Ndryshimet e ligjit për njohje të stazhit për pensionistë mbesin në sirtarët e Qeverisë

Aktuale

Ndryshimet e ligjit për njohje të stazhit për pensionistë mbesin në sirtarët e Qeverisë

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 12:19
Pamje nga vizita

Ministri i Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, me rastin e Ditës Botërore për të Moshuarit, vizitën e ka vazhduar për tek Pensionistët e Kosovës në Prishtinë, ku këtyre të fundit u është premtuar se njohja e stazhit për pensionistët që ishin larguar nga puna në vitet e 90-ta, do të rregullohet sa më shpejtë.

Reçica është shprehur se ministria që drejton dhe Qeveria, janë duke punuar për rregullimin e kësaj çështje.

Reçica: Është duke u punuar që të rregullohet njohja e stazhin për punëtorët e viteve të 90-ta

“Jam zotuar para lidhjes së pensionistëve, para gjithë pensionistëve që një breng e madhe për ta siç është mosnjohja e stazhit të viteve ‘90-99 për të gjithë ata pensionist të cilët në atë kohë dhunshëm u larguan në vendet e punës, jemi të përkushtuar që këtë ta rregullojmë sa me parë që është e mundur, natyrisht duke u konsultuar dhe duke u koordinuar edhe me akterët tjerë brenda Qeverisë”, ka thënë Reçica.

Reçica ka thënë se janë në përpjekje për të gjetur zgjidhje për njohje të stazhit gjatë viteve 90-99.

Reçica: Ndryshimet e ligjit për skemat pensionale i kemi dërguar në qeveri

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale tashmë nga fundi i muajit korrik ka proceduar në Qeveri ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, plotësim ky që është paraparë të ndryshohet neni ku u ndalohet pensionistëve tanë njohja e stazhit gjatë viteve 90-99, dhe nga korriku ne jemi duke diskutuar bashkarisht edhe me kryeministrin, edhe me akterët tjerë të Qeverisë për të gjetur zgjidhje rreth miratimit, fillimisht në Qeveri, të këtij plotësim ndryshimi dhe për t’u dërguar tutje në parlament”, tha ai.

Reçica shtoi se njohja e stazhit të viteve të 90-ta, ka një kosto shtesë buxhetore.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi ka thënë se pensionistët nuk kanë ligj për sigurime pensionsionale dhe se po iu shkelen të drejtat.

Kajtazi gjatë këtij takimi tha se ka pensionistë që kanë punuar gjatë okupimit dhe prapë paguhen, ndërsa, ata të cilët ia kanë kundërshtuar okupatorin, sot kanë mbetur keq.

Kajtazi: Pensionistëve vazhdojnë t’iu shkelen të drejtat

“Çështja e pensionistëve edhe përkundër përpjekjeve të ministrit dhe të qeverive të tjera, përpara ende nuk është zgjidhur. Pensionistët nuk kanë ligj për sigurime pensionale, pensionistëve iu shkelen të drejtat. Ka pensionist që për tre ditë nuk e realizon pensionin për shkak që i mungon stazhi. Është një rast i keq që ata që kanë punuar gjatë okupimit e kanë gëzuar pagën atëherë, e gëzojnë edhe tash edhe pensionin, kurse, ata që ia kanë kthyer shpinën okupatorit, sot kanë mbetur keq”, ka thënë Kajtazi.

Kajtazi ka lutur Qeverinë dhe ministratë që t’i kushtohet kujdes më shumë moshës së tretë.

Kajtazi: Nuk mund të presim deri ta përfundoni asfaltin në krejt Kosovën

“Pra besoj që edhe Qeveria edhe ministri edhe pushtetet, edhe Kuvendi t’i kthehen moshës së tretë, ta zgjidhin këtë çështje sepse nuk mund të presim ne që asfalti me u përfunduar në krejt Kosovën sepse ne do të vdesim një ditë”, ka thënë Kajtazi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat