Nuhi Mavrovqani, 42 vjeçar po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan për vrasjen e gruas së tij 34 vjeçare, Sabile Mavrovqani më 25 korrik të këtij viti rreth orës 12:00, duke e goditur shumë herë me shufër metalike në shtëpinë e tyre në fshatin Berivojcë të Kamenicës.

Sinjali ka siguruar aktakuzën e plotë, ku Nuhi Mavroqani, pasi kishte vrarë gruan, ka thënë se në momentin që e ka marrë gypin e hekurit e kishte paralajmëruar atë që të mos i afrohej se do ta mbyste.

Prandaj ai po akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”, për të cilën prokurori i rastit, Arben Ismajli, e ka dërguar në Gjykatën Themelore të Gjilanit dhe ka propozuar  që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit dhe të shpallet fajtor për këtë vepër.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

Në aktakuzë thuhet se në ditën e 25 korrikut, në shtëpinë e Nuhiut dhe Sabile Mavrovqanit ka filluar një mosmarrëveshje familjare. Sipas prokurorit të rastit, Arben Ismajli, Nuhiu me dashje ka vrarë gruan e tij, Sabilen, me një shufër metalike të një gjatësie rreth 73 centimetra dhe e një trashësie 2.2 centimetra.

Sipas aktakuzës gjithçka ka filluar pas një fjalosje, e cila më pas përfundoi, pasi  42 vjeçari filloi ta godas gruan e tij të ndjerë fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe njëherë në anën e majtë të kokës e cila më pas është rrëzuar në tokë.

Edhe pasi e ndjera kishtë rënë në tokë, sipas aktakuzës, thuhet se Nuhiu kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë të hapura në kokë, thyerje në anën e majtë të kafkës së kokës, ku e ndjera nuk arriti t’i mbijetojë atyre plagëve.

Në ngritjen e aktakuzës, prokurori Ismajli është bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, deklaratën e familjarit të së ndjerës, Sabile Mavrovqanit si dhe raportet e zyrtarëve policorë, raportit të vendit të ngjarjes kur kishte ndodhur vrasja, raportin mjekësor të QKMF-së në Kamenicë si dhe raportin e autopsisë.

Deklarata e të akuzuarit, Nuhi Mavroqani

Në aktakuzën e siguruar, thuhet se në deklaratën e dhënë në Polici, i akuzuari Nuhiu ka thënë se në momentin kur e ka marrë gypin e hekurit dhe ka hyrë në shtëpi, e ka paralajmëruar të ndjerën që të mos afrohet sepse do ta mbysë dhe në ato momente derisa kishte qenë në këmbë, e  ka goditur në parakrahun e dorës së majtë dhe në kokë dhe pasi ka rënë e ndjera në tokë, ai përsëri ka vazhduar ta godas disa herë në pjesën e kokës.

I akuzuari ka deklaruar para prokurorit të rasit se me të ndjerën kishte pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme, ku edhe para 2-3 vitesh ishte iniciuar rast, pasi që Nuhiu kishte rrahur me bisht të shatit duke i shkaktuar asaj lëndime trupore.

 “Ditën kritike ishte zgjuar herët për të shkuar në punë dhe për shkak se vajzat e tij ishin ankuar se nëna Sabilja po i rrahte dhe për këtë arsye ai nuk kishte shkuar në punë dhe kishte dalë në oborr për të rrafshuar dheun dhe rreth orës 10:00 kishte hyrë brenda në shtëpi ku i kishte ndërruar fëmijët dhe ishte përgatitur ushqim për ngrënje dhe fëmijët i kishte vënë në gjumë.  Pas pak kohe kishte kërkuar nga e ndjera Sabilja nëse e ka përgatitur ushqimin dhe në ato momente kishte filluar mosmarrëveshja ndërmjet tyre ku e kishte goditur me grusht në kokë dhe kishte dalë jashtë në oborr e kishte marrë një gyp të hekurit dhe me të njëjtën e kishte goditur në kokë tani të ndjerën duke e rrëzuar në tokë dhe nuk i kujtohet se ku dhe sa herë e ka goditur tani të ndjerën të cilën e kishte gjakosur dhe nuk i kishte ofruar ndihmë e pastaj kishte marrë fëmijët e i kishte nxjerrë nga shtëpia dhe e kishte thirrur vëllain e tij për t’i marrë fëmijët“, ka thënë Nuhiu para prokurorit Ismjali.

Edhe vëllai i Nuhiut, ka dëshmuar në prokurori, ku ka thënë se në ditën kritike ka qenë duke punuar në mal, kur ka marrë një telefonatë nga Nuhiu, i cili i kishte thënë të shkojë në shtëpinë e tyre.

Ndërsa vëllai tjetër i 42 vjeçarit, R. Mavrovqani ka thënë se i vëllai ka qenë i martuar për pesë vite me Sabilen dhe nuk kanë pasur mosmarrëveshje deri në atë ditë, kur kishte marrë telefonatë nga vëllai për t’i marrë fëmijët, pasi që siç i kishte thënë Nuhiu “Sabilja ka vdekur”.

Kurse vëllai i të ndjerës ka deklaruar se nuk kishte njohuri se motra e tij ka pasur mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj.

Gjithë kjo ngjarje ishte zhvilluar në dhomën e ndejës në shtëpinë e Nuhi e Sabile Mavrovqanit.

Në raportin e autopsisë kontatohet se vdekja e të ndjerës, Sabile Mavroqanit ka qenë e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes në tru, e shoqëruar me thyerje të kockave të përshkruara edhe më lartë, për shkak të përdorimit të shufrës metalike.

Aktakuza ndaj të akuzuarit është ngritur dje nga Prokuroria Themelore e Gjilanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat