Isa Mustafa i hoqi vijat e kuqe për PDK-në, kundërpërgjigjet Hoti

Aktuale

Isa Mustafa i hoqi vijat e kuqe për PDK-në, kundërpërgjigjet Hoti

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 09:41

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se koalicioni qeverisës është stabil dhe se nuk ka nevojë për kombinime të tjera në ekzekutiv. Ndërkohë që ditë më parë shefi i tij në parti, Isa Mustafa në një intervistë për KosovaPress deklaroi se i kanë hequr vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës, kryeministri theksoi se koalicioni qeverisës është duke funksionuar dhe se po kujdeset që të respektojë marrëveshjen në mes të partnerëve.

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Hoti tha se qeveria po merr vendime të rëndësishme.

Hoti: Qeveria është stabile, nuk shoh arsye të hyjmë në kombinime të tjera

“Koalicioni qeverisës është duke funksionuar, ju i patë edhe vendimet e rëndësishme që i morëm sot, qeveria është stabile, për aq kohë sa është qeveria stabile unë nuk shoh arsye që të hyjmë në kombinime të tjera. Jemi duke respektuar marrëveshjen e koalicionit, jam duke u kujdesur çdo ditë që të respektohet kjo marrëveshje”, tha Hoti derisa u përgjigj rreth përfshirjes së mundshme të PDK-së në qeveri.

Hoti foli edhe për takimin që ishte paraparë të mbahej sot në Bruksel me palën serbe, por që u anulua me arsyetimin e situatës me Covid-19.

Kryeministri përsëriti se tema e Asociacionit të Komunave Serbe nuk do të hapet më.

Hoti: Do të kujdesem që procesi i dialogut të shkojë përpara, Asociacioni nuk diskutohet

“Asociacioni nuk diskutohet, ka tema të tjera për të diskutuar, unë do të kujdesem që procesi i dialogut të shkojë përpara, nëse për ndonjë arsye nuk mund të shkojë përpara, atëherë do të jetë jo për arsye pse Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme por për shkak të Qeverisë së Serbisë, për shkak të shtetit të Serbisë që nuk është e gatshme të shkojë drejt marrëveshjes përfundimtare”, tha Hoti.

Ndër të tjera, Hoti u pyet edhe rreth idesë së përfolur që Liqeni i Ujmanit të marrë emrin Liqeni Trump, ku edhe njëherë ka përsëritur se Qeveria e Kosovës ka shprehur vullnetin e mirë që të merret parasysh kërkesa e ambasadorit Grenell për këtë çështje, që sipas Hotit, kjo kërkesë është bërë edhe në Shtëpinë e Bardhë edhe në takimin në Prishtinë.

***

“Qeveria është stabile, derisa është kështu nuk shoh arsye për kombinime të tjera”, kështu ka thënë kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti rreth përfshirjes së mundshme të PDK-së në qeveri.

Kryeministri Abdullah Hoti edhe njëherë tha se tema e asociacionit nuk do të hapet më.

“Asociacioni nuk diskutohet, do të kujdesen qe procesin e dialogut të shkojë përpara, nëse për ndonjë arsye nuk shkon përpara nuk do të jetë për shkak të Qeverisë së Kosovës për shkak të Serbisë”, tha Hoti.

Kryeministri Abdullah Hoti, pas mbledhjes se qeverisë tha se sot miratuan 15 marrëveshje që ai i quajti të rëndësishme që do të nënshkruhet të premten me Shqipërinë.

Sipas Hotit në këtë mënyrë do të thellohet bashkëpunimi në mes të dy vendeve.

Për krijimin e zyrës e cila do të ofrojë asistencë për qytetarët e Luginës, Hoti tha se kjo do të jetë një mbështetje për qytetarët e Luginës për të mbrojtur dhe promovuar të drejtët e tyre, për t’i mbështetur në fushën e arsimit, në aktivitetet kulturore për në punësim duke nxitur bashkëpunimin në mes odave dhe bizneseve.

Hoti tha se në mbledhjen e se premtes një prej pikave të jetë edhe analiza e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe nënshkrimi i një deklarate të përbashkët ku do t’u kërkojmë Kuvendeve mbikëqyrjen e marrëveshjeve.

Hoti: Me Shqipërinë do të nënshkruhen 15 marrëveshje, shpejt takohemi me krerët e Luginës

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, në një konferencë për medie ka folur për marrëveshjet që do të nënshkruhen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai tha se kanë miratuar 15 marrëveshje që do të nënshkruhet me Qeverinë e Shqipërisë.

“Kemi miratuar 15 marrëveshje qe do ti nënshkruajmë në mbledhjen e përbashkët këtë të premte sepse e thellojnë raportin me Shqipërinë”.

“Kemi marrë një vendim për themelimin e zyrës në Luginë e që do të jetë në shërbim të qytetarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre në fushën e arsimit në mbështetje dhe ruajtje të kulturës në atë pjesë”.

“Përtej kësaj, do të krijohet edhe fondi i përbashkët për ndihmën e qytetarëve në atë pjesë”, tha Hoti teksa shtoi se këto ditë do të zhvillojë takim me kryetarët e Luginës.

***

Kryeministri Avdullah Hoti po mban konferencë për media.

Konferenca vjen pasi Qeveria mbajti mbledhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat