“Sot nuk mund ta ndalim Gjykatën Speciale”, Dardan Molliqaj i reagon Albin Kurtit

Aktuale

“Sot nuk mund ta ndalim Gjykatën Speciale”, Dardan Molliqaj i reagon Albin Kurtit

Nga: A.Zh Më: 27 shtator 2020 Në ora: 17:13
Dardan Molliqaj dhe Albin Kurti

Ish-kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Kosovës po i kanoset rreziku i formimit të Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se rreziku i tretë është krijimi i Gjykatës Speciale. Ai tha se nuk janë zhvillime të reja arrestimet e veteranëve të UÇK-së nga Specialja, duke shtuar se para pesë vjetësh i kanë parashikuar këto ngjarje kur është votuar nga PDK-ja e LDK-ja.

“Mirëpo presidenti thoshte se ata që janë kundër gjykatës janë tradhtar, sepse ka shpresuar se gjykata i merr luftëtarët e tjerë e jo atë dhe mendjen e ka pas si të bëhet president për vete e jo çka do ndodhë me UÇK-në. Sot nuk mund ta ndalim atë gjykatë”, ka thënë Kurti, ndërsa shtoi se me VV-në në Qeveri interesat e veteranëve do të mbroheshin.

"Kush po i mbron tash ushtarët e UÇK-së? Është për të ardhur keq se askush nga qeveria, presidenca, institucionet tona nuk po e qelë gojën. Kur po arrestohen në mes të Prishtinës veteranët krerët e institucioneve po heshtin”, ka thënë kreu i VV-së i në mbledhjen e përgjithshme të LVV-së, e cila është mbajtur online.

Atij për këtë deklaratë i ka reaguar ish-bashkëpartiaku Dardan Molliqaj, përcjell Bota sot.

Molliqaj ka thënë se “ata që pyesin për fajtorët e djeshëm, e duan Gjykatën sot”.

“Nuk është vonë as me u mbushë mend. Diskutimi është tash dhe këtu. Ku je ti sot? Çfarë mund të bëjmë sot?”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Reagimi i tij i plotë:

Ku ishe ti kur u votua Gjykata? A ju kemi thanë? Ju ka dalë gjumi vonë! Këto janë frazat më të shpeshta që po i dëgjojmë kur po flitet për arrestimet e fundit të ish pjesëtarëve të UÇK-së nga EULEX-i për Gjykatën Speciale.

Çfarë kuptimi kanë këto fraza? Funksioni kryesor i kësaj propagande është zhvendosja e debatit tek e shkuara. Gjithçka paska marrë fund, gjithçka qenka kryer. Tash krejt çfarë na ka mbetur është shpërndarja e fajeve dhe sidomos e meritave. Konkluzioni logjik: UÇK-ja qenka dashtë të mbrohet vetëm një herë, vetëm në një moment.

Për gjynah. Shumë prej tyre kurrë një pushkë nuk e kanë shkrepur; këta që për kaq shumë kohë kanë kritikuar luftëtarët për rrahagjoks, çfarë po bëjnë sot?! Po kakarisin për të djeshmen, sepse nuk janë gati të tregojnë koherencë sot. Po rrahin gjoks për një moment demek aq historik, kur bota qenka ndarë në dysh. Është ky momenti kur të paepurit i rezistuan edhe presionit bërthamor, por ama nuk e votuan Gjykatën Speciale. Në fakt, ulur në Kuvend ishin, bile s'kishte presion mbi ta sepse votat ishin siguruar. Mos harroni, të njëjtit me mosveprim pamundësuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale në dhjetorin e vitit 2017.

Ku ishe ti kur u votua Gjykata? Heh, Unë isha në frontin e Lindjes në këtë moment apokalipsi kur botës iu parashkrua kjo histori mijëvjeçaresh. Pyeteni veten, si do të silleshin sikur të bënin më shumë sesa një refuzim për të votuar në rrethana krejt komode. Po sikur t'i kishin nga dy dëshmorë për familje e gjymtyrët të lëna nëpër beteja?!

Ku ishe ti kur u votua Gjykata?! Kjo pyetje, më shumë sesa pyetje retorike është mungesë guximi për t'u pozicionuar sot. Siç duket, ata që pyesin për fajtorët e djeshëm, e duan Gjykatën sot. A dëgjuat, sot paskan thënë se Gjykata nuk mund të ndalohet dot më. Adem Demaçi pati thënë: "kurrë nuk është vonë me u koritë". Siç nuk është vonë as me u mbushë mend. Diskutimi është tash dhe këtu. Ku je ti sot? Çfarë mund të bëjmë sot?

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat