Momente krenarie: Sesioni në OKB udhëhiqet nga Besiana Kadare

Aktuale

Momente krenarie: Sesioni në OKB udhëhiqet nga Besiana Kadare

Më: 27 shtator 2020 Në ora: 17:13
Besiana Kadare

Më 22 shtator ka filluar në Neë York Java e Nivelit të Lartë të Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme (AP) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Po gjatë kësaj jave mbahet dhe Debati i Përgjithshëm, i cili përbën një moment kyç në aktivitetin vjetor të OKB-së pasi shërben si një takim i përvitshëm i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të të gjitha vendeve anëtare të Organizatës.

Në fakt, ky vit ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi ky shtet është zgjedhur për herë të parë në postin e Zv/Presidentes së sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme.

Në këtë kontekst, Ambasadorja e Shqiperisë pranë OKB-së, Besiana Kadare, ka drejtuar mbledhjet plenare të Debatit të Përgjithshëm, duke i dhënë fjalën, edhe Kryeministrave të shume vendeve si Italia, Greqia, Kroacia, Spanja, Gjeorgjia, Armenia, etj.

Momenti më i veçantë ka qenë kur Ambasadorja Kadare, në cilësinë e Zv/Presidentes të sesionit, i ka dhënë fjalën Presidentit shqiptar.

Ajo ka publikuar disa fotografi nga mbledhja. Shumë shqiptarë jane ndjerë krenar për këtë arritje dhe kanë komentuar gjerësisht në mediat sociale.

Shqipëria u përfaqësua në Debat nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili në fjalën e tij, theksoi se Shqipëria është e angazhuar fuqimisht në mbështetje të multilateralizmit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në adresimin e sfidave globale dhe pasojave të COVID-19.

Zgjedhja ne postin e zv/Presidentes i jep Shqipërisë shumë vizibilitet dhe peshë politike në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar kështu angazhimin gjithnjë e më aktiv të Shqiperisë në diplomacine shumëpalëshe.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat