“Edhe populli është pajtuar të jetojë me krimin dhe kriminelët. "Siç është mbreti, është mileti!"

Aktuale

“Edhe populli është pajtuar të jetojë me krimin dhe kriminelët. "Siç është mbreti, është mileti!"

Nga: H.O. Më: 27 shtator 2020 Në ora: 21:23
Kuvendi i Kosovës

Publicisti Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot”, lidhur me ngecjet në fushën e njohjeve të reja për Kosovën, thotë se përfaqësues të shteteve, në veçanti, të Quintit, të institucioneve përkatëse, evropiane e botërore, kanë apeluar që shtetarët e pushtetarët e Kosovës, ta luftojnë krimin dhe korrupsionin.

“Por, zyrtarët shtetërorë dhe drejtuesit partiakë të Kosovës, en bloc, me mospërfillje, deri në idiotësi dhe rrugaçëri, kanë reaguar, cinikisht dhe poshtërsisht, se "ndërkombëtarët, Evropa po na diskrediton, se ne i kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për liberalizimin e vizave" dhe broçkulla tjera, tërësisht, falsifikuese, të rrejshme. Sollem këtë fakt, sepse liberalizimi i vzave, ishte barometër edhe i njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë që gjykatat e Kosovës kanë stivuar e arkivuar 720 mijë dosje me lëndë gjyqësore të pazgjidhura. Prej tyre 320 mijë janë cilësuar për zgjidhje parësore. Por, kamuflonin e mashtronin, duke i zvarritur proceset nga viti në vit, për ta pritur parashkrimin e tyre, pra mbylljen e dosjeve kriminale gjithëfarëshe. Edhe pse krimit nuk i skadon afati”, thotë Zeqiraj për “Bota sot”.

Zeqiraj thotë më tutje se për ngecjen dhe tërheqjen e njohjeve, fajtore është kasta drejtuese pushtetare. Për dy dekada krime e hajni zyrtare. Dhe, megjithatë, krimi dhe kriminelët mbetën në kupolë të shtetit dhe të pushtetit!

“Kosova një banana-shtet! Edhe populli nuk mund të shfajësohet, sepse është pajtuar të jetojë me krimin dhe kriminelët. "Siç është mbreti, është mileti!" Maskarada e dosjeve, denoncimeve, akuzave, për krime faktike dhe lirimeve pa ndëshkime, vazhdon për 20 vjet radhazi. Dëshmi janë varret e shtatorët e vrasjeve politike, të atdhetarëve të devotshëm, me qëllim të marrjes dhe të mbajtjes të pushtetit me dhunë. Megjithatë, krimi dhe kriminelët mbrohen, cinikisht e pacipërisht, madje, kolektivisht! Një degradim skajor i një popullil, që pranon skllavërinë politike në shekullin digjital! Tmerr e turp”, thotë tutje Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se shpresat nga qeveria aktuale për njohje të reja, janë të pakta.

“Shpresat që qeveria aktuale të dalë nga ngujimi mohues i njohjeve, janë të vagëta, të pakëta. BE-ja është e qartë në kërkesat e saja, për plotësimin e dy kushteve bazike, si: luftimi i krimit të organizuar, përfshi edhe qindra vrasje të kundërshtarëve politikë dhe korrupsionit masiv. Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk ka shtet ligjor. Dhe, me një shtet të tillë rrumpallë, hallakamë, nuk ka interes për bashkëpunim e njohje nga bota. LDK-ja, si kryesuese e qeverisë, duke hyrë në koalicion me partitë e PAN-it, të cilat "në fondamentin e tyre kanë krimin dhe korrupsionin", është jashtë çdo logjike të plotësojë dy kushtet në fjalë, kur partnerët e saj janë bartësit e krimit dhe hajnisë zyrtare, për dy dekada radhazi. Këtë pamundësi LDK-ja e pranoi, kur hoqi 6 (gjashtë) pikat kryesore, të programuara për qeverinë e koalicionit me LVV. Sepse do të ishte iluzive që kriminelët ta ndëshkojnë vetëvetën”, thotë Zeqiraj./Bota sot

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat