Deputetja e LVV-së: Ministri Zemaj po bën praktikë në shëndetësi

Aktuale

Deputetja e LVV-së: Ministri Zemaj po bën praktikë në shëndetësi

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 13:00
Armend Zemaj

Edhe pse numri i rasteve me Covid-19 në Kosovë ka filluar të ulet, përmirësimi i gjendjes nuk po i atribuohet ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Aq më shumë, nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e kishte në menaxhim më të mirë pandeminë.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Fatmire Kollçaku,është shprehur se përmirësimi i gjendjes me Covid-19 në vend, nuk duhet t’i atribuohet ministrit Zemaj.

Sipas saj, nuk duhet as të relaksohemi pas uljes së rasteve me këtë virus, pasi që vala e dytë e tij tashmë ka filluar në disa shtete.

“Duke parë situatën në shtetet tjera, ku e kanë pasur valën e dytë të virusit, ne nuk guxojmë të relaksohemi dhe të shikojmë kujt t’ia atribuojmë këtë situatë. Është e qartë se ka aq shumë probleme në shëndetësi dhe duhet ta dimë se nuk është vetëm Covidi”, ka thënë ajo.

Kollçaku ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë shumë e kujdesshme në të gjitha veprimet që merr, sidomos në lehtësimin e masave gjatë kohës së pandemisë.

Sipas saj, për këtë duhet të vlerësohet edhe situata në regjion, duke e marrë parasysh që mund të presim rritje të rasteve me Covid, e po ashtu edhe raste me grip sezonal.

“Çdo masë lehtësuese duhet të jetë e argumentuar. Duhet të shkojmë në të ardhmen drejt lirimit të masave, mirëpo çdo masë duhet ta analizoj qeveria shumë mirë. Ne tani kemi qëndruar shumë në vende të hapura, ndërsa nëse qëndrohet në hapësira të mbyllura rritet mundësia për përhapje të virusit”, ka thënë ajo.

Përndryshe sipas saj, Qeveria Kurti kishte pasur prioritet fushën e shëndetësisë, kështu edhe kishte marrë lëvdata nga institucione botërore për menaxhimin e pandemisë.

Kollçaku ka konsideruar se po të vazhdonte të qeveriste Vetëvendosje, do të kishim një situatë edhe më të mirë me pandeminë.

“Ne jemi dëshmitar që në kohën kur ka qeverisur Qeveria “Kurti”, ne morëm lëvdata në nivel botëror nga institucione që bëjnë menaxhimin e punës së pandemisë. Nuk kam dyshim që sikur të kishte vazhduar atë kohë Qeveria Kurti, do ta kishim një situatë shumë më të mirë”, ka theksuar ajo.

Ajo ka thënë se ministri Zemaj nuk ka qenë i përgatitur për fushën e shëndetësisë, andaj tani ai është duke mësuar për këtë fushë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat