Hysni Gucati para Gjykatës së Posaçme në Hagë, ja çka shkruan VOA

Aktuale

Hysni Gucati para Gjykatës së Posaçme në Hagë, ja çka shkruan VOA

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 19:24
Hysni Gucati u paraqit sot për herë të parë para Gjykatës së Posaçme në Hagë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, u paraqit sot për herë të parë para Gjykatës së Posaçme në Hagë.

Zoti Gucati me 25 shtator u arrestua në Prishtinë në bazë të një urdhër arresti për veprat penale "kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Organizata e Veteranëve të Luftës në tri raste gjatë muajit shtator tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Prokuroria tha se ekziston dyshimi i bazuar se zoti Gucati është përgjegjës për orvatje të kryerjes së veprës penale kundër administrimit të drejtësisë, ndërsa u zotua se aktakuza kundër tij do të dorëzohet brenda 30 ditësh.

Mbrojtja e zotit Gucati kërkoi lirimin me kusht të tij. Gjykata pritet të marrë një vendim për këtë kërkesë.

Me 25 shtator prokuroria e posaçme arrestoi për të njëjtat arsye nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj.

Arrestimi i tyre u bë një ditë pasi që prokuroria e posaçme arrestoi ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili u paraqit të hënën në Gjykatën e Posaçme në Hagë.

Akuza e ngarkon zotin Mustafa “me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme".

Gjykata e Posaçme e njohur me emrin Dhomat e Specializuara, e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Hetimet që i paraprinë gjykatës dhe ngritja e saj, janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat