Përfundon seanca në Speciale ndaj Gucatit, Gjykatësi ia jep një premtim

Aktuale

Përfundon seanca në Speciale ndaj Gucatit, Gjykatësi ia jep një premtim

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 15:26

(E plotësuar) - Prokuroria e Specializuar: Brenda 30 ditësh, aktakuzë ndaj Gucatit

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se ka ndërmend që brenda 30 ditësh të ngrehë aktakuzë për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i cili dyshohet se ka penguar drejtësinë, ndërkaq mbrojtja e tij kërkoi lirimin me kusht.

Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se mbrojta e Gucatit ka parashtruar katër ankesa me shkrim për të kundërshtuar legjitimitetin e arrestimit dhe transferimit të Gucatit në paraburgim në Hagë. Gjyqtari kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që deri më 2 tetor t’i përgjigjen këtyre kërkesave të mbrojtjes.

“Prokuroria e Specializuar ka ndërmend të dorëzojë aktakuzën brenda një periudhe 30 ditore”, tha prokurorja Valeria Bolici.

Avokati i Gucatit, Jonathan Reese kërkoi lirimin me kusht të klientit të tij, duke paraqitur një sërë kushtesh që kreu i OVL të UÇK-së do të respektonte, nëse gjykata do të pranonte një gjë të tillë.

Ndër të tjerash, avokati Reese përmendi edhe një garanci prej 5 mijë eurosh, që Gucati të jetojë në një adresë të caktuar në Kosovë dhe të raportojë në policinë e EULEX-it.

Por, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se mbetja në paraburgim e Gucatit është e nevojshme pasi “ka motive” se ai mund t’i “shmanget drejtësisë”, por edhe të përsërisë veprat të cilat dyshohet se i ka kryer.

Gucati, sipas fletarrestim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara, dyshohet për pengim të drejtësisë përkatësisht “për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Gucati u arrestua në Prishtinë më 25 shtator nën dyshimet për pengim të drejtësisë. Ai u arrestua në zyrat e OVL të UÇK-së, në kohën kur Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu bastisje në këto zyra. Po të njëjtën ditë u arrestua edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, i cili po ashtu dyshohet se ka penguar drejtësinë.

Tri herë radhazi, OVL e UÇK-së mbajti konferenca për media ku u shpërndanë materiale që pretendohet se janë dokumente konfidenciale të Gjykatës Speciale.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj më 29 shtator ka bërë paraqitjen e tij të parë para Dhomave të Specializuara. Mbrojtja e tij kërkoi lirimin e menjëhershëm të Haradinajt nga paraburgimi, ndërkaq Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se shumë shpejt do të bëjë gati aktakuzën ndaj Haradinajt.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 24 shtator, Gjykata Speciale ka bërë arrestimin e parë në Kosovë. Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa është personi i parë që u arrestua dhe u transferua në Hagë. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për krime lufte. Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës, Mustafa nuk është deklaruar se nëse e ndjen veten të pafajshëm apo fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Gjykatësi i Speciales i premton Gucatit se do ta shqyrtojë lirimin e tij nga paraburgimi

Gjykatësi francez, Nicolas Guillou, e ka mbyllur seancën e sotme gjyqësore duke ia dhënë një “premtim” kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së se do ta shqyrtojë mundësinë e lirimit të tij me kusht nga paraburgimi.

Paraprakisht, avokati i Gucatit ka kërkuar nga gjykatësi që Gucati të lirohet me kusht nga paraburgimi derisa të shqyrtohen 4 kërkesat që ai i ka bërë në Dhomat e Specializuara.

“Z. Gucati, më lejoni të them se në bazë të nenit 51 dhe 57, unë do ta rishikojë ndalimin tuaj, paraburgimin tuaj, ose me kërkesë të avokatit mbrojtës tuajin, ose me iniciativën time”, tha Guillou.

Avokati i Gucatit tha se gjykatësi nuk mund t’i trajtojë akuzat që i vihen barrë Gucatit, duke kërkuar lirimin me kusht të klientit të tij.

“Ju z. gjykatës nuk mund t’i trajtoni këto çështje që keni ngritur sot. Është çështja e lirimit me kusht sepse Prokurorisë i është dhënë kohë që t’i përgjigjet kundërshtimeve me shkrim për ligjshmërinë e arrestimit, ndërkohë z. Gucati është dhe do të mbetet në paraburgim, ndërkohë që pret përgjigjen e Prokurorisë”, tha avokati.

Ai i premtoi gjykatësit se klienti i tij do të qëndronte 100 metra larg OVL të UÇK-së nëse do të vendosej lirimi i tij me kusht nga paraburgimi. 

Moment qesharak në seancën e Speciales ndaj Gucatit

Është mbajtur seanca gjyqësore ndaj kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit, para gjyqtarit të procedurës paraprake në Hagë.

Por një moment qesharak ndodhi në fund të seancës. Gjykatësi i rastit, Nicolas Guillou, i kërkoi Gucatit të i tregojë se si shqiptohet mbiemri i tij, pasi avokati i tij, i thoshte “Gukati”.

“Mbrojtësi juaj ju thërret Gukati, ju lutem a mund të më thoni se si e keni tamam mbiemrin, qe t’ua shqiptojmë si e keni vërtet mbiemrin”, tha Guillou, duke qeshur.

Me të marrë fjalën, Gucati i tregoi shqiptimin e mbiemrit të tij.

Ndëra gjykatësi po e falënderonte Gucatin, ai tha se “shpresoj se po ua them mirë mbiemrin tuaj”.

Gucati është arrestuar nga EULEX’i me datën 25 shtator, në zyrat e veteranëve në Prishtinë, ku atë ditë u bë edhe një bastisje. Po atë ditë, Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gucati: Jam në shkallën 75 % invalid, ja si po më trajtojnë në Hagë

Kreu i veteranëve, Hysni Gucati nuk ka pasur ankesa për mënyrën e trajtimit pas arrestimit dhe gjatë qëndrimit në paraburgim në Hagë.

Ai ka thënë se personat që e kanë arrestuar janë sjellë në mënyrë korrekte ndaj tij.

Kjo sipas Gucatit, sidomos pasi që ata kanë marrë vesh se ai është invalid i luftës.

“Asaj çka tha mbrojtësi im nuk kam çka të shtoj, arrestimi im prej Prishtine në Holandë ka qenë shumë i mirë se unë jam invalid i luftës me shkallën e invaliditetit 75%. Në momentin që e kanë marrë vesh se jam invalid më kanë respektuar. Edhe në paraburgim e falënderoj stafin se kujdesen korrekt ndaj meje. Atë që tha avokati nuk kam çka të shtoj diçka tjetër. Jam aty për t’u përmbajtur gjithçka çka thotë avokati”, ka shtuar Gucati para Gjykatësit të Procedurës Paraprake.

Prokurorja kundërshton lirimin e Gucatit: Ai mund të publikojë sërish dosje

Prokurorja e Speciales në rastin kundër Hysni Gucatit, Valeria Bolici ka kundërshtuar kërkesën për lirimin me kusht të kreut të veteranëve.

Në seancën e sotme, prokurorja Bolici tha se nëse Gucati lirohet, ekziston rreziku se ai mund ta përsëris veprën penale.

Këto deklarata ajo i bazoi në faktin se Gucati sipas saj kishte deklaruar se nëse i vijnë dosje të tjera, ato do t’i publikojë.

Image
Valeria Bolici

“Paraburgimi mbetet i nevojshëm sepse nuk ka rrethana të reja që mund të ndikojnë në gjetjet që janë dhënë në aktakuzë. Për aq kohë që kemi të njëjtat kushte nga momenti i arrestimit. Që prej lëshimit të fletë-arrestimit, Gucati është njoftuar për veprat penale. Mbi të gjitha, në disa deklarata, Gucati ka konfirmuar se do të bëj publike informacione që mund t’i vijnë  e që kanë të bëjnë mbi fushën e kësaj gjykate”,  ka thënë prokurorja Bolici.

Sipas saj, arrestimi ka qenë mënyra e vetme e ndaljes së Gucatit.

“Gucati ka bërë deklarata të tilla deri në ditën e arrestimit dhe si rezultat ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, dhe kjo tendencë është ndaluar vetëm përmes arrestimit. Zyra e Prokurorit mendon që nëse Gucati lirohet, do ta përsëris veprën penale me të njëjtën mbështetje. Zyra jonë është e mendimit që kushtet që janë parashtruar nga mbrojtësi i zotit Gucati janë të pabindshme për lirimin e tij”, ka thënë ajo.

Përfundon seanca në Speciale ndaj Gucatit

Ka përfunduar seanca në Gjykatën Speciale ndaj kryetarit Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

Avokati mbrojtës i Gucatit, Jonathan Rees, ka kërkuar lirim me kusht dhe ka thënë se është parashtruar kjo kërkesë me shkrim.

“Keni kërkuar parashtrimet me shkrim, ne duam të marrim përgjigjen nga ju dhe të kemi lirimin me kusht. Arsyet që janë në parashtrimin tonë janë të arsyeshme. Duke marrë parasysh për çfarë akuzohet z. Gucati, natyrën dhe veprat të cilat mund të bien në fushën e veprimit të kësaj gjykate. Kemi propozuar paketë të plotë kushtesh që i përmbushin shqetësimet e prokurorisë”, ka thënë Rees.

Vet Gucati ka thënë se nga periudha e arrestimit dhe edhe tash në paraburgim janë sjellë të gjithë mirë.

“Çfarë tha mbrojtësi im nuk kam çfarë të shtoj më tepër. Arrestimi im prej Prishtine deri në Holandë ka qenë i mirë. Jam invalid i luftës me shkallë invaliditetit 75 për qind. Më kanë respektuar deri në arrestim edhe në paraburgim. E falënderoj stafin që sillen në mënyrën më korrekte ndaj meje duke e marrë parasysh shkallën e invaliditetit që kam. Atë që ka thënë avokati im nuk kam çfarë të shtojë”, ka thënë Gucati.

Zotimi i avokatit të Gucatit: Nëse e lironi me kusht, do të rrijë 100 metra larg zyrës së OVL-së

Kryetari i Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, sot është paraqitur në seancën e parë gjyqësore para Tribunalit Special.

Mbrojtja e kreut të OVL-UÇK-së ka thënë para gjykatësit të Speciales se ata do t’i plotësojnë kushtet e vëna nga Gjykata për Hysni Gucatin, përfshirë edhe qëndrimin larg 100 metra Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Kryetari i OVL-UÇK’së, Hysni Gucati në kërkesën për lirim me kusht do të qëndrojë 100 metra larg zyrës së OVL-UÇK’së”, ka thënë mbrojtja e tij.

Pala mbrojtëse e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar që Hysni Gucati të lirohet me kusht nga paraburgimi.

Njëri nga mbrojtësit ka thënë se gjykatësi duhet të vendos për lirimin e Gucatit, në mënyrë që t’i japë kohë shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga ai për ligjshmërinë e arrestimit.

Gucati: Do të dorëzohesha, s’ishte e nevojshme të arrestohesha

Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, ka dalë sot në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale pas arrestimit të tij që ndodhi javën e kaluar.

Ai ka thënë sot se Zyra e Prokurorit të Specialzuar nuk ka pasur nevojë që ta arresonte, ashtu sic veproi.

“Do të dorëzohesha”, është shprehur ai.

“Nuk ka qenë e nevojshme që të vinin policia e EULEX për të më arrestuar”.

Gucati i është përgjigjur gjyqtarit të procedurës paraprake se një orë e gjysmë pas arrestimit e ka kontaktuar të birin e tij se është prangosur

 

***

Seanca ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka filluar me kërkesën e mbrojtjes së tij që ai mos të fotografohet nga fotografi i gjykatës derisa përreth tij janë oficerët e sigurisë.

“Nuk kundërshtojmë bërjen e fotografive por vë në pikëpyetje praninë e oficerëve të sigurisë rreth zotit Gucati kur bëhet kjo fotografi, pra pyetem nëse është e nevojshme që këto fotografi të bëhet me oficerët rreth zotit Gucati, kur e dimë që salla është e sigurtë. Klienti im nuk kundërshton që të fotografohet por unë kam kundërshtim në emër të tij që këto fotografi mos të jenë të pranishëm oficerët e sigurisë”, tha mbrojtja.

Këtë kërkesë e aprovoi gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou i cili i kërkoi fotografit që ta fotografojë Gucatin vetëm nga afër, e jo ku shihen përreth tij oficerët.

***

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucai është paraqitur për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Për Gucatin kishte një fletarrestim dhe urdhër për transferim të lëshuar nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara.

Seanca e parë ndaj Hysni Gucatit po mbahet publike.

Hysni Gucati bashkë me udhëheqësit e tjerë të OVL-UÇK, përmes konferencave për media, kishin deklaruar që në zyret e organizatës një person i panjohur ka sjellë dokumente, që siç kanë deklaruar ata, janë dosje që rrjedhin nga Gjykata Speciale.

***

Në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e kryetarit të OVL-UÇK, Hysni Gucati. 

Gucati është arrestuar nga EULEX’i me datën 25 shtator, në zyrat e veteranëve në Prishtinë, ku atë ditë u bë edhe një bastisje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat