Propozimi i Hotit për “Liqenin Trump” po konsiderohet “flirt politik”

Aktuale

Propozimi i Hotit për “Liqenin Trump” po konsiderohet “flirt politik”

Më: 25 shtator 2020 Në ora: 21:05
Liqeni i Ujmanit

Gjithçka filloi si shaka, nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e tash po merret shumë seriozisht nga kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti.

Grenelli në një prononcim për mediat amerikane pati deklaruar se mospajtimet e palës kosovare dhe asaj serbe për emrin rreth liqenit të Ujmanit i kishte zgjedhur ai me një propozim të vetëm.

‘’Nëse vazhdoni të grindeni për emra, mbiemra e simbolika të tjera pa kuptim s’do të arrijmë askund. Lëreni anash këtë diskutim dhe të përqendrohemi në çështje më madhore. Në fund, të dyja palët pranuan që emri për Ujmanin të jetë i përbashkët, por në formë shakaje unë u thashë se nëse nuk mund të bini dakord për emrat, thjesht do ta quajmë liqeni Trump’’, kishte thënë Grenelli asokohe.

Këtë deklaratë të Grenellit, rreth emërimit të Ujmanit, krahëhapur e priti kryeministri Hoti. Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ndër të tjera tha se është traditë dhe kulturë që të nderohen miqtë.

Derisa qytetarë të vendit thonë se emërtimi për Ujmanin nuk do të duhej të vihej në diskutim dhe se me këtë po kalohet kufiri i respektit për Amerikën.

Ndërkohë, që sipas profesorit të gjeografisë në UP, Fitim Humolli, një veprim i tillë më shumë mundet të konsiderohet si flirt politik, sesa diçka serioze.

“Fatkeqësisht më duhet ta pranoj se shqiptarët e Kosovës kanë dëshmuar që 20 vjet pas luftës se nuk kanë memorie kolektive. Ne harruam dhe nuk ruajtëm sa duhet gjërat më të dhimbshme të historisë së fundit. Ne kemi humbur memorien nga sistemi 50-vjeçar socialist në Ish-Jugosllavi, kemi humbur edhe më shumë, historitë edhe më të vjetra. Njëjtë jemi sjellë edhe me vendbanimet, përkatësisht emërtimet e tyre. Janë formuar komisione sa për të thënë, e asnjëherë për të bërë emërtime të qëndrueshme. Është Podujevë apo Besianë, është Suharekë apo Therandë, njëjtë sikur është Gazivodë apo Ujman?!

Kjo injorancë e shoqërisë sonë më mirë se nga gjithkush, përçohet nga politikanët tanë. Në fakt, do të duhej të ishte ndryshe. Flirti me këto emërtime është i ultë dhe ka vetëm qëllime të konsumit ditor politik’’, ka thënë Fitim Humolli, ligjërues i Gjeografisë Ekonomike në UP.

Derisa gjatë ditës, nëpër rrjetet sociale, kanë qarkulluar edhe fotografi me mbishkrime me emrin “e ri’’ të vendosur nga Grenelli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat