Avokati i Speciales: S’përjashtohet mundësia e arrestimit të Thaçit dhe Veselit

Aktuale

Avokati i Speciales: S’përjashtohet mundësia e arrestimit të Thaçit dhe Veselit

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 19:00
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Gjykata Speciale e Hagës ka lëshuar një komunikatë për mediat ku ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Sali Mustafës, ish-shef i inteligjencës së Forcave Speciale te Kosovës dhe ish-epror i UÇK-së në Zonën e Llapit.

Sipas Zyrës së Prokurorisë Speciale, Mustafa është transportuar në Hagë pas arrestimit dhe është vendosur në Qendrën e Paraburgimit atje. Sipas komunikatës, aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave.

Ky është arrestimi i parë që bën Prokuroria Speciale në Kosovë me ndihmën e misionit EULEX. Teki Bokshi, Avokat i licensuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale thotë se, ky zhvillim ishte i papritur dhe theksoi se mund të ketë arrestime të tjera.

“Ka qenë një e papritur arrestimi i Sali Mustafës, pasi nuk ka qenë shumë i njohur dhe përmes mediave jemi njoftuar për funksionet që ka kryer para dhe pas luftës në Kosovës”, tha avokati.

Bokshi u shpreh më tej se nuk përjashtohet mundësia që të arrestohen dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut i PDK-së, Kadri Veseli nëse aktakuzat ndaj tyre konfirmohen, pasi Kosova ia ka dhënë këtë kompetencë Gjykatës Speciale.

“Pavarësisht kritikave që ne kemi, praktikisht pritet dhe është e mundshme dhe është në rrugë, pasi po shqyrtohet aktakuza. Kosova ia ka dhënë këto kompetenca dhe është e mundshëm. Vetë fakti që është ngritur një aktakuzë mund të çojë në këtë rrugë”, tha ai.

Lidhur me publikimin e dosjeve, avokati tha se, dikush po përpiqet që të dëmtojë hetimet dhe përjashtoi mundësinë që dokumentet të jenë shpërndarë nga vetë Dhoma e Specializuar.

“Është misterioz, opinioni i juristëve është një skenar, i keq i luajtur nga aktorë jo të mirë. Dhoma e Specializuar është një institucion tepër serioz dhe është e pamundur që kenë rrjedhur prej tyre. Edhe përkthyesit nuk janë shqiptarë”, përfundoi Bokshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat