​Zemaj: Askujt nuk do t’i japim mundësi të keqpërdorë masat antiCOVID-19

Aktuale

​Zemaj: Askujt nuk do t’i japim mundësi të keqpërdorë masat antiCOVID-19

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, pas takimit të Komitetit për vlerësim dhe koordinim të situatës lidhur me COVID-19, tha se tashmë në vend është një situatë më e qetë sa i përket vlerësimit epidemiologjik. Megjithatë, ai tha se do të jenë të pa kompromis ndaj atyre që nuk respektojnë masat antiCOVID.

Pas takimit, Zemaj tha se ka kërkuar nga të gjithë që të bëjnë punën e vet me përgjegjësi në menaxhimin e situatës me pandeminë.

Zemaj: Kërkova që çdo kush ta bëjë punën në terrenin e vet

“Kërkova që çdo kush ta bëjë punën në terrenin e vet, të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi në menaxhimin e situatës pandemike të jenë të angazhuar në front të përbashkët ta vazhdojmë ta mbajmë trendin e përmirësimit dhe ta zhvillojmë jetën në suazat të cilat na lejohet aktivitetet e mundshme, por si primare ruajtja e shëndetit publik. Vlerësimet janë që ne duhet të vazhdojmë në zbatueshmërinë e masave, bashkërisht duhet të ecim me një ecje të kujdesshme në vlerësimet e reja. Interesimi ynë ka qenë këto ditë mbarëvajtja e mësimit në shkolla, lëvizjet, krijimi i kushteve të reja për kthim normal ashtu siç sot filluam edhe me kthimin gradual të shërbimeve ambulatore në ambulancat specialistike në QKUK dhe në kuadër të kësaj interesimi ynë është që të jetë në fokus ruajtja e shëndetit publik”, tha ai.

Kreu i Shëndetësisë tha se bashkë me Inspektoratin dhe Policinë e Kosovës do të hartojnë një plan për mbikëqyrje të respektimit të masave, për çka tha se asnjë mundësi nuk do t’i jepet askujt që të keqpërdor masat.

Zemaj: Asnjë mundësi nuk do t’ia japim askujt që të keqpërdorë masat

“Këtë kohë dhe këtë qetësi kushtimisht ta quaj do ta shfrytëzojmë për ngritjen e kapaciteteve tona të brendshme të infrastrukturës, kapaciteteve testuese dhe kapaciteteve humane. Do të jemi në gatishmëri të plotë që të përgatitemi për çfarëdo situate që mund të ketë reflektim në situatën epidemiologjike në Kosovë. Bashkërisht edhe me inspektoratet, po edhe me Policinë e Kosovës do të jemi në hartim të një plani, i cili do të jetë dinamik, do të ndahet edhe me juve dhe kjo mbikëqyrje do të jetë strikte. Asnjë mundësi nuk do t’ia japim askujt që të keqpërdorë masat, ta keqpërdor lirinë e lëvizjes, t’i keqpërdor heqjen e kufizimeve që të bëhet shkaktar i shpërndarjes së infeksionit. Ky zotim ishte i të gjithëve”, tha ai.

Zemaj tha se Qeveria e Kosovës do të mundohet që ta mbulojë dëmin ekonomik me miratimin e pakos për rimëkëmbje ekonomike, për çka edhe iu ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që ta votojnë ligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Ndërsa, sot në vend ka filluar kthimi gradual i shërbimeve specialistike në të gjitha ambulancat specialistike, drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi, tha se do të rifillohet me realizimin e programit të intervenimeve kirurgjike jo emergjente.

Ai tha se sot kanë filluar me rikthimin e shërbimeve specialistike në të gjitha ambulancat specialistike me përjashtim në Klinikën Infektive dhe Pulmologjisë ku ende ka pacientë me COVID-19.

Krasniqi: Me realizimin e programit të intervenimeve kirurgjike jo emergjente

“Bëhet fjalë kryesisht për shërbimet nga lëmi që ne në mjekësi e quajmë lëmit internistike dhe ato kirurgjike, ndërkohë që të gjithë drejtorët janë udhëzuar që të fillojnë edhe me realizimin e programit të intervenimeve kirurgjike të natyrës jo emergjente”, tha Krasniqi.

Në këtë takim është ka marrë pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj.

Në udhëzuesin e publikuar ditën e shtunë thuhet se maska rekomandohet të përdoret te fëmijët mbi moshën 10-vjeçare, e për këtë Ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj tha se fëmijët deri në moshën 10 vjeçare mund ta përdorin maskën në mënyrë vullnetare.

Ai tha se për këtë udhëzues do t’i njoftojnë sot shkollat në Kosovë.

Likaj: Fëmijët deri 10-vjeç mund ta bartin maskën nëse munden në mënyrë vullnetare

“Ende nuk e kemi dorëzuar në shkolla, por tash është vullnetare, do të thotë fëmijët deri në moshën 10-vjeçare mund ta bartin maskën nëse munden në mënyrë vullnetare, por sot do t’i informojmë krejt shkollat për këtë udhëzues”, tha ai.

Ndryshe, në 24 orët e fundit me koronavirus në Kosovë janë regjistruar tri viktima dhe 48 raste të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat