Rrëfimi me plot emocione për takimin: Vura re Ibrahim Rugovën fikall vetëm, kishin leçitur njeriun që...

Aktuale

Rrëfimi me plot emocione për takimin: Vura re Ibrahim Rugovën fikall vetëm, kishin leçitur njeriun që...

Nga: P.R Më: 1 tetor 2020 Në ora: 20:46
Shaip Beqiri ka kujtuar njëri nga takimet me presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën.

Përmes një postimi në facebook ka kujtuar, shkrimtari Shaip Beqiri ka kujtuar njëri nga takimet me presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën.

Ai ka kujtuar se si shkrimtarët e asaj kohe, e kishin lënë të vetmuar Ibrahim Rugovën në njërën nga manifestimet e revistës letrare shqiptare “Jeta e Re”.

“Në koktejin që mbahej në atele të Teatrit të Kosovës, vura re Ibrahim Rugovën fikall vetëm. Më përshkoi kraharorin një prush i paprovuar asnjëherë më parë. Duke belbëzuar një sharje përmes dhëmbësh për tërë atë grigjë zvarranikësh, iu afrova si të kisha nxënë edhe veten në faj dhe, përkundër natyrës së rëndomtë të një përshëndetjeje të rastit, e përqafova! Iu çel fytyra, por saora më dha shenjë se mund të qe ndonjë rrezik! U ngrysa jo nga frika e kurrfarë rreziku,sa nga turpi i tërë asaj lukunie intelektualësh, shkrimtarësh, artistësh e akademikësh që, ashtu në heshtje, faktikisht e kishin leçitur njeriun që në çdo pikëpamje qëndronte sipër të gjithëve”, shkruan Beqiri, përcjellë “Bota sot”

Postimi i plotë:

I VETMUARI DHE I PIKËLLUARI MË I MADH

Skicë për tri takime me Ibrahim Rugovën

Po të mos ishte kjo fotografi e mjeshtrit të rrallë të fotografisë, Enver Bylykbashit, do të më duhej të përpiqesha t’u bindja për të vërtetën e një gjendjeje dhe gati askush nuk do të më besonte!

Kur trokita në zyrën e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në tetor 1988, më doli i zoti shtëpisë, që ishte Ibrahim Rugova, me qeshjen e tij që mbrunte dhembjen përbrenda, me fjalët: - Çfarë ere të pruri këndej, kur qe dy muaj këmbë shkrimtari këtu nuk ka shkelur?!

U stepa. Një kohë mbeta duke e soditur shqetësimin që s’e kisha parë kurrë në fytyrën e tij për 15 vjetët e miqësisë sime shumë të ngushtë me Ibrahim Rugovën.

Pasi na i solli kafet dhe midis nesh u vendos qetësia, i thashë se doja të bëja një bisedë për SHSHK. Papritur kërceu përsëri: - Mirë që erdhe dhe më hoqe pak mall. Lëre atë punë, se nuk ta lënë…

Për të mos e zgjatur, bisedën e bëmë, doli me titullin „Repriza e një krize“ dhe askush s’e zuri ngoje, ndonëse historia e saj është shumë e gjatë.

Kjo që paraqet fotografia antologjike e Enver Bylykbashit flet për një të vërtetë të madhe të Ibrahim Rugovës. Për atë të vërtetë një ese brilant ka bërë vetëm miku im tjetër Teki Dërvishi. E vërteta e vetmisë së Ibrahim Rugovës është më e thellë dhe me shkëlqimin më të madh se e askujt tjetër.

Mjeshtri, ndoshta edhe pa e ditur, ka rrokur me intuitë një pamje që shpjegon thellësisht shpirtin e një njeriu që po bëhej gati për udhë të vështirë. (Edhe për këtë do të them diçka më shumë pak më vonë!).

Qe dyzetvjetori i revistës më të famshme letrare shqiptare „Jeta e Re“, i bartur nga frori në dhjetorin e vjetit 1989. Në koktejin që mbahej në atele të Teatrit të Kosovës, vura re Ibrahim Rugovën fikall vetëm. Më përshkoi kraharorin një prush i paprovuar asnjëherë më parë. Duke belbëzuar një sharje përmes dhëmbësh për tërë atë grigjë zvarranikësh, iu afrova si të kisha nxënë edhe veten në faj dhe, përkundër natyrës së rëndomtë të një përshëndetjeje të rastit, e përqafova! Iu çel fytyra, por saora më dha shenjë se mund të qe ndonjë rrezik! U ngrysa jo nga frika e kurrfarë rreziku,sa nga turpi i tërë asaj lukunie intelektualësh, shkrimtarësh, artistësh e akademikësh që, ashtu në heshtje, faktikisht e kishin leçitur njeriun që në çdo pikëpamje qëndronte sipër të gjithëve.

Nuk mbaroi takimi im me Ibrahim Rugovën me koktejin. I thashë të shkonim në klubin e Teatrit. Atje na u bashkua edhe poeti Rrahman Dedaj dhe disa të tjerë, midis të cilëve asnjëri nga grigjat e atyre që përmenda. Në vazhdim kemi ndjekur bashkë deri vonë në RTB rrëmujën që po fillonte në Rumaninë komuniste dhe rrëzimin e Çausheskut.

Kulmi i tërë kësaj shpalosjeje time është inserti i tretë me Ibrahim Rugovën. Me ne ishte edhe miku ynë i përbashktë, poeti më i madh i Kosovës, Beqir Musliu, urtësia dhe dinjiteti i të cilit qenë shkasi kryesor që vepra e tij e papërsëritshme të paguante haraçin më të lartë gjithnjë deri sot.

Në atë bisedim erdhi miku ynë, Xhemail Mustafa, të më ftonte mua për pjesëmarrje në themelimin e një partie politike (LDK) që do të bëhej pas dy-tri ditësh. Ai nuk u ul me ne, përveç që ma bëri atë ftesë dhe unë, ashtu kalimthi, ia bëra atij një pyetje për kryethemeluesit e asaj partie... Në vazhdim ne të tre nuk u ndalëm gjatë te ajo temë. Kuptova që B. M. po dëgjonte për të parëb herë sikundër dhe unë për atë gjë, kurse I.R. tha se këta të rubrikës së Kultutrës të „Rilindjes“ po donin të bënin një parti.

Të tjerat i dinë të gjithë…

Pas kësaj kohe unë kam pasur jo pak takime të rastit me I. Rugovën, kryesisht ndër veprimtari letrare e kulturore; por, e dinë shumë nga ata që i kanë ndenjur atij në kohën e pastajme tepër afër dhe të pashqitur, unë kam pasur edhe nja tre-katër takime të tjerë shumë të gjatë, sy më sy dhe plotësisht miqësorë për gjërat që sigurisht do t’i them në kohën e duhur.

P. S.

Edhe një herë i falenderoj dy miqtë e mi artistë: Enver Bylykbashin për fotografinë, por edhe Naser Shatrollin për dërgimin e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat