Daut Haradinaj në ditën e votimit të Gjykatës Speciale: Po ju kqyri në sy dhe po ju lus që mos ta votoni

Aktuale

Daut Haradinaj në ditën e votimit të Gjykatës Speciale: Po ju kqyri në sy dhe po ju lus që mos ta votoni

Më: 27 shtator 2020 Në ora: 12:36
Daut Haradinaj

Tashmë kanë filluar arrestimet e para nga Gjykata Speciale, por ditën kur u votua në Kuvendin e Kosovës, deputeti Daut Haradinaj e kishte kundërshtuar atë, e madje ka kërkuar edhe nga të tjerët që mos ta votojnë.

Më 3 gusht të vitit 2015, kur po votohej Specialja, Haradinaj përmes një fjalimi ka kërkuar nga të gjithë që mos ta votojnë, e këtë e kishte argumentuar edhe përmes një fjalimi.

“Po ju kqyri në sy të gjithëve, ju kam shokë, miq, dashamirë, bashkëluftëtarë edhe ata që po na ndjekin dhe nuk janë këtu ju kisha kut mos ta përsërisim edhe një gabim. T’i japim një notë negative kësaj padrejtësie dhe të mendojmë që këto procese nëse ka nevojë t’i vendosim në Kosovë, t’i kryejmë detyrat tona”, kishte thënë Haradinaj.

Më poshtë fjalimi i plotë i Daut Haradinajt, më 3 gusht 2015:

I nderuari kryeministër,

Zoti ministër, u mundova ta shkurtoj fjalimin se u konsumuan shumë temat, kisha pas dëshirë të kishte qëndruar këtu Agim Çeku të dëgjojë se pikërisht atij do t’ia kisha adresuar një pyetje si kryetar i Komisionit për Verifikimin e Veteranëve, si ish komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe si njeri që vjen prej Qyshkut, babën e tij e kanë vrarë pikërisht se ka qenë vetëm baba i Agim Çekut.

Naim Lushit nga Qyshku po ashtu, ia kanë masakruar krejt familjen dhe e kanë mbajt me vite të tëra në burg duke e terrorizuar, nuk e di Agim Çeku çka ka t’i thotë Qyshkut sonte, apo nesër apo kurdoherë. Me emër të drejtësisë po bëhen padrejtësi edhe sot e kësaj dite një proces gjyqësor vazhdon në Serbi pikërisht për këto masakra. Për të nderuarin Rafet Rama e di që sot është ka bie shi dhe zakonisht reuma prej plagëve, e di që me 5 maj ’97 i ke marrë 5 plumba në trup dhe po at ditë një shok i yti bashkëluftëtar i yti dhe kryetarit të Kuvendit është ra dëshmorë, krahas shumë luftëtarëve tu at ditë ka pas heronj të mëdhenj si Xhevë dhe Fehmi Lladrovci, edhe Ilaz Kodra, të cilët pas shumë betejave edhe udhëheqje të luftës kanë rënë dëshmorë. Blerta Deliu Kodra që doli prej seancës duhet të mendojë mirë dhe ta ruaj at emër, sepse ai mbiemër nënkupton shumë, ai nënkupton luftën dhe sakrificën e madhe të Drenicës dhe regjionit.

Për veprimtaren e shumë çmimeve ndërkombëtare e vendore zonjën Flora Brovina, që me të vërtetë me të drejtë mbi 7 milionë shqiptarë janë gëzuar kur je dal prej burgut, jam i bindur se edhe kësaj radhe ki me ua vërtetu se me të vërtetë e ki merituar at respekt dhe sot kësaj dite do të respektohesh dhe nuk do të luhatesh qëndrimet tua.

Ndërkohë, që po flasim për luftën dhe kontributin, për sakrificat dhe për rezolutën që u mundua ta nxjerr kam qenë dëshmitar edhe në mandatin e kaluar edhe në këtë mandat se Xhevahire Izmaku jo një herë por disa herë ka treguar dhe ka dëshmuar për masakrat të cilat janë zhvilluar në at regjion dhe jam i sigurt që edhe sot ajo i rrinë karshi atij qëndrimi edhe pse sot vajza e saj nuk iu ka drejtuar publikisht. Të lutem, mam mos e voto gjykatën.

Sot në media serioze britanike, shkruan se misioni ndërkombëtar në Kosovë janë degraduar, jam i sigurt që të gjithë pajtohemi me këtë fakt. A ishte dënimi meritor për dy komandantë, për komandantin e përgjithshëm të UÇK-së zotin Sylejman Selimi, për kryetarin e komunës dhe komandantin e Drenicës dënim meritor. A u dënuan këta prej një institucioni degraduar në Kosovë dhe nëse po zoti Bekim Haxhiu duhet të mendoj saktë se a janë misione të degraduara edhe a është ai dënim meritor dhe unë pres prej teje që krahas shumë veprimeve të drejta që i ki bo edhe sot ki me marr një vendim sikurse, me datën 26 qershor.

Kosova që nga viti 2000 e deri më sot ka kaluar në shumë procese gjyqësore në mesin e atyre proceseve gjyqësore është zoti Latif Gashi, Rrustem Mustafa që padrejtësisht 16 vjet janë përballur me procese të ndyta, me procese të montuara. Ata kanë të drejtë sot edhe para opinionit ndërkombëtar, edhe vendor me i thënë jo kësaj gjykate edhe unë jam i sigurt që këta kanë me e thonë.

Kemi pasur procese ndërkombëtare jo vetëm nivelin e Kosovës, por edhe në Tribunalin e Hagës, është filluar me Fatmir Limaj në 2003 dhe shokët e tij, është vazhduar me kryeministër deri tek ushtarët. Kemi pas dhjetëra procese nëpër Kosovë të gjykatave qoftë të UNMIK-ut, qoftë të EULEX-it, qoftë të tribunalit ndërkombëtar dhe tash pas 16 vjetëve po na thonë se duhet edhe njëherë ta pastrojmë luftën për liri. Unë mendoj që gjithë ata njerëz që kanë jetuar në Kosovë qofshin ata shqiptarë, serb apo komunitete tjera e dinë shumë mirë se kush ka bërë agresion në Kosovë.

Unë jam i bindur që deputetët që kanë votuar, më 26 qershor, kundër kësaj gjykate edhe sot do të votojnë kundër. Edhe për fund edhe një fjalë, gëzimin e atyre që e pash në byfe kur zoti Nait

Hasani dëshmonte provat për masakrat në Kosovë e kemi rastin të ua zbehim qitash me një votë kundër kësaj gjykate. Serbët, Serbia në Kosovë aparati shtetëror i ka vrarë edhe fëmijët e vetë në Pejë në rastin Panda vetëm e vetëm me i paraqit shqiptarët e Kosovës, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës terrorist.

Edhe këto procese që i kanë montuar e kanë burimin në Beograd dhe ne sot kemi të drejtë qofshin ata pozitë, opozitë t’i themi jo edhe një padrejtësie tjetër për luftën tonë të cilën unë mendoj që UÇK-ja ka qenë vetëm institucion prijës por përndryshe populli i Kosovës e ka bërë luftën. Po ju kqyri në sy të gjithëve, ju kam shokë, miq, dashamirë, bashkëluftëtarë edhe ata që po na ndjekin dhe nuk janë këtu ju kisha kut mos ta përsërisim edhe një gabim. T’i japim një notë negative kësaj padrejtësie dhe të mendojmë që këto procese nëse ka nevojë t’i vendosim në Kosovë, t’i kryejmë detyrat tona. Ju faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat