Qun Lajçi rrëfen se si deshi ta denonte policia për maskë

Aktuale

Qun Lajçi rrëfen se si deshi ta denonte policia për maskë

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 13:39
Qun Lajçi

Aktori i njohur i yni Qun Lajqi, me anë të një tregimi fantastik, ku shpalos kujtimet e tija nga xhirimet e një filmi në bjeshkë, tregon se si deshi policia ta denonte derisa ky po shiste librat e tij.

Quni në këtë rrëfim përshkruan kujtimet e tija autentike nga bjeshkët e larta të rugovës.

Postimi i plotë:

(Mos e pelqeni kot, po lexojeni!)
Kur sosen rrugët nuk mbaron Shqipnia
Ekipi kishte zbritë n’Boge. Kishin mbetë pak ecje, pak shikime, pak kalime kohore t’ushtarit malazez, Adem Karagës, të cilit po i shkonte roli për mrekulli.

Bile s’di se kush do ta portretizonte kaq madhërishëm!
Unë ia pata lakmi.
Ishte ma shumë se shkja, se cernagor që mahnitet me bujarinë e fisnikrinē e nanës Sofi, asaj Zoje Prëkjës, shoshjanës që iu vra djali, Nikë Delia, n’vitin 1941.
I ra n’konak malazezi, n’besë, dhe ajo ia sheroi plagët vrasesit të djalit, dhe mëqense i kishte ra n’dore, nuk i lejoi burrat me ia vra, por ua la amanet me ia përcjellë, shëndosh e mirë, përtej kufinit!

Heret n’mëngjes kishin shkua n’luginat e Bogës, me shpresë se atje s’do t’binte shi, si këtu të Buni i Bajraktarit, që rrin mbi vetullat e Thethit e sy-m’sy me Bigën e Shalës.
Mua m’thanë prit këtu, n’Qafë Thore, se me ty xhirojmë mbasdite, n’Gropën e Portës!
Të gjithë mbaruen xhirimet dje dhe ikën, mbetëm vetëm dy malsorët me shkjaun malazez. Unë Martini e Zefi i vogël, djaloshi i kësaj Malësie që studjon n’Londër, e Ademi i Kërçovës.
Edhe Gala, kuptohet, kjo fsnikja ime që m’rrin gati.

Asht dita e fundit e xhirimeve. Gjithçka asht filmua, pos përcjelljës se ushtarit malazez dhe vrasjës së tij, nga ushtria e vet, po sa ta shkelë Cernagorën.
E pse?
Sepse, n’shej falenderimi për mikpritje e bujari, pushkën ia falë Zefit e plisin e tij e ven n’kryet e vet, dhe e kalon kufinin plot mall për Shalë e Shosh!

Por ah, këto uniforma, që nanat tona s’i dalluen, e këta plisa t’bardhë që tjerët si duruen, banë që t’vriten dy djem të ri:Shkjau i Kolashinit e djali i Shoshit!
Oh sa shumë u shkarkuen nga shiu këto re mbramë!
Oh sa shumë vetuen këto bjeshkë e sa gjama u shkoi këtyne kërshave, nga bubullimat e flakët e verdha!

S’di si duruen këto bujtina pa i marrë era, pa i çua atje poshtë n’zgërlyqet e Shalës!
Kur u zgjova, mjegullat ishin për tokë. As Biga e Shalës që rrin tue i qeshë Qafës Pejës, nuk shihej. Shiu binte turra-turra.
Posa u zhdaravitën mjegullat, e shiu e ndali turrin, e mora sharkinën dhe i thashë nji gazetari, që natën e kaloi me neve, të lutem me filmo, se dua ta kem kujtim nji grimë recitim e kangë, këtu, mu n’qafën ku Fishta i madh ka verua me Anton Arapin. Dhe menzi u ngjitëm të pisha, ku ata kishin meditua dikur.

Fillova me ia dridhë telat sharkisë. Vargjet e Fishtës dolen nga shpirti im, dhe u mbështollën me mjegullën që ra mbi mua e mbi bjeshkën që e mban emnin Shtegu i dhenëve!
A din shka moj gërxheli, (nisa vajtimin),
Mori vjollca n’për frengi,

Mua kripçit m’i ra bora…Dhe shiu pikoi curriel mbi telat e sharkisë. Me vrap u zhdorgjem dhe u strehuem në kafën e vogël, ku hangrëm bukë e mish keci me kos t’dhive, plot shtatë ditë e net, tue na ba hyzmet Gëzim Olaj me Ritën.
Prap bubullima e gjamë bjeshkësh. Prap pritje m’u zhdaravitë mjegullat e me shpresua se shiu ka m’u ndalë e me xhirua nji skenë, ate t’plagosjës se Ademit.

Turruni sokolana, bërtiti dikur vonë, para muzgut Eduart Grishaj, regjisori, t’ia vjedhim Zotit kohën e ta vrasim shkjaun, dhe qeshëm.
Unë me opinga lope, lidhë me sixhima, menzi eca deri të pisha (molika) dyqind vjeçare, asaj rrugës se dhive që t’çon për Nikç!
Por, kur s’e don s’e don, thot gjakovari! Ra terri, dhe skena ime e fundit mbeti për nesër. E nesër m’duhet m’u kthye n’Prishtinë të Learti, se m’ka mbetë vetëm!

Ih, sa heret u zgjuem. Flinte Shoshi, flinte Thethi. Shala ishte n’andrra e lumi i saj sikur s’gurgullonte. As bjeshkët s’bëzanin!
Unë Çun Martini, e Zefi i vogël me Adem shkjaun, me agun e parë zbritëm n’Bogë. Arritëm me përcjellë deri të guri i kufinit me katër shkronja (Kralevina Sërba Hërvata i Sllovenaca) dhe me ia çua n’vend amanetin malsorës Sofi.

Por ah plisat e bardhë, këto kokat e pafajshme shqiptare që kurrë si dueruen këta fqinjët tanë, po sa e panë shkjaun e tyne me plis n’kokë, që e mori për kujtim t’nanës shqiptare që ia shpëtoi jetën, sa po e shkeli tokën e vet, i lumtun që po i kthehej nanës e djalit që do t’i lindte, e vranë ushtarët e vet, tue kujtua se e vranē shqiptarin!

Filmi mbaroi, thashë dhe mora frymë shlirë!
Jo tha Eduart Grishaj, ky djalë ambicioz, që kaq shumë e don filmin e shumë ma shumë Malsinë e vet, do t’ngjitemi edhe njiherë n’vetullat e Shalës. Dua me t’xhirua tue kalua Qafë Thores e mbrapa teje me pa Bigën e Shalës, që aqë
shumë shkroi për te At Fishta.

Nuk ia prisha. Asht i ri, edhe andrrat i ka t’reja, thashë, dhe u nisëm leqeve për me i dalë edhe njiherë Thethit përmbi.
I përbiva me sy mirë ato maje dhe pshëretina: Mos o Zot t’jetë e mbramja herë!
Gjithçka mbaron, si dita si filmi, si andrra si nata. Rrugët mund t’sosen, por jeta jo, as bjeshkët e Malësisë, as Shqipnia nuk soset kurrë, thashë, kur zbrita leqeve për Shkodër.

Me terr u çova n’Qafë Thore e me terr hina n”Prishtinë.
Learti m’priti të dera, por s’i fola se isha i lodhun dhe i mërzitun!
S’di pse?

P.S
Deri sa po i shkrueja këto kujtime, m’u afruen dy polic. Pse s’e ke maskën, m’pyetën? Duhet me të denua!
Jo ma shumë se me pesë libra, bile duhet edhe me m’pritë deri t’shiten, se nuk po lexojnë u thashë, dhe e vuna paçavrën n’hundë!
Eh, kisha harrua se nuk jam n’Theth, me m’ruejtë zakonet e maleve!
Prishtinë, 25.09.20

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat