Hotit po i rrezikohet karriga, një deputet në burg e AAK-ja aspak stabile

Aktuale

Hotit po i rrezikohet karriga, një deputet në burg e AAK-ja aspak stabile

Më: 29 shtator 2020 Në ora: 14:14
Avdullah Hoti

Mezi i kishte bërë 61 vota që të votohej në Kuvendin e Kosovës e pastaj qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti mbeti edhe pa votën e deputetit Etem Arifi i cili ishte në arrati për disa muaj. Por, edhe pozicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës karshi Hotit e bëri edhe më të pafuqishëm ekzekutivin.

Sot, deputeti i Partisë Egjiptiane për Integrim, Etem Arifi është dorëzuar para organeve të drejtësisë dhe i njëjti është dërguar për vuajtje të dënimit për tre muaj në qendrën e paraburgimit në Hajvali.

Vota e deputetit Arifi është kontestuar nga partitë opozitare, derisa Lëvizja Vetëvendosje këtë çështje e kishte adresuar edhe në Gjykatën Kushtetuese, por ky institucion nuk ka dhënë ende vendimin. Pas disa muajsh në arrati, deputeti Arifi tani është në burg e qeveria Hoti është edhe zyrtarisht me 60 vota.

Për nga aspekti i legjitimitetit, lajmi.net sot ka konsultuar njohësin e Kuvendit dhe çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj i cili ka thënë se vota e tij ishte legjitime dhe se aktgjykimi ishte ekzekutuar legjislaturën e kaluar.

Por, sa i përket aspektit të pafuqisë së qeverisë Hoti, mungesa e deputetit Arifi do ta hendikepojë në aspektin e votimit të projektligjeve në Kuvend.

Tash e sa muaj, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti nuk po arrin të kalojë projektligje me rëndësi në Kuvendin e Kosovës për shkak të një opozite të fortë dhe për shkak të mungesës së votave.

Por, pavarësisht kësaj, i pyetur për mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeverisës, kryeministri Hoti dje është shprehur se qeveria e tij është stabile dhe nuk ka nevojë për modifikime të tjera.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është stabile krah Hotit. Në shumë raste edhe vet kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj por edhe deputetë të kësaj partie kanë dalë kundër veprimeve dhe vendimeve të qeverisë Hoti dhe vet kryeministrit.

Madje, Haradinaj para disa javëve e kishte kërcënuar kryeministrin Hoti dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me largim nga koalicioni qeverisës për shkak të mospajtimeve që kishin këto dy subjekte rreth marrëveshjeve të arritura në Uashington.

Gjatë muajve të fundit është përmendur shumë shpesh mundësia që Partia Demokratike e Kosovës të përfshihet në qeverinë Hoti, por një gjë e tillë është mohuar nga zyrtarë të kësaj partie dhe nga vet kryetari Kadri Veseli.

Në krejt këtë situatë, qeveria e udhëhequr nga Hoti nuk po arrin të votojë në Kuvendin e Kosovës ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike që po i lë bizneset dhe qytetarët e Kosovës në situatë të rëndë.

Megjithatë, Xhavit Beqiri, këshilltari për media i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht faktit se deputeti Arifi ka shkuar në vuajte të dënimit me burg, qeveria do të vazhdojë me agjendat e saj të përditshme.

“Nuk presim se do të paraqesë ndonjë problem. Nuk presim se do të paraqesë vështirësi në punën e qeverisë. Le të presim. Ne do të vazhdojmë agjendën e përditshme të punës së qeverisë”, tha Beqiri.

Mbetet të shihet ditët në vazhdim se cila do të jetë zgjidhja e Hotit për të dalë nga kriza që e ka kapluar qeverisjen e tij me vetëm 60 vota në Kuvend dhe pa përkrahjen e plotë të partnerëve të koalicionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat