Hoti: Kemi program mbështetës për komunitetet joshumicë

Aktuale

Hoti: Kemi program mbështetës për komunitetet joshumicë

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 16:08
Avdullah Hoti

Kryeministri i Qeverisë së ë Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka vizituar sot komunitetin boshnjak në Reçan, ku është pritur nga qytetarët e kësaj zone dhe deputeti Rasim Demiri, i cili njëherit është kryetar i koalicionit VAKAT dhe shef i Grupit Parlamentar 6+.

Fillimisht,  Hoti ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Meto Bajraktari”, ku zhvillojnë mësimin nxënësit e kësaj zone.

“Për herë të parë, në Ministrinë e Arsimit ne do të themelojmë një divizion që do të merret vetëm me arsimin në gjuhën e komuniteteve”, tha kryeministri Hoti.

Më tej, kryeministri Hoti tha se është i rëndësishëm sidomos furnizimi me libra për këtë komunitet, në mënyrë që të përmirësohen kushtet e jetës së të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve në përgjithësi.

Duke parë nga afër disa projekte infrastrukturore që janë duke u zhvilluar dhe janë financuar nga Qeveria e Kosovës, kryeministri Hoti premtoi se Qeveria do t’iu qëndrojë afër qytetarëve të kësaj treve në përmirësimin e jetës së tyre, veçanërisht komunitetit boshnjak, dhe në të njëjtën kohë falënderoi këtë komunitet për kontributin që kanë dhënë në shtetndërtimin e Kosovës.

Kryeministri Hoti tha se kanë ndarë edhe dy milionë euro, si pjesë e rimëkëmbjes ekonomike vetëm për komunitetet joshumicë, për dy qëllime: për të ndihmuar bizneset që punësojnë punëtorë të komuniteteve joshumicë dhe për të ndihmuar familjet që janë në kushte më të vështira nga këto komunitete, shtesë nga ato përfitime nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, që përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Gjithë programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka një segment të fuqishëm të mbështetjes për komunitetet joshumicë”, tha kryeministri Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat