A ka mbledhje LDK-ja, flet Isa Mustafa

Aktuale

A ka mbledhje LDK-ja, flet Isa Mustafa

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 12:58
Foto ilustrim

(E plotësuar) -  Ani pse u raportua në medie që kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) pritet të mblidhet sot për të diskutuar për rrethanat aktuale politike dhe mundësinë e përfshirjes së PDK-së në koalicionin qeverisës një gjë e tillë nuk pritet të ndodh.

Këtë e konfirmoi sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi.

Abrashi: Nuk ka mbledhjen të kryesisë sot

“Nuk ka asgjë të vërtet rreth asaj, ne sot gjatë tërë ditës jemi në teren...në mbrëmje kemi përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive andaj mund të konfirmoj që nuk ka asnjë mbledhje të kryesisë LDK-së”, tha ai. 

***

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka konfirmuar se sot s’ka kurrfarë takimi në partinë e tij.

“Jo!”, ka thënë prerë dhe shkurt ish-kryeministri Mustafa kur është pyetur nëse sot do të ketë takim në të cilin do të diskutohet edhe mundësia e zgjerimit të koalicionit.

Edhe nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu, ka thënë se s’ka ndonjë informacion për një takim të tillë për të cilin është raportuar në media.

“Jo, s’kam ndonjë informacion”, ka thënë Veliu.

***

Lidhja Demokratike e Kosovës, do të mbajë sot takim mes kryesisë së ngushtë të partisë, për të vendosur se a do të hyjnë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Burime të mediave ekskluzivisht kanë bërë të ditur se Isa Mustafa, do të takohet gjatë ditës me kryesinë e ngushtë të partisë së tij dhe tema e vetme e diskutimit, do të jetë futja apo jo e Partisë Demokratike të Kosovës, në Qeverinë Hoti.

Diskutimi që pritet të bëhet për këtë çështje, është ndarja e pozitave mes tyre dhe partisë së Kadri Veselit dhe mundësia eventuale që AAK-ja e Ramush Haradinajt të përjashtohet nga koalicioni.

Nëse merret vendimi brenda LDK-së, për hyrje në koalicion me PDK-në, kjo e fundit pritet të marrë postin e presidentit, teksa do i jepen edhe disa ministri.

“Isa Mustafa do të takohet sot me kryesinë e ngushtë të LDK-së, për të vendosur se a do të hyjnë në koalicion me PDK-në apo jo. Sipas gjitha gjasave, ekziston mundësia reale që vendimi të jetë pro futjes së PDK-së në qeveri, ku sipas gjitha gjasave, përveç disa ministrive, do e merr edhe postin e presidentit”, ka thënë një burim i lartë brenda LDK-së.

Gazeta ka tentuar të vë kontakt me disa nga krerët më të lartë të LDK-së, për të marrë përgjigje zyrtare nga ana e tyre, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, konfirmoi se i kanë hequr vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës.

Madje, Mustafa u shpreh se në aktualitetin politik, është e domosdoshme zgjerimi i koalicionit qeverisës, për shkak se sipas tij, Kosovën e presin tema të mëdha.

Gjithashtu, Mustafa ka theksuar se përfundimi i mandatit të presidentit aktual, Hashim Thaçi, dhe zgjedhja e presidentit të ri, që mund të bëhet në muajin mars, do të jetë sfidë e papërballueshme për koalicionin aktual, pasi që nuk i posedojnë votat për ta bërë një gjë të tillë.

Në anën tjetër, kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, mbrëmë në RTK, konfirmoi se partia në të cilën ai është, do të bëhet pjesë e qeverisë, në rast se i jepet posti i presidentit apo kryeministrit.

“Ne do të futemi në qeveri, nëse do e marrim ose postin e presidentit, ose të kryeministrit”, ka thënë Lushtaku.

Zërat për zgjerimin e koalicionit qeveritar me futjen e PDK-së në të, janë shtuar pas zhvillimeve të fundit, të ardhura nga Gjykata Speciale.

Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, u janë propozuar aktakuzat nga ana e Gjykatës Speciale, teksa krerët e OVL UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, tashmë janë arrestuar nga ana e kësaj gjykate.Gazetablic

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat