“Dita e Speciales”, përmbledhje e gjithë asaj që ndodhi të premten: Arrestime, deklarata dhe reagime

Aktuale

“Dita e Speciales”, përmbledhje e gjithë asaj që ndodhi të premten: Arrestime, deklarata dhe reagime

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 00:26
Foto ilustrim

Rreth tetë orë ka zgjatur bastisja e hetuesve të Speciales në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës ( OVL-UÇK) në Prishtinë.

Gjatë bastisjes u arrestuan edhe dy figurat kryesore të kësaj organizate, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj.

Aksioni i hetuesve të Speciales filloi në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovën për gjatë kësaj kohe qëndruan jashtë zyrave të kësaj organizate.

I pari i cili e konfirmoi bastisjen ishte sekretari i OVL e UÇK-së, Faton Klinaku, i cili para mediave tha se hetuesit e Speciales nuk kanë prezantuar letër për bastisje.

“Isha në zyre, këta zotëri nuk prezantuan letër për bastisje. Nëse shteti jonë nuk merr masa ndaj këtyre krimineleve, do të na duhet të luftojmë sikurse me Jugosllavinë”, kishte thënë Klinaku para mediave.

Përderisa në zyrat e OVL-UÇK-së vazhdonte bastisja, disa nga hetuesit e Speciales e arrestuan kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucatin.

Lajmin për arrestimin e Gucatit e kishte konfirmuar avokati, Tomë Gashi.

Ai po ashtu kishte bërë të ditur se Gucati do të dërgohet në Hagë për intervistim.

“Tani u arrestua nga policia e EULEX-it kryetari i OVL të UÇK, zoti Hysni Gucati dhe do të transferohet në Hagë! Bastisjet po vazhdojnë”, kishte thënë ai.

Derisa hetuesit e Speciales ishin brenda zyrave të OVL-UÇK-së, një numër i qytetarëve ishin grumbulluar para kësaj organizate, të cilët edhe e kundërshtuan arrestimin e Gucatit.

Orë më vonë, në zyrat e OVL-UÇK-së, u paraqit edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Para mediave, Haradinaj shprehu shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet e fundit, ndërsa pas fjalimit, ai u arrestua nga hetuesit e Speciales.

“Ne nuk e njohim këtë gjykatë. Kjo çfarë ka ndodhur sot na bën të mendohemi se a kemi shtet, a kemi organe shtetërore, a kemi parlament, edhe pse e dimë çfarë e kemi. A kemi Kushtetutë? A ka të drejtë dikush të hyjë në dhomën e gjumit pa trokit, as në zyre nuk bën të hyjë askush pa trokit. EULEX sillet kështu me neve sepse nuk na konsideron njerëz, nuk na intereson të denjë. Specialja nuk është e Kosovës”, kishte thënë ai.

Haradinaj fillimisht ka refuzuar të shkojë në veturën e hetuesve të Speciales, por më pas ka hyrë në veturën e Policës së Kosovës.

Bastisja ka përfunduar rreth orës 19:00.

Në fund të aksionit, hetuesit e Speciales sekuestruan nga zyrat e OVL-UÇK-së me disa shtëpiza të kompjuterëve.

Lajmin e bëri të ditur sekretari i OVL-UÇK-së, Faton Kliniku.

“Sot ka ndodhur në bastisje e jashtëligjshme pasi Gjykata Speciale nuk ka mandat prej datës 2 gusht. Pjesëtaret e Speciales kanë ardhur si në kohën e ish-Jugosllavisë”, kishte pohuar Klinaku.

Klinaku ka thënë se bastisje ka zgjatur pasi ai nuk ka pranuar që të bastisen zyrat pa qenë ai prezentë në çdo dhomë.

“Në ato dokumentacione që janë kontrolluar nuk ka asgjë përpos shkresave të pranuara nga OVL UÇK, pastaj vërtetimeve që ua lëshojmë studentëve etj”.

Klinaku ka thënë se bastisja tashmë ka përfunduar dhe janë marrë vetëm shtëpiza të kompjuterëve.

“Ne jemi të fundit që dalim nga zyrat”, deklaroi më tej Faton Klinaku.

Pas përfundimit të aksionit brenda zyrave të OVL-UCK-së, nga Haga erdhi edhe konfirmimi zyrtar për arrestimin e Hysni Gucatit.

Në njoftim thuhet se Gucati është arrestuar sot nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim”.

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në”, në njoftimin e Speciales.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se pas arrestimit të kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, është transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Siç njofton Specialja për Gucatin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Zhvillimet e ditës së sotme kanë nxitur reagime të shumta të udhëheqësit politikë në Kosovë.

Reagimi i presidentit, Hashim Thaçi:

“Siç tregon historia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë lëvizje vullnetare, pjesë e rezistencës civile dhe angazhimit për liri e pavarësi në Kosovë dhe si e tillë është njohur nga bashkësia ndërkombëtare.

Ishte edhe shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Duke filluar me gjykatat e UNMIK-ut, Tribunalin për Ish-Jugosllavinë në Hagë, EULEX-in, gjykatat vendore dhe tani me nivelin e 5-të të drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Dhomat e Specializuara. Asnjë i intervistuar apo i akuzuar nuk i ka ikur përgjegjësisë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të drejtësisë.

Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë”.

Reagimi i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj:

“Të nderuar qytetarë, e ritheksoj qëndrimin tim, se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit. Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë. Apeloj te organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që të respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ik drejtësisë”.

Reagimi i Kryetarit të Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi:

“I papranueshëm fakti se si zyrtarët e EULEX-it bastisin dhe arrestojnë në zyrat e OVL-së, pa asnjë paralajmërim. Kjo situatë i ngjason një situate ku aparati shtetëror nuk ekziston.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk meriton një trajtim të tillë! Kemi qenë dhe do të jemi të bashkuar në çdo padrejtësi që na është bërë dhe na bëhet”.

Reagimi i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri:

“UÇK-ja është krenaria e Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar, falë luftës së lavdishme dhe të pastër që bëri kundër okupatorit serb ne sot gëzojmë lirinë. Ata që e inicuan dhe votuan Gjykatën Speciale, duhet të ndihen të turpëruar.

Besoj në drejtësi dhe padyshim që pjesëtarët e UÇK-së do ta dëshmojnë pafajësinë e tyre, duke u kthyer faqebardhë në vendin e tyre”.

Ndryshe, Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat