​Lutfi Haziri të martën dëshmon para Komisionit Hetimor për menaxhim të pandemisë

Aktuale

​Lutfi Haziri të martën dëshmon para Komisionit Hetimor për menaxhim të pandemisë

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 13:02
​Lutfi Haziri të martën dëshmon para Komisionit Hetimor për menaxhim të pandemisë

Të martën nga ora 10:00 kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri do të dëshmojë në Komisionin parlamentar për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria e Kosovës. Po në këtë ditë nga ora 13:00 në këtë komision është ftuar që dëshminë e tij ta japë edhe koordinatori i Qendrës Operative në Ministrinë e Shëndetësisë, Pashkë Buzhala.

Që të dy ata do të dëshmojnë rreth rastit të ndjerit Agon Musliu, i cili ndërroi jetë në Qendrën e Studentëve, e cila gjatë pandemisë shërbeu si karantinë për qytetarët nga vendet tjera.

Kusari-Lila: Të martën dëshminë e tij do e jap kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri

“Nga Ministria e Punëve të Jashtme presim raportin që e ka dorëzuar ambasadori në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Qendrën karantinë. Ndërsa, kryetari i komunës së Gjilanit, Lufti Haziri e ka konfirmuar për të martën datën 6 tetor në ora 10.00 se mund të vijë në komision. Konsideroj se e marta në të njëjtën ditë të kemi ende nuk e kemi marrë përgjigjen nga Ministria e Shëndetësisë për zyrtarë në qendrat operative që kanë qenë atë ditë, po flasim për zyrtarët e MSH në ditën kur ka pasur komunikim lidhur me rastin e Agon Musliu. Propozoj që në të njëjtën ditë me kryetarin Lutfi Haziri të ftojmë edhe Pashkë Buzhala, udhëheqës i Divizionit të Shëndetit Publik dhe menaxher i qendrës operative në Ministrinë e Shëndetësisë“, u shpreh ajo.

Gjatë mbledhjes së sotme Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e pandemisë nga Qeveria e Kosovës, Ilir Hoxha u votua për të qenë ekspert i shëndetit publik për këtë komision. Sqarime për angazhimet e ekspertëve në këtë komision i ka dhënë kryesuesja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila

Kusari-Lila: Ne për çështjet e këtij komisioni i kemi ekspertët

“Funksioni i këtij komisioni ka të bëjë me analizimin e tri aspekteve të menaxhimit të pandemisë. E para ka të bëjë me funksionimin dhe organizimin në Qendrën karantinë, përfshirë këtu edhe rastin e vdekjes së të ndjerit, Agon Musliut. E dyta, ka të bëjë me çështjet e furnizimit me barna dhe çështje të menaxhimit në aspektin e pakos emergjente gjegjësisht në sferën e përgjithshme nga aspekti logjistik dhe nga aspekti i politikave ekonomike. Dhe pika e tretë ka të bëjë me ligjshmërinë e vendimeve apo vendimmarrja, e cila është kryer gjatë periudhës kohore prej kur është shpallur pandemia më 13 mars e deri në momentin sa ka funksionuar Qeveria Kurti më 3 qershor. Për këto tri fusha janë ekspertët e angazhuar deri më tani kryesisht kemi analizuar dhe jemi marr me dy pikat”, u shpreh Kusari-Lila.

Para këtij komisioni deri tani dëshminë e tij e kanë dhënë ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku. Ndërsa po në këtë komision dëshminë e ka dhënë edhe babai i të ndjerit, Agon Musliu i cili vdekjen tragjike të djalit të tij e ka quajtur si politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat